Libra të rinj. Leonard Veizi boton romanin e ri: Tranzicioni shqiptar në fatin e “Lorës”

Feb 11, 2015 | 11:23
SHPËRNDAJE

Titulli: LORA
Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 340
Çmimi: 1000 lekë
Një ish-prostitutë moldave gjendet e masakruar me 13 goditje thike në shtratin e një hoteli pranë Stacionit të Trenit në Tiranë… Shkrimtari Leonard Veizi shfrytëzon një histori si ato që rëndom mbushin kronikat e zeza të lajmeve, për të zbuluar gjithë tranzicionin shqiptar. Jetë të thyera në mes përdhunshëm, dashuri të humbura, kujtime që zgjohen nga një e shkuar e largët dhe që të turbullojnë të tashmen… “Lora”, si emri i femrës së vrarë, e ka titulluar romanin e tij më të ri, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Omsca 1”, Leonard Veizi. Por ai nuk sjell vetëm fatin tragjik të një vajze. Ajo është shkëndija që vë në lëvizje motorin rrëfimtar. “Lora” ëhstë nga ato romane, që lexohen me një frymë. Lexuesi është kureshtar të ndjekë deri në fund jo thjesht linjën e zbardhjes së një varasjeje, duke ndjekur gjurmët bashkë me hetuesin e prokuroren e çështjes, por të mësojë deri në fund fatin e gjithë personazheve që hyjnë e dalin në roman, si pasagjerët që nxitojnë në një stacion tranzit. “Lora” bën bashkë fatin e vajzave që përfunduan nëpër semaforët e Italisë, me atë të emigrantit që punon në disa punë, duke numëruar liretat e fundit të qirasë. Aty gjendet edhe biznesmeni që tashmë e ka kuptuar se të gjithë i vijnë rrotull për shkak të portofolit të ngrohtë, punonjësi i administratës shtetërore, menaxheri i artit, një femër e braktisur nga i dashuri…  Fundja të gjithë personazhe, me të cilët shkëmbehemi çdo ditë në jetët tona. Ngritja e shumë linjave paralele, zhvendosja e ngjarjeve sa në Tiranë, Torino, Vjenë, nga një vendngjarje krimi, në një avion, në një aeroport, në furgonin e linjës për Sarandë…, në tokë e në qiell, nuk e pështjellon lexuesin. Romani ka dinamikë, stili është i rrjedhshëm, i pasforcuar. Autori nuk ndalet në përshkrime të tepërta. Veizi nuk ndalet gjatë në vizatimet e tipareve të Rron Grabovës, Mark Brovinës, Lora Emersonit, Drin Kelmendit.. , por lexuesi mund ta ravijëzojë fare qartë pamjen e tyre. Ai i drejton me ngut kureshtarët deri në faqen e fundit..
“Lora” vjen për lexuesin, paraprirë nga 9 vepra të mëparshme të autorit, në tregime, novela e romane, si “Treni i fundit i metrosë”, “I dënuar me vdekjen”, “I çmenduri i pavijonit 3” etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura