Mbyllet Abetarja, zbardhet plani për festë në stadium. Mësuesja e “Misto Mames”: Ja skenarët

May 4, 2020 | 16:38

BESARTA BASHA/ Në 27 vitet e punës së saj, mësuese Marjanthi nuk e kishte menduar asnjëherë që do të vinte dita të përcillte nxënësit e saj nga “Abc”- ja drejt librit të Leximit pa festën simbolike, atë të Abetares.

Nga festa, vitet e shkuara
Nga festa, vitet e shkuara

Me afrimin e shkronjës së fundit të alfabetit dhe muajit kur zhvillohet zakonisht festa, një pyetje e mundimshme i vërtitet në mendje.

Si do t’ia bëjë për të mbledhur bashkë 35 “fëmijët” e saj, për t’i thënë lamtumirë abetares, pa cenuar shëndetin e tyre dhe konform rregullave?! “Ishim te shkronja ‘Nj’ kur u ndërpre mësimi në shkollë. Tani kemi arritur te shkronja ‘Zh’ dhe është momenti për të menduar diçka. Ne do ta bëjmë një festë”, thotë me bindje mësuesja e klasës së parë C në shkollën “Misto Mame”, Marjanthi Qirjazi.

PLANET

Dy janë alternativat. E para, që është përqafuar nga të gjithë, është shtyrja e saj për një moment të dytë, kur edhe situata shëndetësore në vend të jetë më e qetë. Ndërsa skenari i dytë i kalon pritshmëritë. Prindërit, ata që e presin këtë festë me aq padurim sa edhe nxënësit, po mendojnë seriozisht që të vegjlit e tyre të mos kalojnë pa e shënjuar në kohë këtë hap kaq të rëndësishëm.

“Kemi disa alternativa por liri-daljet na kufizojnë. Jam në komunikim të përditshëm me prindërit. Madje, njëri prej tyre është shprehur i gatshëm ta zhvillojmë në stadium. Pse jo?!”, thotë mësuesja, e bindur që me autoritetin e saj të imponuar pa detyrim te nxënësit, të mund t’i mbajë ata në distancën e duhur. Edhe pse në bisedime, krahas punës për të mësuar shkronjat e matematikën, mësuese Marjanthi nuk e ka lënë në harresë festën. Përgatitjet kanë nisur tashmë.

“Unë ju kam çuar link-un me këngën ‘abetare, abetare’ që ata ta mësonin. E kam dhënë thjesht për të mos i lënë gjërat për në momentin e fundit dhe u kam thënë që në klasën e dytë, ose për festat e nëntorit ose në dhjetor, ne do ta bëjmë festën”, shprehet mësuesja, duke zbuluar kësisoj skenarin e dytë për kohën e kur do zhvillohet festa e mundimshme e njëherësh aq e dashur për të.

“Kjo është hera e parë që anulohet festa e abetares. Në fakt, përgatitja e saj është shumëe lodhshme, por me aq dëshirë sa e presin fëmijët, e pres edhe unë, sepse është një festë që finalizon punën e bërë në një vit shumë të lodhshëm. Teksa i shikon fëmijët atë ditë të çliruar duke pasqyruar të gjitha gjërat që ke bërë tek ata, të jepet mundësia që pas gjithë asaj lodhjeje, të marrësh shumë kënaqësi”.

NGA SHKUMËSI, NË TABLET

Një fillim i vështirë, por jo i pamundur. Kështu cilësohet kalimi nga dërrasa e zezë te pajisjet teknologjike për të realizuar mësimin online. “Ka qenë shumë e vështirë, madje e shikoja të pamundur. Por ne kemi një favor shumë të madh, pasi kemi bërë një pjesë të mirë të shkronjave në klasë. Kishim marrë bazat e grafikut të shkronjës së dorës, strukturën e mënyrës së shkrimit, mënyrën se si artikulohej një shkronjë dhe lidhej në fjalë”. Për të përmbushur më mirë detyrën e saj, e lodhur nga sytë, mësuesja e klasë së parë ka siguruar së fundmi një tablet, teksa në mendje bluan vazhdimisht se si të mbajë të lidhur fort nxënësit pas librit. Kjo, pa lënë mënjanë edhe aktivitetet argëtuese në një kohë që entuziazmi i nxënësve nuk është më ai i fillimit.

“Ne realizojmë aktivitete edhe përgjatë fundjavës. Kemi realizuar konkursin për kërcimtarin më të mirë, recituesit e kërcimtarit/es më të bukur. Por vë re se tani fëmijët kanë filluar të lodhen. Ishte një temë në matematikë që kishte vështirësi dhe u detyrova ta rishpjegoj. Edhe pse ua nisa me video dhe praktikë me veprimtari, përsëri e pash që në detyrat që më dërgonin, nuk ishin aty ku duheshin”.

Por puna e mësueses nuk përfundon këtu. E rreshtuar krah arsimtarëve të paktë, që përpos asaj që japin, duan edhe të marrin feedback nga puna që bëjnë, mësuesja e “Misto Mames” ka realizuar edhe një sondazh (që rezultoi pozitiv) me prindërit, se sa i kanë përthithur dijet nxënësit dhe sa të lodhur janë këta të fundit.

© Panorama.al

Te lidhura