Para disa ditëve u gjenda në vështirësi për t’iu përgjigjur një pyetjeje. Këto kohët e fundit mora një kopje të librit “Njeriu i ri shqiptar – Përmes moralit komunist dhe krizës së tranzicionit”, të autorit Albert P. Nikolla, shkrue në gjuhën italishte.
Tema që trajtohet sistematikisht nga dr. Nikolla ashtë relativisht e pastudjueme dhe gjindet ma së shumëti në studime të shkurta me synime të kufizueme. Libri që na paraqitet ka qenë një revelim për mue – “krijimi” me dhunë dhe artificialitet i “njeriut të ri shqiptar” nga regjimi komunist në Shqipëri.
Kjo temë ka terheqë vëmendjen time për shumë dekada, dhe pyetja “ç’ashtë njeriu i ri?” ka gjetë përherë përgjigjen e preme: ai ashtë një monstruozitet i shekullit 20, një boshllëk i madh moral, dhe një robot që ka heqë dorë nga nevoja intrinseke e çdo qenie njerëzore me qenë i lirë dhe me farkëtue me duert e veta një jetë që plotëson kërkesat e tij si individ dhe si pjesëtar i shoqënisë civile të qytetnueme në mes të së cilës ai jeton.
Ashtu siç e spjegon edhe autori, fatkeqësia e dytë për “njeriun e ri” ashtë se boshllëku i krijuem u zevendsue me pseudo-vlera që çoroditen plotësi-sht personalitetin e qytetarit shqiptar, shkatërruen edhe gjurmën ma të vogël të traditave shekullore shqiptare dhe përfunduen në një rrugë pa fund, në një “qorrsokak” ku ai mbeti i gozhduem për 45 vjet me radhë pa shpresë lirimi dhe në gjendje të një skllavërie të tejskajshme.
Ky ka qenë predispozimi im kur fillova leximin dhe mund të them se autori ka rikonfirmue këto ide fikse të miat, por me një aftësi dhe rigorozitet shkencor që e nderon.
Lexova citatin e Solzhenicin-it dhe më kujtoi thanjen time “Komunizmi? Regjim terrori dhe kulture e gënjeshtrës”. Krahas çdo të persekutuemi gjindet një gënjeshtër, shpeshherë fatale që e ka fundosë. Të gjithë e dinë; të paktë janë ata që shprehin keqardhje.
Paraqitja fillon–korrekt–nga premisa “ …librat e botuem gjatë regjimit (komunist) janë thelbësisht fals” sepse në fakt ata përgatisin “l’uomo nuovo” (njeriun e ri), një gënjeshtër e madhe, njeriun që nuk ashtë tjetër veçse një “pjesëtar i nomenklaturës, kriminel, i pamëshirë, gënjeshtar dhe servil”, një situatë që gjanësisht mbizotënon edhe në pluralizmin politik të mbas 1990-s.
Gjithçka për Partinë… “asgja për familjen, as dinjitetin njerëzor, as respekt për jetën, as të drejtën e pronës private”. E gjithë kjo sjell një shoqëni, ku “njeriu i ri” nënshtrohet absolutisht, tue i mohue vetes kështu të drejtën me qenë i lirë – përgjegjës për aktin e vet. Me qenë i lirë don të thotë me pranue plotësisht përgjegjsinë e aktit tand. Kjo ashtë dilema për të gjithë, por sidomos e intelektualit, e njeriut që ka nevojë për ide të reja, për zbulime… dhe rreziku që ai paraqet “puna e intelektualit konsiderohet e rrezikshme për shoqëninë”, shqip “armik i popullit”.
Trajtimi i “il non-uomo” (jo-njeriu) të persekutuemet dhe “magjypët” ashtë i fortë, tronditës dhe instruktiv. Ky kapitull më ka ringjall kujtime që përpiqem të harroj pa sukses. Si një individ që ruen “…të gjitha mbeturinat borgjeze” (sic!) unë u quejta i rrezikshëm për masat që nuk mendojnë lirisht, skllavet mesjetare të shekullit 20 që meritojnë me qenë “…të shtrënguem me punë të detyrueshme” deri ne vdekje….!
Ashtë e vështirë “me përmbledhë” nga ky libër i thuket, landa e të cilit ashtë esenca e një problemi të gjanë e masiv, ku disa mendojnë se vetëm “Kalashnikovet” e zgjidhin, sepse komunistët nuk ndryshojnë vesin. Sot, në Shqipëri, “shpërndahet falsiteti dhe mbretnon frika”.
Përcaktimi: “Njeriu i ri ka fitue lirinë me veprue, por nuk ashtë çlirue nga bindja e fitueme në indoktrinimin e procesit të gjatë të formimit tij” ashtë me randësi thelbësore; sepse shihet qartë e çdo ditë në Shqipëri që nga kupola qeveritare deri te dyqanxhiu ma i thjeshtë. Gjithashtu, “…falë monopolit të burimeve njerëzore të ruejtuna në fshehtësi, të kontrollueme me xhelozi gjatë regjimit dhe mbas ramjes se tij nga partitë e së majtës…” (unë do të shtojshe “edhe të së djathtës false”), sot kemi “…të pabesët e djeshëm që kanë zanë vend mirë (në pushtet); “klasa e re” gjilasiane post-komuniste, do të thojshe unë. Me qenë se Europa nuk lejon zbatimin e një terrori të ri, në Shqipëri kemi sot “në Shqipërinë post-komuniste (një situatë ku) duket sikur përqafohet një model etik utilitar”, don të thotë spekulimin e hapët dhe të pranuem në shoqëni…!
Përcaktimi: “…tue përdorue dhunën nuk u sigurue një besnikëri efektive” sjell në mend shprehjen e At Anton Harapit: “O me kobure në gjoks nuk bahet ai tjetri vëlla, por hipokrit ose mizuer”. Këtu mohohet “mundësia efektive e zgjedhjes” mohohet esenca e shoqënisë së vërtetë e autentike, ku njerëzit janë “persona”, e jo robotë të drejtuem nga qendra (Partia).
Ky ashtë edhe një aspekt i tragjedisë së shoqënisë shqiptare sot. Një qeveritar që nuk ka besim te qytetari e një qytetar që nuk ka besim te qeveritari. Kjo dikotomi fatale, po të vazhdojë, do të sjellë vdekjen morale të shoqënisë civile shqiptare. Shenjat e para janë refuzimi ose indiferenca me votue për elemente që nuk gëzojnë besim. Gjindemi para një dileme ekzistenciale: ose një shoqëni civile autentike e fortë e një qeveri të dobtë, ose një qeveri të fortë dhe një shoqëni civile shqiptare të dobtë. Për sa kohë që nuk do të kemi fitoren e së parës – shoqënia autentike civile – “njeriu i ri” shqiptar nuk do të gjejë rrugëdalje të pranueshme.
Fatkeqsisht, një pjesë e mirë e shqiptarëve pranoi regjimin e terrorit komunist për bindje, oportunizëm e sidomos nga frika e madhe e persekutimit që ai regjim ushtroi. Prandej sot “…ka elementë të gatshëm me tregue përsëri egërsinë që kanë trashëgue nga komunizmi”. Të mbështetun në strukturën e organizimit partiak – si pjesëtarët e një klani, “…ata paraqesin rrezikun e vërtetë në shoqëninë e tranzicionit, si dhe pengesën ma të fortë të marshit drejt një demokracie autentike”. Ky përcaktim ndigjohet çdo ditë dhe në çdo vend ku qytetarët tregojnë me gisht udhëheqsit lokalë e kombëtarë, ish-anëtarë të regjimit të terrorit komunist.
“Të jesh i sigurt. Komunistët nuk ndryshojnë!”. Kjo spjegon përse nuk ka pasë sukses gjykimi i krimit dhe kriminelit komunist që mbetet akoma në fuqi në Shqipëri; përkundrazi, një qëndrim i këtill transformoi në komedi tragjedinë e madhe të popullit shqiptar. Pushteti gjyqsor në Shqipëri ka qenë dhe mbetet simbol i korrupsionit – anti-drejtësi, anti-demokraci. Ky orientim, oportunist dhe materialist, “…po i jep formë fetyrës së rendit të ri demokratik” (I. Kadare).
Sot, nëse Shqipëria synon me ndërtue një të ardhme premtuese, duhet të fillojë me kundrue e me denoncue ndershmënisht të kaluemen e saj të afërt, sidomos periudhën kur disidenti quhej i pabesë sepse refuzonte me veshë rrobën e re e të detyrueshme të “njeriut të ri” të shnjerëzuem shpirtënisht e moralisht.
Dr. Nikolla meriton përgëzimet tona për një punë me vlerë. Ai ashtë në prakun e një karriere që sjellë përfitim për të gjithë shqiptarët, tue përfshi edhe “fajtorët”.
© Panorama.al












