Leli: Vlonjatët do kenë një mik dhe një derë të hapur në Bashki

Jun 19, 2015 | 11:59
SHPËRNDAJE

Kandidati i majtë për Bashkinë e Vlorës

“Do ndërtojmë landfill modern e impiantin prej 21 milionë eurosh për ujërat e zeza”

Rama me kandidatin e majtë për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli
Kandidati i majtë për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, premton një mik për qytetarët dhe një derë të hapur të bashkisë për qytetarët.
Programi i tij ambicioz për Bashkinë e re të Vlorës premton një landfill modern që do të nisë shumë shpejt, ngritjen e impianti të ujërave të zeza me një vlerë prej 21 milionë eurosh, ndërsa Pyllin e Sodës kërkon ta shndërrojë në një zonë rekreative si liqeni artificial i Tiranës.

Zoti Leli, jemi në ditët e fundit të fushatës elektorale. Besoj se strategjia juaj tashmë është përcaktuar qartë. Cili është projekti i parë që ju do të vini në zbatim në Bashkinë e re të Vlorës?
Ditën e prezantimit tim si kandidat i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Vlorën unë kam deklaruar se për mua i pari do të ishte mjedisi. Edhe sot i qëndroj këtij premtimi. Mjedisi dhe përmirësimi i jetës së vlonjatëve do të jenë gjithmonë të parat. Sot në Vlorë kemi një situatë të rëndë për sa i takon djegies së mbeturinave në qytet. Retë e tymit kanë mbuluar qytetin. Po ju them solemnisht: Unë nuk do të lejoj që plehrat e Vlorës të digjen në ambient të hapur, të ndotin qytetin dhe të rrezikojnë shëndetin e banorëve. Për të realizuar këtë, ne kemi gati një projekt konkret. Në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët e huaj do të ndërtohet një landfill modern. Gjithçka është gati. Ndërtimi i landfillit të ri do të thotë që do të pastrohen të gjitha pikat ekzistuese të depozitimit të mbetjeve urbane në Pyllin e Sodës, Orikum, Fushën e Aviacionit e të tjera. Në programin tonë është parashikuar që zona e Pyllit të Sodës do të rehabilitohet dhe do të shndërrohet në një park rekreacional për të gjithë banorët e Vlorës. Kemi hartuar një projekt të ngjashëm me parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.

Për të gjithë vlonjatët, por edhe për ne turistët, deti i Vlorës është një nga perlat e Rivierës shqiptare, i cili e ka humbur disi shkëlqimin e tij. Kjo sepse shumë zona janë ndotur nga derdhja e ujërave të zeza. A keni ju një plan për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi?
Për sa i takon derdhjes së ujërave të zeza në det, ne kemi evidentuar 18 gryka në Gjirin e Vlorës. Kjo gjë nuk do të ndodhë më. Ne kemi gati një projekt me vlerë rreth 21 milionë euro, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së ujërave të zeza. Pas disa javësh do të nisë procesi i përzgjedhjes së kompanisë zbatuese të projektit. Brenda vitit do të nisin punimet dhe këto gryka ujërash të zeza që ndotin detin e Gjirit të Vlorës do të zhduken. Synimi im është që ujërat e Gjirit të Vlorës të jenë më të pastrat në Shqipëri. Brenda një kohe të shkurtër ne do të vëmë në punë impianti e trajtimit të ujërave të zeza duke e mbyllur një herë e përgjithmonë kapitullin e ndotjes së detit.

Uji i pijshëm është një tjetër problem konstant i Vlorës. Si do të zgjidhet kjo gjë?
Vlora noton mbi ujë, por nuk ka ujë të pijshëm. Kjo është ajo që unë them shpesh në takimet me banorët. Të mos ketë ujë Vlora në vitin 2015 është një çështje që kërkon patjetër zgjidhje. Mungesa e ujit u vështirëson jetën e qytetarëve dhe pengon turizmin. Unë jam zotuar që do t’i shuaj etjen Vlorës. Ne kemi parashikuar një sërë investimesh në ujësjellësin e qytetit, por edhe në ujësjellësit e zonave të reja, të cilat i janë bashkuar Bashkisë Vlorë. Reforma territoriale na jep një mundësi të mirë për t’i përfunduar këto projekte pasi tashmë nuk nevojitet të merret leje në disa bashki dhe komuna. Për këtë gjë kam biseduar edhe me Kryeministrin Edi Rama, i cili më ka premtuar mbështetjen maksimale të qeverisë për projektin e ujit të pijshëm. Së bashku jemi zotuar përpara vlonjatëve se ky problem do të zgjidhet brenda mandatit tim të parë në krye të bashkisë.

Vitet e fundit Vlora është zhvilluar në mënyrë kaotike. Qyteti i vjetër po përpihet dita-ditës nga godinat shumëkatëshe. Cili është vizioni juaj për zhvillimin urban të Bashkisë Vlorë?
Bashkia e re do të jetë rregullatori i jetës urbane sepse për mua Vlora nuk është thjesht një qytet, por përfaqëson një qytetërim. Brenda një kohe rekord ne do të miratojmë Planin Rregullues të qytetit. Ky plan do të jetë në përputhje me Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Zhvillimit. Do të nisë menjëherë puna për të sistemuar sheshet, rrugët, trotuaret dhe ndriçimin. Do të merrem vetë personalisht me rivitalizimin e qendrës historike të qytetit, pasi mendoj se është një detyrim që u kemi vlonjatëve. Vlora nuk do të jetë më qyteti i ndërtimeve pa fund ku biznesmenë të ndryshëm kanë ndërtuar përbindësha që i kanë zënë frymën qytetit. Vizioni i rivalit tim është të ndërtojë sa më shumë pallate dhe në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak t’u shtojë edhe një kat tjetër këtyre pallateve. Vizioni im dhe i Kryeministrit Edi Rama është të ndërtojmë Lungomaren, rrugë pedonale e korsi biçikletash. Të rikthejmë në identitet lulishtet e zhdukura nga ndërtimet dhe të gjelbërojmë hapësirat e lira. Për këtë arsye kam thënë gjithmonë se aleanca ime do të jetë me arkitektët dhe urbanistët. Vlora do të shndërrohet në një qytet europian, ashtu siç meriton të jetë.

Shërbimet publike janë një kompetencë direkte e bashkisë. Çfarë mendoni të bëni për t’i përmirësuar ato?
Mendoj se kjo do të jetë sfida jonë më e madhe. Bashkia e madhe e Vlorës është një koncept i ri dhe për të qenë sa më konkretë ne kemi hartuar një program shumë të detajuar vetëm për këtë çështje. Të gjithë qytetarët e Vlorës do të trajtohen në mënyrë të barabartë në bashkinë e re. Ata do të kenë tek unë një mik dhe një derë të hapur për problemet e tyre. Do të ndërhyjmë menjëherë në ndriçimin e rrugëve dhe ambienteve publike. Pastrimi i qytetit dhe mbledhja e kazanëve të mbeturinave është një tjetër problem që do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Ne do të kryejmë modernizimin e transportit publik. Kemi hartuar një projekt konkret për mbulim me transport urban jo vetëm të qytetit të Vlorës, por të të gjitha qendrave të banuara brenda territorit të Bashkisë. Administrimi i Bashkisë do të jetë shumë transparent. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak do të shfaqen në faqen zyrtare të Bashkisë. Gjatë katër viteve të ardhshme Bashkia Vlorë do të ecë në drejtimin e duhur. Do të krijojmë një portal unik për të gjitha shërbimet e bashkisë duke thjeshtuar punën dhe shkurtuar kohën që harxhojnë qytetarët dhe bizneset në dyert e bashkisë. Do të vendosim standardin e vendimmarrjes qytetare për projekte të rëndësishme.

Ky është një premtim shumë inovator nga ana juaj, aq sa ka tërhequr vëmendjen edhe të njerëzve jashtë Vlorës. Si do të funksionojë kjo gjë?
Menjëherë do të nisim punën për të vendosur standardin e dëgjesave publike dhe votimin të qytetarëve për projektet që duan të zbatohen. Qytetarët e Vlorës do të jenë pjesë reale e të gjitha vendimmarrjeve të rëndësishme për qytetin. Për herë të parë në Shqipëri ne do të iniciojmë një projekt ku vetë banorët e Vlorës të votojnë përmes kartave të tyre të identitetit për projektet që ata duan për qytetin. Përmes këtij projekti ne synojmë që të rrisim transparencën dhe vendimmarrjen qytetare. Banorët do të mund të votojnë direkt nga kompjuteri i tyre, ose nga dhjetë pikat e votimit publik, të cilat do të ndërtohen në Vlorë. Për të votuar ata do të vendosin kartën e identitetit në pajisjen që lexon kartat dhe në ekran do t’u shfaqet pyetja për projektin konkret. Lexuesi i kartës njeh çipin që ndodhet në kartën e identitetit dhe një person mund të votojë vetëm një herë. Ky lexues karte është i lidhur online edhe me regjistrin e gjendjes civile, duke ndaluar në këtë mënyrë votimin nga persona që nuk janë banorë të Vlorës. Në këtë mënyrë ne u japim mundësi qytetarëve që të vendosin dhe nga ana tjetër shmangim burokracitë dhe kostot e mëdha që kanë referendumet. Kosto e këtij shërbimi do të jetë zero lekë.

Gjatë fushatës keni përmendur shpeshherë edhe çështjen e pronave. A mendoni se mund t’i jepni një zgjidhje përfundimtare këtij problemi?
Unë mendoj se një pronë e pa regjistruar është si një njeri pa emër. Madje dhe vlera e saj bie. Për këtë arsye ne kemi studiuar një program konkret përmes të cilit, brenda mandatit tim të parë, të gjitha pronat e Vlorës do të jenë të regjistruara dhe certifikuara. Nëpërmjet një projekti pilot, në bashkëpunim me zyrat qendrore dhe lokale të Regjistrimit të Pasurisë, prefekturën, qarkun etj., do të krijohen ekipe të veçanta, të cilat do të bëjnë regjistrimin e pronave me precedencë.

Zoti Leli, çfarë keni parashikuar për mbylljen e fushatës elektorale?
Mbyllja e fushatës sonë elektorale është konceptuar si një koncert festiv. Pas një muaji të lodhshëm për stafin tonë, por mbi të gjitha edhe për qytetarët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj nga zemra për mbështetjen që më kanë dhënë, ne do të organizojmë një koncert festiv. Kemi përzgjedhur dy këngëtarë shumë të dashur për publikun vlonjat dhe të gjithë shqiptarët, Besën dhe Alban Skënderaj. Koncerti zhvillohet ditën e premte (sot) në orën 21:00 në sheshin “Pavarësia” të Vlorës. Mendoj që është një rast i mirë jo vetëm për qytetarët e Vlorës, por edhe për turistët, që të shijojnë disa orë në shoqërinë e dy këngëtarëve të mrekullueshëm si Besa dhe Albani. Organizimi i koncerteve dhe aktiviteteve të tjera festive është pjesë e programit tim për zhvillimin e Vlorës për katër vitet e ardhshme. Do të shihni edhe vetë se sa shumë koncerte do të zhvillohen në të ardhmen në qytetin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/