Lëvduar qoftë Naim Frashëri!

Oct 22, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

BESNIK MUSTAFAJ

besnik mustafaj

Lidhur me fatin e Sh qipërisë dhe të shqiptarëve, Naim Frashëri ka bërë me poezi atë që i vëllai, Samiu, ka bërë me prozën e tij filozofike dhe politike.

E kam fjalën për shtjellimin e një platforme politike dhe ideologjike, e cila kishte për synim të vetëm e madhor zgjimin e vetëdijes kombëtare të bashkatdhetarëve të tij pas pesë shekujsh nën pushtimin osman. Siç e tregon fare qartë historiografia, ky zgjim ishte jetik për ekzistencën e mëtejshme të kombit shqiptar. Do mbajtur parasysh se jemi në çerekun e fundit të shekullit XIX.

Të gjithë fqinjët tanë kishin fituar tashmë pavarësinë dhe, pasi kishin hedhur themelet e shteteve të tyre, po kalonin në një fazë të rritjes duke synuar zgjerimin e territorit. Kjo mund të bëhej vetëm në kurriz të trojeve të shqiptarëve. Perandoria osmane, brenda së cilës ishin këto troje, po jetonte fazën e fundit të degradimit të vet. Ajo, pra, nuk mund ta mbronte integritetin e territoreve shqiptare. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse edhe në këto rrethana politike të brendshme për Perandorinë Osmane, por edhe gjeopolitike për rajonin dhe Europën, pushteti i Portës së Lartë jo vetëm nuk bëri asgjë për t’i ndihmuar shqiptarët të organizoheshin për vetëmbrojtje, por, përkundrazi, shtoi shtypjen dhe represionin mbi ta, duke bërë njëherësh edhe shumë marrëveshje me armiqtë e vet të betuar, grekët dhe serbët, në dëm të interesit madhor të kombit shqiptar.

Gjithsesi, një fakt i tillë historik nuk ka asnjë rëndësi tashmë. Dhe as nuk është rasti të ndalemi te strategjitë politike të Sulltan Abdyl Hamitit dhe të kabineteve të tij qeveritare. Për ne sot më duket me vlerë të vëmë në pah kthjelltësinë e jashtëzakonshme të Naim Frashërit për t’i lexuar me realizëm zhvillimet e dukshme dhe ato të nëndheshmet brenda Perandorisë Osmane dhe më gjerë, lidhur gjithnjë me udhëkryqin, ku gjendej kombi shqiptar. Naim Frashëri jetonte në Stamboll, ku edhe po ndërtonte veprën e tij poetike. Ai nuk i qasej këtij realiteti gjeopolitik, i nxitur nga ndonjë kureshtje intelektuale, siç ndodhte shpesh me poetët e nivelit të tij në metropolet e tjera europiane. Ai nuk mund t’ia lejonte vetes këtë luks. Këtij realiteti, i cili në përmbajtjen e tij ishte pa asnjë lidhje me estetikën e poezisë, ai i qasej me vullnetin për të kuptuar drejt rreziqet ekzistenciale, që i kanoseshin kombit shqiptar. Ai e ka marrë tashmë vendimin për t’u vënë në shërbim të kombit të vet bashkë me armën më të fuqishme që zotëronte e që ishte poezia. Gjithë vepra e tij me temën kombëtare thekson urgjencën për t’u përballur me kurajë dhe besim në vete kohë me këto rreziqe. Pra, ai e ka kuptuar shumë drejt se vetëm shqiptarët mund t’i dilnin zot vetes dhe atdheut të tyre.

Naim Frashëri do të vinte gjithë imagjinatën e vet dhe e gjuhës poetike në shërbim të një kauze të tillë, e cila, par definition është kauza e politikanëve. A ishte kjo një lloj tradhtie ndaj poezisë simboliste, që ishte më modernia e kohës në Europë dhe së cilës do t’i kishte përkitur vepra e tij ashtu siç pati filluar?

Sigurisht që është. Studiuesit seriozë të veprës së tij, qysh ata bashkëkohës të poetit, – kam parasysh Faik Konicën, – kanë vënë në dukje se kjo pjesë e krijimtarisë së tij, për nga cilësia artistike nuk është e të njëjtit nivel me “Ëndërrimet” bie fjala.

Askush nuk e ka ditur më mirë se vetë Naimi se çfarë lëshimesh po bënte si poet. Por ai e dinte po ashtu pse po i bënte këto lëshime dhe kjo përligjte gjithçka. Në këtë kuptim, Naim Frashëri është themelues i shqiptarizmës si temë madhore në poezinë shqipe, siç është edhe themeluesi i llojit të poetit politik në letërsinë kombëtare.

Do të kisha thënë se, edhe pse me një distancë kohore të shkurtër, vetëm disa vjet, Naim Frashëri është pararendës i Gjergj Fishtës dhe mandej i Fan Nolit për sa i përket qasjes së drejtpërdrejtë, ballas, të temës politiko–patriotike. Pikërisht në sajë të kësaj pjese të veprës së tij, pra, të asaj pjese që nuk hyn te majat e arritjeve të tij artistike, Naim Frashëri i ka siguruar vetes një lavdi të pashoqe në kulturën tonë kombëtare.

Naim Frashëri me jetën e tij, të mishëruar madhërisht te kjo pjesë e veprës së tij, është bërë frymëzim për poetët e tjerë besoj si asnjë poet tjetër në mbarë historinë e letërsisë botërore. Dhe kjo ka filluar qysh në të gjallë të tij, ka arritur kulmin 120 vjet më parë, kur ai mbylli sytë, dhe ka vazhduar e vazhdon deri në ditët tona. Në bibliotekën shqiptare është një botim që meriton të kujtohet me respekt me këtë rast: “155 poetë në 150-vjetorin e lindjes së Naimit”. Është përgatitur nga Mehmet Gëzhilli dhe botuar 24 vjet më parë.

Aty gjejmë përkushtimet e Koto Hoxhit e të Lef Nosit, të Filip Shirokës e të Mihal Gramenos, të Shtejfën Gjeçovit e të Asdrenit, të Çajupit e të Josif Bagërit, të Lasgush Poradecit e të Sejfulla Malëshovës, të Petro Markos e të Perlat Rexhepit, të Dritëro Agollit e të Dhimitër Shuteriqit, të Ismail Kadaresë e të Bardhyl Londos, të Xhevahir Spahiut e të Skënder Buçpapajt, të Sabri Hamitit e të Petrit Rukës. Lista, pra, është shumë e gjatë e nuk mund t’i përmend të gjithë. Dhe janë poetë nga të gjitha trojet shqiptare e nga të gjithë brezat. Është edhe një tufë me këngë popullore.

Asnjë hero i historisë sonë, përjashtuar Skënderbeu, nuk ka kaq shumë përkushtime. Ma merr mendja se Naim Frashëri, ndryshe nga i vëllai, Avdyli, nuk ka zbrazur kurrë në jetën e tij një pushkë. Ai është ngjitur në piedestalin e heroit kombëtar vetëm përmes penës. Në këtë rast përkujtimor do të doja të përmendja edhe një aspekt. Një pjesë shumë e madhe e poezive kushtuar Naim Frashërit janë shkruar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Bie në sy se krahas poetëve, të cilët me hir apo me pahir u integruan në histori politike të komunizmit, jetës dhe veprës së Naim Frashërit i kanë kënduar me të njëjtin adhurim edhe poetë të tjerë, të cilët e refuzuan dhe iu kundërvunë komunizmit si: Isuf Luzi, Bardhyl Pogoni apo Bilal Xhaferi. Ky është një tregues thelbësor për të treguar se drita e qiririt të Naim Frashërit është aq e fortë, aq e ngrohtë, aq universale, aq përbashkuese për të gjithë shqiptarët, përmbi të gjithë prapësitë dhe ndasitë politike apo ideologjike, sa mund të krahasohet vetëm me dritën e diellit dhe flakën e saj e mban gjallë vetëm fryma hyjnore.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura