“Rezistencë e përballje”, Basha: Nuk do ketë as kompromise tavolinash, as pazare

Apr 14, 2019 | 9:36

BAsha-bertet

ARISTIR LUMEZI/ Kreu i opozitës, Lulzim Basha, bëri thirrje për rezistencë dhe kryengritje demokratike sipas standardeve amerikane dhe europiane. 

Gjatë fjalës së tij dje pasdite, para Kryeministrisë, në protestën e nëntë të opozitës, Basha u shpreh se kusht i patjetërsueshëm i saj është qeveri tranzitore pa Edi Ramën. “Nuk ka e nuk do të ketë as pazare politike, as kompromise tavolinash me këtë aspiratë europiane. Kushti i patjetërsueshëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën. Largimi një orë e më parë, largimi i panegociueshëm i Edi Ramës është diktati i sovranit të bashkuar. Ditë përditë e natë përnatë, në sheshe të tejmbushura si ky, në çdo qytet e fshat, rezistencë e përballje, kryengritje demokratike. Rama ik! Asgjë më pak se standardet europiane, asgjë më pak se standardet amerikane. Ky është zotimi ynë”, tha Basha.

APELI

Duke e cilësuar si protestën më të madhe të zhvilluar ndonjëherë, Basha i kërkoi Kryeministrit dhe qeverisë së tij të dëgjojë mesazhin e popullit që vjen nga kjo protestë. “Dëgjojeni mesazhin e popullit: Liri a vdekje, demokraci a vdekje! Ju bëj thirrje, vëllezër e motra të Policisë së Shtetit, hidhini kapelet, bashkohuni me ne! Rama ik! Kjo betejë do të ketë vetëm një përfundim. Ajo do të zgjidhë dilemën të jetë a të mos jetë Shqipëria europiane”, tha Basha. Sipas tij, beteja e opozitës është për Shqipërinë e punës dhe të drejtësisë.

“Dy Shqipëri përballë njëra-tjetrës. Shumica, pa punë, pa siguri, pa shpresë, e dhunuar, pa mbrojtje ligjore, me një pakicë derrash të majmur, armiqsh të popullit shqiptar, oligarkë, kriminelë, politikanë të korruptuar. Këto dy Shqipëri nuk qëndrojnë dot më bashkë. Njëra do të qëndrojë, tjetra do të ikë, tjetra do të zhduket. Le të betohemi sot në këtë muzg të tiranisë dhe në këtë lindje të lirisë dhe Shqipërisë europiane, se Shqipëria që do të qëndrojë, është Shqipëria e shumicës. Kurrë më të përjashtuar nga drejtësia, kurrë më nën darën e papunësisë e të varfërisë. Asnjë hap prapa, asnjë hap prapa! Ushtri e lirisë, kryengritje demokratike. Ju jeni drejtësia, ju jeni shteti”, tha Basha gjatë fjalës së tij.

NDËRKOMBËTARËT

Opozita, sipas Bashës, kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç ndodh nëçdo vendeuropian, duke i dhënë një përgjigje dhe faktorit ndërkombëtar për kërkesat e opozitës. “Sot është dita të mos bëj më kompromis me aspiratën. Kurrë më, asgjë më pak se standardi europian për zgjedhje të lira e të ndershme. Kurrë më, asgjë më pak se standardet perëndimore për drejtësi, që nuk i mbron, pori ndëshkon politikanët e kapur si Edi Rama dhe banda e tij kriminale, duke edhur votën e shqiptarëve. Kurrë më, asgjë më pak se standardet europiane të konkurrencës, të lirisë, të ekonomisë që hap vende pune me paga të larta dhe kushte dinjitoze për shqiptarët dhe Shqipërinë tonë të dashur”, u shpreh Basha. Ai e cilësoi Kryeministrin Rama kufomë politike.

“Ne jemi në këtë betejë, që të garantojmë që kurrë më vota juaj të mos dhunohet, të blihet dhe shantazhohet nga krimi i organizuar, që kurrë më taksat tuaja, pasuritë e vendit, shtëpitë tuaja të mos vidhen dhe prishen për të përfituar një grusht oligarkësh. Ne jemi këtu të gjithë bashkë, jo thjesht për të larguar Edi Ramën, sepse Edi Rama ka mbaruar, Edi Rama është një kufomë politike. Ne jemi bashkë për të varrosur fenomenin Rama dhe së bashku për të themeluar bashkëjetesën demokratike të standardeve dhe vlerave europiane”, tha Basha në fjalën e tij në protestën e opozitës.

© Panorama.al

Te lidhura