Libri i Servet Pëllumbit për sekretet e Katovicës: Kush ia rekomandoi Ramizit Berishen? Pakti me Nanon në Trieste i dha fitoren PD-së

Apr 29, 2015 | 11:29
SHPËRNDAJE

Servet Pëllumbi rikonfirmon “Katovicën”. Dy vjet pas publikimit të një dokumenti, që sipas tij, ishte faksimile e skeletit të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike për trashëgiminë e pushtetit komunist të Fatos Nanos dhe Sali Berishës, ish-kryeparlamentari vjen me një libër të plotë rreth këtij debati. 

Servet Pëllumbi

Titullohet “Përmbysja e Komunizmit” dhe vjen nga Shtëpia Botuese UET-Press, në kuadër të Ditëve të Studimeve Shqiptare, aktivitet që këtë vit iu kushtua pikërisht tranzicionit. Botimet në kuadër të studimeve shqiptare për tranzicionin, në prag të 25 vjetorit të tij, kanë nisur nga UET-Press me botimin e para disa muajve të analizës së tranzicionit nga pikëpamja ekonomike e Prof.Dr. Adrian Civicit “Tranformimi i Madh, nga Plani drejt Tregut” dhe vijon me botimin e librit me refleksione, kujtime dhe analiza të profesor Servet Pëllumbit.

Ditët e Studimeve Shqiptare të mbajtura më 24-26 prill në UET sollën këndvështrimin e studiuesve të huaj dhe shqiptarë për tranzicionin shqiptar, tiparet dhe të përbashkëtat me vendet e tjera të Lindjes dhe problematikën që e ka shoqëruar. Gjatë kësaj konference ndërkombëtare u theksua se ka ardhur koha për një këndvështrim shkencor shqiptar në këtë kuadër dhe UET po sjell kontributin e tij me botimin e disa librave që do të jenë pjesë e kolane të posaçme kushtuar tranzicionit.

Po si i analizon faktet dhe dëshmitë për tranzicionin dhe konkretisht për “Katovicën” Pëllumbi? Ndiqni disa pjesë të shkëputura nga libri i tij i ri, ndërkaq ju kujtojmë se Pëllumbi ka qenë një nga aktorët e reformimit të së majtës, me funksione të rëndësishme politike: ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në shumë legjislacione dhe, aktualisht, drejtor akademik i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, duke u bërë kështu një figurë emblematike e tranzicionit…

PJESË NGA LIBRI “PËRMBYSJA E KOMUNIZMIT” I SERVET PËLLUMBIT

A ISHTE “KATOVICA” DIRIGJIM I PËRMBYSJES SË MADHE?
Në vjeshtën e vitit 2014, në ish-vendet komuniste u përkujtua 25-vjetori i revolucioneve demokratike, sidomos në Çeki, Rumani e Bullgari, që bashkë me Poloninë tash disa vjet, janë integruar si vende anëtare të Bashkimit Europian. Në takimin e zhvilluar në Bukuresht merrnin pjesë dhe dy ish-presidentë të Shqipërisë, që u përkasin krahëve të kundërt politikë, Sali Berisha (PD) dhe Rexhep Meidani (PS).

Të dy folën në takim dhe vlerësuan revolucionet demokratike që ndodhën 25 vjet më parë në Europë, kurse për Shqipërinë, S. Berisha foli për rrezikun e rikthimit të komunizmit në Shqipëri nëpërmjet rikthimit të figurës së Enver Hoxhës. “Në të vërtetë,- deklaroi Berisha, Muri i Berlinit ishte muri më i gjatë, më i trashë, dhe më i lartë në historinë e njerëzimit që shtrihej nga kanali i Korfuzit në gadishullin e Kamçatkës dhe segmenti i tij, më i trashë, më i lartë dhe më i gjerë ishte ai i Shqipërisë. Komunizmi ishte padyshim eksperimenti më tragjik në tërë historinë e njerëzimit” (Bot. në Panorama, 21 nëntor 2014).

Një shtrim i tillë i problemit në një konferencë ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë disa nga protagonistët që janë gjallë si Gorbaçov, Valesa etj., vetvetiu hap përsëri edhe temën aq të diskutueshme të Katovicës, në raport me “Murin e komunizmit nga kanali i Korfuzit, në gadishullin e Kamçatkës për të përfunduar sipas Berishës, te muri më i lartë dhe më i gjerë, ai i Shqipërisë”. Si u rrëzua ai, si i thonë fjalës, “me një të shtyrë”? …Plani apo strategjia e njohur më pas si “Katovica”, i hartuar nga grupi i Rizhkovit, siç pohon ai vetë, ishte “vepër” e protagonistëve të Perestrojkës që filloi të qarkullojë si material sekret i brezit të ri të politikanëve kundër bolshevikëve të vjetër, veteranëve konservatorë.

Në këtë grup bënin pjesë Gorbaçovi, Rizhkovi, Jelcini dhe të tjerë… “Ne”, shkruan Rizhkov, “filluam të merremi me ekonominë dhe me këtë filloi Perestrojka, në vitin 1985, ku praktikisht u shfrytëzuan përfundimet e programit që bëmë në vitet 1983-84. Të mos kishim kaluar në këtë do të kishte qenë më keq!”, përfundon ai. Përfundimi që vërtetohet: ajo që thuhet për rolin e Andropovit në përpunimin e strategjisë reformuese të dirigjuar nga komunistët me emrin, mbase kod, Katovica, nga i cili ka përfituar edhe Ramiz Alia dhe prej tij më pas Berisha e Nano dhe të tjerë në Shqipëri, ku “muri” i komunizmit paska qenë sipas Berishës, “më i larti dhe më i trashi”!

***
Me shqetësimin “po na ikën pushteti”, më 22-23 janar 1990, u mblodh Plenumi i IX-të i KQ të Partisë. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë në raport me socializmin, apo që përmbysja e “komunizmit” në vendet ish-socialiste të Europës të mos kish të bënte me Shqipërinë, edhe në këtë plenum u fol me një gjuhë dogmatike dhe optimizmi shterpë.

“T’u bëjmë ballë presioneve të jashtme të borgjezisë dhe reaksionit ndërkombëtar, që siç tregojnë ngjarjet e lindjes Europiane, tha R.Alia në fjalën e tij, synojnë të shkatërrojnë socializmin e të rikthejnë rendin e shtypjes e të shfrytëzimit, të likuidojnë lirinë e fituar dhe të zhdukin pavarësinë e sovranitetin kombëtar të Shqipërisë”. Pas parullave demagogjike si ato për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për pluralizmin politik e për zhvillimin e demokracisë etj., vazhdoi ai, “shihet synimi kundërrevolucionar i reaksionit dhe i borgjezisë për t’i rrëmbyer popullit lirinë dhe pavarësinë e tij”. (AQSH. Fondi 14/AP, ou dosja 1).

Po në këtë plenum, Ramiz Alia u shpreh, se në Shqipëri nuk kishte një traditë të pluralizmit dhe se hegjemonia i takonte PPSH-së. Gjithë meraku i tij ishte që ndërtesa e re politike pluraliste të mos ngrihej jashtë hijes së tij dhe të njerëzve rreth tij, ndryshe nuk ishte i sigurt për të. Këtë përvojë e njihte mirë dhe besoj, nuk ishte e rastit që fillimisht, siç thuhet, materiali për strategjinë e Katovicës i erdhi nga Jugosllavia! Po kështu nuk mendoj se ishte e rastit që R.Alia në këtë plenum e vë theksin kryesisht mbi veçoritë e Shqipërisë.

Lidhur me këtë ai theksoi: Partitë e shumta në lindje e kanë bazën te ndryshimet e thella social-klasore që kanë ekzistuar dikur dhe që u ringjallën e u thelluan në vitet kur në fuqi qenë revizionistët. Atje shoqëria u diferencua dhe u shkallëzua, u polarizua, lindën klasa dhe shtresa me interesa të ndryshme që objektivisht nuk mund të gjenin strehë dhe të përfaqësoheshin nga një parti që nuk ishte e tyre. Tani secili prej këtyre grupimeve kërkon pjesën e vet në pushtet.

Ne jemi deklaruar për hegjemoninë e Partisë së Punës, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky është një kusht bazë për ndërtimin socialist që përputhet edhe me rrethanat objektive të vendit tonë… “Në kushtet e vendit tonë,- vazhdoi ai, thirrjet e borgjezisë ndërkombëtare për pluralizëm partish duan të thonë ringjallje e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit, ose krijim i organizatave të tjera të ngjashme politike, antisocialiste e antikombëtare. Kjo nuk do të ishte shprehje e demokracisë, por mjet për dobësimin e unitetit kombëtar dhe krijimin e kushteve për shkatërrimin e socializmit”(AQSH., Fondi 14/AP ou. dosja.1)

Pra, kreu i PPSH-së bëri ndarjen e prerë: Në Shqipëri nuk do të lejohet të ndodhë ajo që ndodhi në vendet ish-socialiste të Europës! Duke mbyllur çdo shteg për pranimin e pluralizmit politik, R.Alia parashtron në plenumin e IX-të të KQ të PPSH-së një variant tjetër të tezës: “Shqipëria as Lindje as Perëndim”.

Nga ana tjetër, në fjalën e tij në plenumin e IX-të të KQ të Partisë, ai u përpoq të “argumentonte se mungesa e shumë partive, sipas kutit të borgjezisë, është gjoja mungesë e demokracisë. “Kjo s’është e vërtetë, tha ai. Te ne s’ka pasur parti, por diskutim të lirë, zgjidhja e problemeve të popullit në rrugë demokratike, në mbledhjet e fshatit, në kuvende, në pleqësi, në oda, etj., është traditë e lashtë. Partia jonë që ushqehet me mençurinë e dijeve dhe mendimit të popullit, e ka ngritur shumë lart këtë traditë. Ajo, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të masave, në përpunimin e zbatimin e planeve të zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit, në diskutimin e çdo problemi që i intereson popullit, e ka bërë metodë të punës së vet.

Pra del që s’kemi ç’kërkojmë më tepër! Për më tepër që tani këtë gjë, d.m.th., pluralizmin mund ta realizojmë edhe nëpërmjet organizatave dhe shoqatave të ndryshme, siç janë Fronti Demokratik, Bashkimi i Rinisë, Bashkimi i Gruas, Komiteti i Veteranëve të Luftës etj.

Madje për këtë porosit “prerë”: “Thellimi i vijës së masave, që përbën thelbin e demokracisë sonë socialiste, duhet të jetë në qendër të vëmendjes…”!(AQSH., Fondi 14/AP ou. dosja.1). Në këtë mënyrë, R.Alia, sekretari i parë i PPSH-së, kujtoi se e mbylli, hë për hë, shtegun për krijim partish të pa kontrolluara prej tij.

***
Në raste përvjetorësh të vendosjes së pluralizmit politik dhe të përmbysjes së “komunizmit” në Shqipëri, është bërë praktikë e zakonshme që gjithçka të shpjegohet ose vetëm me rolin e Azem Hajdarit (nga miqtë e tij të shoqatës Hajdari), ose vetëm me rolin e Sali Berishës si i dërguar i R.Alisë, i atij që si i plotfuqishëm negocioi e mirëkuptoi studentët, u bind dhe lejoi pluralizmin, madje “caktoi” edhe drejtuesit e partive, që u krijuan pas 12 dhjetorit 1990.

Del pra, që pluralizmi dhe demokracia në Shqipëri ishte rezultat i një “negocimi të mençur”, i një procesi “normal dhe unikal për Shqipërinë” dhe jo i një revolucioni demokratik me pjesëmarrje masive të rinisë dhe të popullit, aq më pak i Lëvizjes studentore që paraqitet si “rrumpallë”, “pa një ideologji, pa një platformë” (P.Zogaj, Fillimet. Bot.2014; Xh.Gjoni, Ndryshimi erdhi nga brenda sistemit. Panorama, 07.01.2015).

Nuk mund të jem dakord me një pikëpamje të tillë asgjësuese të Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, të cilën duke qenë pedagog i Universitetit, pata rastin ta ndjek nga afër. Vërtet, fillimisht nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë Lëvizje politike të organizuar, edhe pse gjetkë në vendet ish-socialiste të Europës kishte ndodhur “Përmbysja e madhe” dhe studentët përgjithësisht kishin qenë në pararojë. Sado të izoluar, shqiptarët ishin njohur tashmë me mesazhin e pashmangësisë së ndryshimeve demokratike që duhej t’u hapej rruga edhe në Shqipëri.

Madje, ishin bërë të njohura edhe platforma konkrete, përfshi dhe Perestrojkën e Gorbaçovit! Ndërkaq, nuk jam i një mendimi as me ata që fetishizojnë Lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, duke e paraqitur atë si “një shkreptimë në qiell të kaltër”, që lindi me objektiva e kërkesa të qarta për të detyruar R.Alinë të pranojë pluralizmin partiak dhe të dekretojë përmbysjen e “komunizmit” në Shqipëri.

Në këtë rrafsh, them se Xh. Gjoni, përgjithësisht, ka të drejtë kur thotë se një pjesë e komunistëve ishin bërë të pakënaqur ndaj udhëheqësve të tyre dhe kërkonin ndryshime. Në këtë kuptim, ashtu si dhe në vendet e tjera ish-socialiste, ndryshimi erdhi nga brenda sistemit.

“Më kurajozë, shkruan ai, u bënë vetë komunistët për të ndryshuar situatën në vend, fëmijët e tyre”. Një veçori e tillë meriton të mbahet parasysh, edhe kur është fjala për Lëvizjen studentore 1990. Ndërkaq, edhe pse ka ende çështje të diskutueshme, që shpesh vijnë si rezultat i përplasjes së protagonistëve të ngjarjes, them se tani, pas 25 vjetëve, kur të gjitha palët kanë pasur mundësi të shprehen rreth kësaj ngjarjeje, ka ardhur koha për të pranuar disa të vërteta historike.

Themelore nuk janë ngjarjet në vetvete, që ndodhën gjatë katër ditëve, nga 8-12 dhjetor 1990, as çështja u dërguan s’u dërguan A.Hajdari, S.Berisha e të tjerë për të drejtuar apo përdorur studentët, ngjarje të jetuara që nga pjesëmarrës të ndryshëm janë treguar në vite në mënyra të ndryshme. Mesa duket kjo lojë ka për të vazhduar gjatë, edhe pas 25 vjetëve të deritanishëm! Gjithsesi, çështja ka anën e vet enigmatike: Kush ia rekomandoi R.Alisë emrin e Sali Berishës, deri sa ai thotë se nuk e njihte atë?

Ndërkaq, përse Berisha kur doli nga takimi kokë më kokë me Alinë, natën e dhjetorit, fjalës së Besnik Mustafajt, i cili e priste jashtë, se “mbaroi edhe kjo punë”, iu përgjigj, “Përkundrazi, tani filloi”. Mos ngaqë iu ngarkua një mision i njohur për të dy “bashkëbiseduesit kokë më kokë” nga dikush jashtë tyre? Ndërkaq, Lëvizja studentore, edhe sikur fillimisht të ishte e organizuar dhe e kontrolluar nga regjimi nëpërmjet njerëzve të sistemit, të “deleguarve” (ku unë fus A. Hajdarin që kishte bërë lutje për të hyrë në radhët e PPSH-së dhe S. Berishën, komunist e profesor i afërt me udhëheqjen më të lartë të Partisë e disa të tjerë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), realisht mori dimensione të tjera, doli nga kontrolli, u bë përditë e më masive, mori doza spontaniteti, që “dogji” skenarët e udhëheqjes së PPSH-së, për një pluralizëm fiktiv, për të cilin R.Alia, në gusht, mori dhe miratimin e “intelektualëve kryesorë të Shqipërisë”!…

***
…Mesazhi i R.Alisë i orës 20, në Radio Televizionin Shqiptar, atë që ndodhi e quajti ditë dramatike, vepër “të turmave të irrituara që kanë humbur çdo arsye e logjikë”, por theksin e vuri gjetkë, te vetëpërmbajtja sepse “janë vënë në rrezik, liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar” (e përjashton për herë të parë socializmin nga reshti i vlerave të tilla!). Duke iu drejtuar popullit, e mburri atë me shprehjen sintezë: “Populli ka forca të shmangë katastrofën”.

U propozua ngritja e një Këshilli Presidencial, që faktikisht e shndërroi R.Alinë në kryetar shteti dhe ai e përdori relativisht mirë për të ruajtur pushtetin. Në përballimin e kësaj situate nga më të rrezikshmet, R. Alia, siç ka përgjegjësi për gatimin e saj, ka edhe meritën që e kapërceu relativisht shpejt situatën më kritike të krijuar në vend, deri në këtë kohë. Po kështu, dhe për disa masa që lehtësonin garën elektorale shumë partiake me depolitizimin e institucioneve shtetërore (Vendimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr.350, datë 08,02,1991), për arritjen e marrëveshjes PP-PD, për qetësimin e gjendjes dhe të sigurisë në funksion të zgjedhjeve (Botuar në ZP dhe RD më 9 shkurt 1991).

Dhe së fundi, për ndërrimin e qeverisë më 23 shkurt 1991, duke dhënë dorëheqjen Adil Carçani, Kryeministër pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut (dhjetor 1981), pra dhe përgjegjës për dështime në qeverisje, për t’u zëvendësuar nga një intelektual i ri, Fatos Nano.

***
…Slogan kryesor, PD kishte përmbysjen e Pushtetit Popullor. Madje me takime, trakte e fletushka edhe trazirat e organizuara nga vetë kandidatët dhe shtabet elektorale të PD-së u faturoheshin organeve të pushtetit dhe strukturave të PP-së. Sali Berisha, reklamohej si politikani energjik dhe me vizion të ri, kurse Ramiz Alia, që kandidonte në lagjen ku “lindi Partia Komuniste Shqiptare”, paraqitej si një politikan që duhet të ikë sa më parë në “pension politik”.

Gjë e re për zgjedhësit e mësuar me “votimin unanim”!… …Gjatë analizës së deritanishme kam synuar të jem objektiv, të shkruaj mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve, por nuk ndaj mendimin që R.Alia “solli demokracinë dhe vendosi pluralizmin politik në Shqipëri”. Nëse deri në këto zgjedhje mund të përligjej ideja e gradualitetit të ndryshimeve për të “evituar gjakderdhjen”, siç thuhej, pas kësaj ajo rrezikonte të shndërrohej në të kundërtën e vet.

Së pari, sepse kjo nuk mund të jetë vepër e një personi sa do i shquar qoftë ai; së dyti, se kështu injorohen lëvizja studentore dhe aksionet e tjera popullore që imponuan ndryshimet; së treti, se ka plot fakte konkrete që R.Alinë e prezantojnë krejt ndryshe: kontradiktor, që bënte lojë të dyfishtë, njeri hije, që mbi gjithçka gjatë ndërrimit të sistemeve vuri ruajtjen e pushtetit dhe të kokës së vet. Në thelb, me zbatimin e “Katovicës”, R.Alia synonte vendosjen e demokracisë komuniste me ngjyra shqiptare! Në këtë rrafsh, qëllimisht u fry edhe rreziku i luftës civile, të cilën sipas propagandës së kohës e evitoi vetëm R.Alia…

***
Partia Socialiste, si gjithë partitë e tjera të “kohës së pluralizmit”, pa grabitur as emrin dhe as trashëgiminë nga Partia e Punës së Shqipërisë, me shkresën nr.1167, dt.17 korrik 1991, u regjistrua nga Ministria e Drejtësisë…. Partia Socialiste, si parti e re, u thirr në skenën pluraliste për të mbushur boshllëkun e krijuar në rrafshin e alternativave të sistemit të ri të vlerave dhe të zhvillimit të vendit, drejt demokracisë pluraliste…

Veçse edhe në këtë rast, R.Alia tinëz donte të kishte pushtet mbi të, madje të merrte edhe teserën e anëtarësisë sepse si për të dhe për Berishën, PSSH nuk ishte parti e re, por veçse “PPSH”. Dhe kur hasi rezistencë, kur ne e quajtëm “politikan të së kaluarës komuniste”, ai u hodh në sulm kundër Partisë Socialiste, filloi ta quante atë në Letrën drejtuar Dritëro Agollit, “të frikshme përballë PD-së, pa iniciativë” etj., për çka unë personalisht dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste kemi polemizuar publikisht me Presidentin e “depolitizuar”!

Për qëllime aspak demokratike, Presidenti shfrytëzonte shpesh grupe deputetësh për t’i krijuar situata të vështira Partisë Socialiste. Deputetët (169) ishin votuar si deputetë të PPSH, por u konvertuan si deputetë të PSSH-së. Realisht Partia Socialiste ende s’ishte votuar nga elektorati. Për pasojë, grupin e deputetëve më tepër e drejtonte R.Alia se sa kryesia e PS-së.

Për këtë shkak, shpesh krijoheshin situata konfuze, kur vendimin që merrte Grupi Parlamentar paradite detyrohej ta kthente pasdite me porosi të R.Alisë! Ndërkaq, duke u bërë palë me drejtues të PD-së edhe pse opozita kishte marrë revanshin e shkatërrimeve dhe të destabilizimeve si metodë lufte kundër komunizmit, R. Alia edhe duke qenë kreu i shtetit, i zgjedhur nga një Parlament pluralist, vazhdoi politikën “hiq e mos e këput” dhe të lëshimeve njëra pas tjetrës.

U arrestuan në Bllok byroistët me akuzën qesharake se e paskëshin tepruar me kafet që kishin pirë! Me sa duket e quajti këtë një formë të mbrojtjes së tyre! Edhe pse plotësonte kërkesat e opozitës, nuk e pengoi, por e nxiti prishjen nga Berisha të Qeverisë së Stabilitetit të kryesuar nga socialisti Ylli Bufi (4 dhjetor 1991). Pas kësaj nisi seria e shkatërrimeve, e grabitjeve vandaliste në Fushë-Arrës, në Laç, Lushnjë, Pogradec e gjetkë.

Pikënisje për këtë u bënë kërkesat ultimative të kreut të Partisë Demokratike S. Berisha, që mendonte se sukseset e Qeverisë së Stabilitetit mund të rrezikonin një fitore të mundshme e shumë të dëshiruar të PD-së në zgjedhjet e afërta, që ishin fryt i marrëveshjes së tavolinës së partive në fund të majit 1991. Zgjedhjet e dyta pluraliste që u mbajtën më 22 mars 1992, të paraprira dhe nga “Marrëveshja” Nano-Berisha e Triestes, shkurt 1992 (e pa konsultuar nga Nano me askënd në Partinë Socialiste që ai kryesonte në atë kohë), u fituan me shumicë prej dy të tretave nga PD e kryesuar nga S.Berisha.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje vazhdoi të ishte e lartë, 90.35 për qind, kurse rezultatet ishin 65.71 për qind për Partinë Demokratike (ose 92 vende në Parlamentin me 140 vende), 27.14 për qind për Partinë Socialiste (ose 38 vende), 5 për qind për Partinë Socialdemokrate (ose 7 vende), 1.43 për qind për Partinë e të Drejtave të Njeriut (ose 2 vende) dhe 0.71 për qind për Partinë Republikane.

Të nesërmen, më 23 mars 1992, Presidenti komunist Ramiz Alia bëri deklaratën, në të cilën shprehte shumë qartë dyzimin karakteristik të tij që u përsos më tej, u bë edhe më i rafinuar e më dinak nga pluralizmi politik. “Në këto zgjedhje, deklaroi ai, dikush u gëzua e dikush mbeti i pakënaqur. Por, le të respektohet vullneti i shumicës, e qoftë për të mbarën e Shqipërisë. Unë shfrytëzoj këtë rast të uroj të gjithë popullin për ditë më të mira, të uroj fitimtarët për rezultatin që arritën dhe që të kryejnë me sukses punët dhe përgjegjësitë që u takojnë.”

Më 4 prill 1992, S. Berisha që grisi marrëveshjen e bërë në Trieste me Nanon, në shkurt 1991, pa vështirësi zgjidhet President dhe 22 marsin 1992, e shpalli si cakun historik “që ndau ditën nga nata”, pra që shënoi fundin e “komunizmit”…! Në të vërtetë, një ndarje e tillë ndodhi që një vit më parë me zgjedhjet e para pluraliste, më 31 mars 1991 dhe me mbylljen e kapitullit 50 vjeçar të Partisë së Punës së Shqipërisë (1941-1991), më 12 qershor 1991 me formimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë si parti e majtë me program socialdemokrat.

Data të tilla janë historike, të dokumentuara dhe nuk mund të ndryshohen sipas dëshirave të individëve që duan të “rishkruajnë historinë” në funksion të piedestaleve që duan të lartësojnë për vetveten!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura