Shkarkohet edhe gjyqtari Admir Thanza, fshehu dënimin në Itali

Jul 17, 2018 | 10:04
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ KPK ka njoftuar sot vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit te Gjykates se Larte, Admir Thanza. Vete Thanza nuk ishte i pranishem kur u dha vendimi.

***

Prokuroria e Përgjithshme ka kryer të gjitha verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, dhe e ka referuar dosjen e tij në Prokurorinë e Tiranës. Burimet thonë se kjo e fundit ka nisur procedim penal ndaj gjyqtarit.

thanza4

Thanza ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por gjyqtari, i cili javën që shkoi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk e ka pranuar konsumimin e veprës penale. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.

Ai u zotua se nuk e ka kryer veprën penale, për të cilën ka marrë dënimin. Megjithatë, mosdeklarimi i saj në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit në fuqi. Karriera e gjyqtarit Thanza ka pësuar një goditje të fortë, pasi edhe DSIK e nxori të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Sipas DSIK, Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit. Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij. Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjerë. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e parë, i ka shitur në shtator të vitit 2000. Po kështu, kujtojmë se sot në orën 10:00, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pritet që të jepet vendimi për Thanzën.

DËNIMI

Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai, bëhet kështu gjyqtari i parë që fsheh një dënim. Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ishkunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.

“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që ta shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht, kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, ka sqaruar Thanza javën që shkoi.

KONTAKTET

Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Thanza është i papërshtatshëm për detyrën. Thanza nuk ka deklaruar me vërtetësi një procedim penal të ngarkuar ndaj tij për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve që ushtrojnë detyra publike.

Kjo çështje rezulton që të jetë pushuar më 29 korrik 2016. Gjithashtu, ai nuk e ka plotësuar me korrektesë formularin përkatës, pasi nuk ka deklaruar kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ky veprim, sipas KPK-së, e ngarkon subjektin me përgjegjësi për plotësim të pasaktë dhe të pavërtetë të formularin. Kështu, DSIK ka konstatuar papërshtatshmëri të subjektit për të vazhduar detyrën. Ai ka pasur kontakte me ish-kryeregjistruesin e Shkodrës në kohën që ai ishte shpallur në kërkim.

Gjithashtu, Thanza ka takuar edhe bashkëshorten e Sh.B., teksa kjo e fundit ishte nën përgjim. Pas takimit në vitin 2016 në një lokal në Tiranë, shtetasja L.H. ka telefonuar Sh.B., duke i thënë se “pallati kushton 50 mijë euro”. Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për gjyqtarin, por për moskompetencë, e kaloi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila pas dy muajsh e pushoi atë, duke mos administruar si provë një video ku shihet se gjyqtari shkëmben para me shtetasen L.H.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura