Letër e hapur për Kryeministrin Rama

Mar 11, 2015 | 11:39
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI

   Sh.T. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Tiranë
Zoti Kryeministër,
Me shpresën e mirëkuptimit mora guximin t’ju shkruaj sërish në rrethana krejtësisht të reja, kur vendi ndodhet në një turbulencë të pangjashme, që për ne qytetarët e thjeshtë është bërë shqetësimi i jetës. Të gjithë kanë sjellë vështrimin nga Ju, me mendimin se do ua shpëtoni Shtetin dhe do ta shpërbashkoni atë nga Krimi. Si shumëkush, edhe unë mendoj se kryetari i Ekzekutivit është Njeriu i Parë që do të duhet të reflektojë dhe të kthjellohet në ketë vend, sepse jeni drejtuesi i një shumice parlamentare, e cila në një segment të rëndësishëm të saj përmban një sëmundje që do ta rrënojë respublica-n. Koha ju ka thirrur ta mbani mbi supe këtë barrë të rëndë dhe ju, zoti Kryeministër, para të gjithëve do të duhet ta perballoni situatën e krijuar, duke menduar jo për Maxhorancën, por për Publikun, pa krijuar asnjë alibi mbi ekzistencën e paranojave, duke respektuar shtetin e së drejtës dhe ndarjen strikte në mes institucioneve.
Mbi Shqipërinë dhe mbi Qeverinë që drejtoni, ka rënë një gjamë e madhe dhe unë mendoj se Ju do të duhet ta trajtoni me shpejtësi, vendosmëri çdo gjë, duke e impostuar gjithçka ka ndodhur në udhët e ligjshmërisë, parlamentarizmit dhe transparencës së publikut, në respekt të procedurës dhe konventave konstitucionale, që nuk të mundësojnë të marrësh mbi supe as pushtet hetimor dhe as pushtet gjyqësor. Në qoftë se vazhdohet pa kujdes, duke përdorur rastin e denoncuar nga zoti Doshi, si pretekst për të mbytur zërin e lirisë dhe të të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqipërisë Veriperëndimore, për sulm politik ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, dhe për të impostuar një qasje te ngjashme me operacionet purifikuese të batalioneve të Sigurimit të Shtetit komunist, ndaj Shkodrës, Malësisë dhe Dukagjinit, siç po nxitet nga anëtarë të caktuar të Parlamentit, ky do të jetë një zhvillim mjaft i rëndë për stabilitetin e vendit në tërësi. Po ashtu, në qoftë se nga ky rast ju do të lejoni ndërtimin e intrigave fundosëse të modelit të romaneve të Alexander Dumas, kjo do ta drejtojë gjithë shoqërinë në humnerë dhe do damkosë drejtimin tuaj governativ përjetësisht. Ju nga rasti i ekspozuar nga deputeti, po merrni vetëm qasjen e papërshtatshme të komunikimit të tij, ndërkohë që Publiku është i interesuar për zbardhjen deri në fund të deklaratës se tij, hetimit shkencor përmes institucioneve sa më të specializuara, mundësisht me asistencë ndërkombëtare dhe pa ndërhyrje e presione mbi organin e hetimit.
Në qoftë se do vazhdohet kështu, sikurse është trajtuar këto ditë, me frikë, llogari të shkurtër kohore, tretje vëmendjeje dhe prozhmim psikologjik të një krahu, kjo ju fajëson dhe ju ngarkon me përgjegjësi. Unë mendoj se Ju duhet të dilni nga mosveprimi ligjor dhe politik, nga ndërhyrjet në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve dhe barazisë së të gjithëve para ligjit dhe të ndërprisni aktivitetin propagandistik, për të shmangur kaosin, sepse koha nuk pret. Madje, mund të them se hapat që keni bërë në këto ditë, janë të përkundërt me precipitimin e të vërtetës dhe kanë fryrë trazirën e brendshme. Unë mendoj se ju duhet të ndalni ecjen mbrapsht të kohës suaj, që në këtë rast është edhe koha e Shqipërisë. Ju duhet ta shpëtoni postin e Kryeministrit te Shqipërisë, zoti Kryeministër, sepse me këtë keni shpëtuar edhe vendin, lirinë dhe demokracinë. Veprimet e ditës së martë 3 mars 2015 janë ndër më të pangjashmet në historinë e një Shteti qe bazohet në Ligj, Ndarje Pushtetesh, Demokraci Liberale dhe Qeveri të Përgjegjshme. Thirrja e kryetarit të një pushteti të pavarur hetimor, që mbron Shtetin, duke e ulur në një tavolinë me pjesët e vendosura nën një akuzë nga më të rëndat publike, përbën sjellje procedurale negative që dikush mund të marrë në drejtimin e përditshëm të punëve në këtë vend, përkundër respektimit të konfliktit të interesit dhe korrektësisë ndaj ligjit të këtij aspekti të jetës publike.
Shpërbashkimi i sjelljes Suaj politike, parlamentare dhe përgjegjësisë para ligjit, me atë të personazheve të vendosura nën një akuzë publike, do të duhej të ishte hapi i parë që ende nuk ka ndodhur nga ana Juaj. Përndryshe, me keqardhje dhe trishtim, publiku po konstaton një kryetar Ekzekutivi të stepur nga kasnecë, që kërcënojnë nëpër televizione për të dëgjuar Ju ma së pari, pastaj edhe te tjerët përtej, shtypi shqiptar, që ju e keni vendosur, gati në unison, në oborrin e prapmë të Maxhorancës. Kjo gjendje nuk ka precedenc tjetër, veç ditëve të zeza të marsit 1997. Ju nuk duhet të zgjidhni rrugën e paprinciptë të paraardhësit tuaj, për ta mbrojtur të keqen dhe për ta ricikluar sërish para shqiptarëve, në një progresion gjeometrik përforcimi. Kryeministri i Shqipërisë Demokratike nuk duhet të ndjekë rrugën e kompaktësimit me të keqen, por të shpërbashkimit me të, në të mirë të Shtetit të së Drejtës që mbron Qytetarin dhe në funksion të zbulimit vetëm të së vërtetës. Unë dhe shumëkush këto ditë ka pritur që Ju, i nderuar Kryeministër, të thërrisnit në zyrën tuaj, me përgjegjësinë e një Shtetari të vërtetë, kryetarin e Opozitës dhe të bisedonit me Atë të gjitha opsionet e mundshme. Ka një interes publik prioritar që Kryeministri i këtij vendi do të duhet ta ketë parasysh: Mbrojtja e Shtetit dhe Zbardhja e së Vërtetës; dhe Kryeministri nuk do të duhet të ecë përkundër këtij interesi. Unë mendoj se Kryeministri aktual i këtij vendi duhet të kuptojë që Aleanca juaj është në gjendje kome të pakthyeshme dhe përkujdesjeje pas çehres se tjetrit, për hir të mbajtjes së karriges kryeministrore, qoftë edhe një muaj me tepër, do ju varrosë edhe ju politikisht me damkën e paaftësisë dhe të tradhtisë ndaj Shtetit shqiptar dhe Publikut tonë të mjeruar e të frikësuar, që po lëshon gjithandej vikamën e panikut. Është koha për një reflektim të madh, pa vonesë – dhe takimi me kryetarin e Opozitës, me ndërmjetësinë e Presidentit të Republikës, është hapi më normal në një vend demokratik, në qoftë se ju e konceptoni postin tuaj të lartë në shërbimin tonë si qytetarë. Vendi sot ka nevojë për stabilitet dhe stabiliteti nuk ka për t’i ardhur qeverisë aktuale duke vazhduar bashkëjetesën me informalitetin antidemokratik. E di që është një sipërmarrje in extremis, por nuk ka opsion tjetër, pas kësaj, përveç shpërndarjes së Parlamentit. Çdo minutë që kalon, afron edhe më shumë të keqen. Shpërbashkimi me atë nëpërmjet lënies së lira të organeve të hetimit dhe korrektimit të sjelljeve governative për kah shpjegueshmëria tashmë është në tavolinën tuaj për vendimmarrje, që mund të jetë historike për fatet e vendit. Një vend që aspiron për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian, zgjidhjen e krizës duhet ta kanalizojë në rrugë institucionale, në respekt të Ligjit, Kushtetutës dhe Parlamentit, aty ku mishërohet Sovrani. Opsionet janë shumë pak, por kurrsesi rruga e filluar para 8 ditësh, me kompaktësimin e radhëve të komunistëve, ish-prokurorëve, ish-sigurimsave me krimin e organizuar. Rruga është për një zgjidhje të re politike, rikompozim i Maxhorancës së drejtuar nga Ju, përmes nxjerrjes jashtë të së keqes dhe ndërtimit të një Qeverie të Triumfit të Shtetit. Vendi nuk është i gatshëm për zgjedhje të reja tani menjëherë, por ka të nevojshëm një rindërtim qeveritar, me objektiv kryesor Shërimin nga Kanceri i Krimit, Vendosja e Rendit Publik dhe Mbrojtja e Shtetit nga Terrorizmi dhe Shantazhi. Një koalicion i gjerë, një qeveri e të urtëve me mbështetje të gjerë politike, që do të përforcojë pavarësinë e Prokurorisë, Ministrinë e Brendshme të ndarë nga një Polici e Shtetit e depolitizuar, Ushtrinë në sektorët e reagimit të shpejtë, Liritë kushtetuese dhe Individuale, vetëm do ju naltësonte para shqiptarëve dhe do të përforconte me siguri prestigjin tuaj si shtetar që respekton lirinë. Deklarata e Ambasadës së ShBA në Tiranë duhet të lexohet në këtë kuptim, në përforcim të shtetit dhe dekriminalizim që fillon nga maja drejt periferisë, nga dekonspiratorët e respublicas. Ajo është bërë në atë formë për t’ju mbështetur Ju, Shtetin dhe Shqipërinë, me shpresën që Ju do të arrini ta lexoni dhe do ta përdorni në të mirë të interesave publikë dhe jo të shpëtimit të partnerit tuaj të koalicionit.
Me shpresë se do të merrni në konsideratë mendimet e sugjerimet e mia, mbetemi me nderime.

© Panorama.al

Te lidhura