Manush Myftiu: Xhanfize Keko ka përçmuar fjalimin e Vito Kapos

Feb 26, 2015 | 16:39
SHPËRNDAJE

XHANFIZE KEKO GJATE XHIRIMEVE TE NJE FILMI

(vijon nga numri i kaluar) Kjo e ndez më shumë debatin në mbledhjen maratonë, aq sa dialogët marrin trajtën e ballafaqimit në hetuesi. I deleguari i Byrosë Politike, nga mënyra si ndërhyn, kërkon të imponohet për qëndrime të rrepta, pasi “s’bëhet fjalë për gabime të rëndomta, por për sjellje armiqësore e antiparti.”

Rrufetë këtë radhë shënjojnë Xhanfize Kekon, e cila, përveç opinionit për rrogat e larta të udhëheqësve, ka anatemuar Vito Kapon, duke përçmuar fjalën e saj mbajtur disa ditë më parë në Kuvendin Popullor. E zënë ngushtë, regjisorja e re pranon autorësinë e deklaratave dhe përpiqet të justifikohet me shprehjen se kanë qenë sjellje emocionale të çastit. Mirëpo, nuk ndodh kështu me Viktor Stratobërdhën, i cili mohon të ketë thënë se Enver Hoxhës në Konferencë i thyen hundët, siç e akuzonin në mbledhje. Sakaq, Manush Myftiu humbet durimin dhe i kthehet me ton të ashpër: “Konferenca theu turinjtë e tu e të komplotistëve si puna jote, jo ata të Enverit”. Pjesa në vijim e debatit fokusohet në penalizmin e kineastëve që kanë kërkuar rehabilitimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut dhe atyre që janë shprehur për gjendjen e mjeruar të ekonomisë shqiptare. Në fund, dokumenti i mbledhjes së jashtëzakonshme të Partisë përmban rezultatet e votimit mbi masat e propozuara për komunistët rebelë. Dy ndër ta, Nesti Zoto dhe Viktor Stratobërdha, marrin dënimin maksimal, duke u përjashtuar nga Partia, ndërkohë që Niko Theodhosi, Petraq Lubonja, Xhanfize Keko, Abaz Hoxha, Dhimitër Lalo dhe Shkëlzen Shala ndëshkohen me vërejtje të rëndë…

MANUSH MYFTIU: Unë të dëgjova ty Nesti, por nuk të kuptova në përgjigjet që më dhe…

NESTI ZOTO: Pyetjet që bëra në Konferencë, mendoja se qenë të drejta, por i deleguari i Partisë në Konferencë më sqaroi se këto ishin shumë të dëmshme. Këto kanë ardhur nga influenca që kam pasur për shkak të bisedave që kam bërë me shokët jashtë. Unë i bëra këto pyetje, pasi pashë se edhe të tjerë në Konferencë, si delegat i “Zërit të Popullit”, ai i Institutit të Lartë, kishin po të njëjtat pyetje. Po ta kisha dëgjuar më parë diskutimin e shokut Enver, nuk do t’i kisha bërë ato. Unë prej 13 vitesh e kam lidhur jetën me Partinë. Përjashtimi nga Partia për mua është pushkatim.

MANUSH MYFTIU: Po ti Viktor, që ke ligjëruar pa doganë, çfarë mendon lidhur me masën që ka propozuar Byroja?

VIKTOR STRATOBËRDHA: Nuk e kisha provuar kurrë se sa tragjike është kur të propozojnë për t’u përjashtuar nga Partia. Këtu u thanë shumë fjalë fyese për mua…

MANUSH MYFTIU: Po shokët e tjerë çfarë mendojnë?

XHEVAT BEHRI: Jam dakord me masat e propozuara. Këto probleme, këta shokë i kanë biseduar edhe më parë në studion e punës. Kur doli çështja e kultit të individit të Stalinit, unë jam pyetur nga Viktori se çfarë mendoja për Koçi Xoxen. Unë i thashë se Koçi Xoxe ka qenë kriminel, se ka vrarë njerëz, por ai kishte tjetër opinion për Koçin. Në atë mbledhje bëra edhe unë pyetjen për çmobilizimin e 9000 oficerëve, duke u shprehur që kjo masë nuk kishte influencuar në mirëqenien e popullit.

Majtas, Xhanfize Keko. Djathtas Vito Kapo

PETRAQ LUBONJA: Në mbledhjen e mbajtur para Konferencës, kemi bërë pyetje të tilla që nuk mund të imagjinohen. Nuk na shkonte në mendje se ato do të çorientonin Partinë. Aty kam bërë edhe unë një pyetje. Kam krijuar pakënaqësi kundrejt Komitetit të Partisë për një hall personal. Banoj 5 vjet në një hotel dhe e kam ndjekur rrugën hierarkike për një banesë. Pushteti nuk ma ka zgjidhur. I jam drejtuar shoqes Fiqirete Shehu, por ajo nuk më ka pranuar. Kam shkuar në KQ te shoqja Liri Belishova, ajo më ka thënë se nuk kam se ç’të bëj.

MANUSH MYFTIU: Ti Petraq, nuk e kupton gravitetin e fajit që është bërë në Konferencë? Ti je revoltuar nga hoteli, se nuk ke një dhomë, diçka e vogël personale. Po për atë shokun, që ka thënë se ia thyen hundët Enverit në Konferencë, pse nuk je revoltuar ti? Qëndrim është ky? Apo si ajo sjellja e Xhanfize Kekos, që ju i thoni Xhafo, e cila përçmon fjalimin e shoqes Vito Kapo?

PETRAQ LUBONJA: Jam revoltuar, por tani këto gjëra…

MANUSH MYFTIU: Ta mbyllim për sot dhe t’u japim kohë shokëve të reflektojnë. Nesër le të diskutojmë më shtruar. Se nuk bëhet fjalë për ndonjë dhomë hoteli apo për ndonjë shtesë në rrogë, por për gjëra shumë më të mëdha e të rëndësishme.

Protokoll

Mbledhja e datës 24 prill 1956

Merr pjesë i deleguari i KQ të Partisë, kandidati i Byrosë Politike, shoku Manush Myftiu. Marrin pjesë gjithashtu shokët Seit Bushati, sekretar i KP qytetit të Tiranës, Myfit Vigani, instruktor i KP të Tiranës dhe Vaskë Aristidhi nga Drejtoria e Agjitacionit të KQ.

MANUSH MYFTIU: Besoj se shokët janë thelluar. Në organizatat e tjera janë marrë masa të rrepta ndaj elementëve që deshën të shkatërronin Konferencën e Tiranës. Për më kryesorët janë marrë edhe ndëshkime penale. Sigurimi i Shtetit po i zbulon më tej fijet e këtij komploti. Pa e zgjatur, kush e do fjalën?…

PETRAQ LUBONJA: Unë pyetjet që bëra, i bëra aty për aty dhe nuk i bëra me qëllim. Kam thënë që udhëheqësit jetojnë në Bllok dhe marrin ushqime me çmime të lira, këtë e kam dëgjuar nga Xhanfize Keko. Po kështu, edhe për çështjen e rrogave, që u janë ngritur udhëheqësve. Sa për atë që thotë Viktori se Enverit i kanë thyer hundët në Konferencë, kjo është e rëndë. Viktori është mendjelehtë dhe e dënoj. E dënoj me forcë. Ku e pa ai që i thyen hundët shokut Enver?

MANUSH MYFTIU: Në Konferencë shoku Enver u theu hundën komplotistëve, por ja që ka shpëtuar ndonjëri këtu te ju…

NIKO THEODHOSI: Në mbledhjen që bëmë para Konferencës, në fakt unë nuk kisha ndërmend të bëja ndonjë pyetje, por atmosfera e krijuar më bëri të drejtoja një pyetje jo logjike. E pranoj gabimin e bërë dhe sot e çmoj se këto ishin të dëmshme për Partinë.

ENDRI KEKO: Nesti ka humbur besimin tek udhëheqësit e Partisë, ndërkohë që e ka orientuar veten pas ndonjë shoku që ka rënë në burg. Rrethi i tij ka qenë borgjez dhe i sëmurë. Nesti e ka vlerësuar veten e tij si njeri me vlerë më të madhe nga të tjerët. Me ardhjen e Viktorit, këto vese i janë dukur më shumë. Ka dhe një sëmundje tjetër Nesti; Në xhirimin e filmave aktivizon njerëz imoralë. Ardhja e Viktorit i ka ndarë më dysh njerëzit këtu në studio: dokumentaristë dhe artistikë. Në njërën anë Viktori, Abazi, Xhevati, Dhimitri dhe në anën tjetër dokumentaristët. Kam edhe diçka tjetër për Viktorin. Ai e ka shprehur hapur se nuk ka konsiderata për filmat sovjetikë. Në prezencë të shokëve të tjerë, ai më ka thënë se kinematografia italiane është shumë më e përparuar se ajo sovjetike. Nesti e ka dëgjuar këtë dhe ka vënë buzën në gaz. Është diçka e thellë kjo…

ABAZ HOXHA: Unë kam bërë pyetje për Sejfulla Malëshovën dhe Ymer Dishnicën, për Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Kjo është e vërtetë, por këto pyetje kanë qenë spontane. Jam ndikuar nga artikulli në gazetën polake. Kemi folur edhe më parë për këto çështje me shokët. Kemi biseduar që pse problemi i Bedriut dhe Tukut nuk u shtrua në Parti. Për Ymer Dishnicën dhe Malëshovën pyeta duke u nisur nga Gomulka, sepse dhe ai është oportunist, por u lirua nga burgu dhe më vonë u sqarua çështja. Për Nestin mendoj që të mos e përjashtojmë, por t’i japim dhe një herë dorën. Sa për Viktorin, jam dakord që ta përjashtojmë nga Partia. Ndërkaq, kam një vërejtje për diskutimin e Endri Kekos. Ai për mua është një diskutim demagogjik. Kam bindjen se ai shfrytëzoi rastin për të goditur Nestin.

XHANFIZE KEKO:Ta themi hapur. Pakënaqësitë kanë ekzistuar te të gjithë shokët. Kjo në lidhje me rrogat dhe shtrenjtësinë e tregut. Prej këtej jemi futur në qorrsokak. Unë për vete kam ngritur çështjen e ligjit të nënave, për ligjin e sigurimeve shoqërore, i cili më është dukur jo i drejtë. Si nënë që jam, unë e gjeta pa vend fjalën që mbajti Vito Kapo në Kuvendin Popullor për nenin që fliste për nënën dhe fëmijën. Ajo foli sikur të jemi në parajsë për mirëqenien. Prej këtej, më doli ajo shprehja që i ngopuri nuk e mendon të uriturin. Unë mendoj që shokut Nesti t’i japim dhe një herë dorën.

ANDREA MËHILLI: Kam bërë vetëm një pyetje: Pse kritika nuk arrin deri te drejtori dhe më lart? Sa për Viktorin, ai ka bërë gabim që ka përçmuar shokun Enver dhe për këtë nuk e meriton të jetë në Parti.

JANI NANO: Jam dakord që këta dy shokë të përjashtohen nga Partia.

ILO PANDO: Viktori ka thënë se Dashnor Mamaqin, në mbledhjen e shkrimtarëve e kanë bërë leckë. Po kështu, ka thënë se artikulli i shokut Enver nuk është i mirë.

MANUSH MYFTIU: (Nesti Zotos)Pse keni kërkuar mbledhjen e Partisë dy orë para Konferencës dhe kush ju tha? Pse nuk i çuat të gjitha pyetjet në Konferencë?

NESTI ZOTO: Unë mora vesh se dy ditë më parë ishte bërë një mbledhje në Institutin e Shkencave dhe në Zërin e Popullit. Të nesërmen në mëngjes, me të ardhur në zyrë, i propozova sekretarit të organizatës që të bëhej një mbledhje e tillë dhe në organizatën tonë. Aty pastaj u bënë ato pyetjet që janë në protokoll. Lidhur me Viktorin e dënoj qëndrimin e tij, sidomos atë që ka thënë për shokun Enver…

MANUSH MYFTIU: Të pyeta dhe një herë dhe nuk m’u përgjigje, pse nuk i ke ngritur në Konferencë të gjitha pyetjet që u bënë në mbledhjen e organizatës?

NESTI ZOTO: Unë pyetjet që shtrova, i shkrova me shpejtësi nga blloku që kisha mbajtur shënime në kohën që isha në Konferencë. Disa pyetje nuk m’u dukën me vend si ajo për Sejfulla Malëshovën dhe nuk i regjistrova e nuk i ngrita. Një pjesë të pyetjeve që bëra, i kisha konsumuar edhe me miqtë e mi të “Zërit të Popullit”, si dhe me Luan Omarin e Agron Frashërin. Unë nuk e njihja veten kështu siç diskutohet sot. Me të vërtetë që kam qenë një njeri me të meta, por ato që më adreson Endri më duken të zmadhuara. Mua nuk më lidh asgjë me elementët armiq të Partisë.

VIKTOR STRATOBËRDHA: Unë i shikoj me vend të gjitha vërejtjet që bëjnë shokët dhe e aprovoj ndëshkimin për t’u përjashtuar nga Partia. Në analizën që i kam bërë vetes, kam pyetur në mos këto kanë ardhur nga pakënaqësia, por kjo nuk ka qenë tek unë. Atëherë, ku e kanë burimin këto sjellje e qëndrime? Këtë ende nuk e di. Ndoshta nga shtresa ime familjare ose nga bisedat që kam bërë me shokët e mi A. Frashëri, L.Omari dhe K.Nova. Për sa i përket punës armiqë- sore dhe çorientimit të Konferencës së Partisë që e cilësuan shokët, unë e them sinqerisht se nuk kam pasur asnjë qëllim armiqësor dhe antiparti, megjithëse të gjitha këto që kam folur kanë qenë antiparti. Që sot, unë jam njeri pa Parti, por premtoj se do të jem njeri i ndershëm pranë Partisë. Partia le të shikojë punën time…

SHKËLZEN SHALA: Besoj se nuk ka ndonjë diskutim tjetër. Ju ftoj të hedhim në votë propozimin e Byrosë së Partisë. Byroja propozon të përjashtojë nga Partia shokët Nesti Zoto dhe Viktor Stratobërdha. Kush është dakord? (Votojnë për përjashtimin nga Partia 22 veta. Tre ndër ta propozojnë që Nesti Zoto të ndëshkohet me vërejtje). Po ashtu, organizata aprovon propozimin që shokët Niko Theodhosi, Petraq Lubonja, Xhanfize Keko, Abaz Hoxha, Dhimitër Lalo dhe Shkëlzen Shala të dënohen me vërejtje me shënim në protokollin e organizatës.

MANUSH MYFTIU: Disa shokë ranë në çorientim. Këta njerëz nuk i bënë këto gjëra në mënyrë spontane. Këta njerëz deshën të reviziononin vijën e Partisë dhe ta zëvendësonin me një vijë tjetër oportuniste. Por, Partia do t’u tregojë vendin që meritojnë. Kush s’e meriton, do të flaket nga Partia pa hezitim. Kush e ka trashur zullumin, do të shkojë edhe në burg. Se nuk flasim për gjëra të parëndësishme. Këta elementë deshën të godasin vijën e Partisë dhe KQ dhe të turbullojnë situatën, të shtyrë kuptohet nga agjentura të huaja. Organizata e Kinostudios është treguar shumë miope. Këtu ka një çerdhe reaksioni. Kineastët ishin ideatorët e komplotit në Konferencë. Vigjilenca juaj ka qenë e dobët. Do të na duhet edhe ne si Komitet Partie të operojmë më thellë me organizatën tuaj dhe kolektivin e Kinostudios. Ky është vetëm hapi i parë i reflektimit për atë që ndodhi. Partia do t’i tregojë vendin jo vetëm Nestit e Viktorit, por gjithkujt që i kundërvihet vijës së saj, që përgojon udhëheqjen e lartë…

SHKËLZEN SHALA: (Lexon telegramin e përgatitur nga Byroja e organizatës bazë drejtuar Komitetit Qendror të Partisë) A ka ndonjë vërejtje nga shokët lidhur me telegramin?

VIKTOR STRATOBËRDHA: Nuk jam dakord me fjalën pikëpamje karrieriste, që thuhet në telegram për mua dhe Nesti Zoton. Nuk ka lidhje këtu fryma karrieriste. Ne bëmë disa pyetje, sado të gabuara, siç u tha këtu, jo për t’u rritur në detyrë, por ashtu i menduam…

MANUSH MYFTIU: Kështu e shikon ti e ndonjë tjetër, por për Partinë është më shumë se karrierizëm sjellja dhe qëndrimi juaj. Partia do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe me siguri do dalë diçka më e rëndë se kaq…

SHKËLZEN SHALA: Tjetër pyetje, kush ka?

MIHALLAQ ÇARKA: Nuk jam dakord me shprehjen e formuluar në telegram, sipas së cilës ky nuk ka qenë zëri i organizatës. Nesti në Konferencë ka shpurë ato pyetje që miratuam në mbledhjen e organizatës…

SHKËLZEN SHALA: Nuk ka qenë zëri i organizatës shoku Mihallaq, sepse Nesti nuk shpuri në Konferencë të gjitha pyetjet që u bënë nga ne, por ato që i interesonin atij. Për këto çështje më duket se biseduam për dy ditë me radhë. A nuk ishe ti këtu, apo rrahëm ujë në hava…

VIKTOR STRATOBËRDHA: Unë këmbëngul që në telegram nuk duhet vënë fjala për qëllime karrieriste…

SHKËLZEN SHALA: Ashtu siç doli nga analiza dyditore që bëmë këtu, nuk ka asnjë dyshim se ju keni pasur qëllime karrieriste armiqësore. Tani kush është dakord me tekstin e telegramit? Miratohet (votojnë kundër Nesti Zoto dhe Viktor Stratobërdha)!

MIHALLAQ ÇARKA: Unë e tërhoqa vërejtjen time…

SHKËLZEN SHALA: Së fundi desha të këshilloj shokët që çështjet e shtruara këto dy ditë në mbledhjen e organizatës të mos bëhen objekt bisede lart e poshtë. Situata është shumë delikate. Kemi dëgjuar këto ditë njerëz të ndryshëm të interesohen për të ditur se cilët nga komunistët votuan kundër për përjashtimin e Nestit dhe Viktorit. Këto janë çështje të rëndë- sishme dhe duhen trajtuar me pjekuri politike. Situata që kalon Partia është e rëndë, prandaj duhet kujdes e maturi..

Mbajtësi i protokollit

Xhavit Behri

Sekretari i organizatës Shkelzen Shala

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura