Kryeministri nuk mund të kritikohet më për sulmet ndaj Bashës

Nov 18, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Me sulmet ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, mbi gjoja marrjen pjesë të Bashës në hetimin ndaj luftëtarëve të UÇK-së, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka tejkaluar çdo manual, çdo libër të strategjive të luftës politike apo të propagandës.

Lee Atwater, ish-strategjist i famshëm amerikan i fushatave politike, themeluesi i strategjive negative, i njohur si babai i përdorimit të sulmit ndaj kundërshtarit politik që nga vitet ‘80-të (dhe si njeriu që i ktheu këto lloj sulmesh në një shkollë që u ndoq gjerësisht më pas) shprehej se këto lloj fushatash janë shumë delikate dhe duan një kujdes ekstrem. Ai thoshte se një përdorim i tillë sulmi kërkon domosdoshmërisht plotësimin e tri kushteve, përndryshe ky sulm do të kthehej i gjithi mbi atë që e kryente sulmin dhe ai mund të rrënohej politikisht. Këto kushte kërkonin që ngjarja apo historia që po publikohej për sulmin ndaj kundërshtarit të ishte e vërtetë 100%, ajo ngjarje të lidhej drejtpërsëdrejti me punën dhe funksionet e personit dhe ai që kryente sulmin duhet që vetë të ishte plotësisht i pastër nga gjërat apo morali, për të cilin po akuzonte kundërshtarin. Lee Atëater thotë se i gjithë suksesi i tij kishte ardhur nga fakti që ai i kishte ndjekur me përpikëri këto kushte. Atëater ka drejtuar fushatën e disa presidentëve, senatorëve, guvernatorëve etj.

Strategjitë e Atwater-it janë të pashpirta, nuk kanë asnjë shtysë morale. Ato kanë synim vetëm rezultatin. Jemi duke folur për një luftë të egër politike ku nuk njihen kufij. Megjithatë, duhet thënë që Lee Atëater nuk përfshiu kurrë në strategjitë e tij çështjen kombëtare. Po marrim në shqyrtim Atëater-in si më ekstremin, duke pasur parasysh se Rama gjithashtu nuk njeh shtysa të tjera veç rezultatit. Rama ka treguar në këto 30 vite (22 prej të cilave në funksione të larta politike) se ai është njeriu tipik që luftën politike e kryen pa asnjë kufi, me çdo mjet. Për të ekziston vetëm politika dhe pushteti dhe asgjë tjetër. Pra, Lee Atwtaer, duke qenë në një lloj mënyre ekstremi i deritanishëm i strategjive negative në politikë, mund të jetë i vetmi matës për Ramën.

Gjëja e parë që ka tejkaluar Rama është se ai ka përfshirë në sulmin kundër Bashës çështjen kombëtare, Kosovën, luftën e UÇK-së. Për Ramën nuk ka rëndësi se çfarë pasojash kanë këto sulme mbi luftëtarët e UÇK-së që janë në Hagë, çfarë pasojash kanë këto akuza mbi politizimin dhe ndasitë që krijohen me Kosovën. Për Ramën nuk kanë rëndësi njollat që mund t’i vihen luftës së Kosovës etj. Ndërkohë, sipas Atwater, nëse preket interesi kombëtar, edhe po të plotësohen kushtet që thotë ai, nuk duhet të përdoren këto lloj sulmesh. Është e papranueshme. Në një demokraci kjo ky kufi nuk kalohet. Le t’i shohim pak më në detaje nëse sulmet e Ramës plotësojnë apo tejkalojnë tri kushtet, për të cilat flet Lee Atwater. A janë akuzat e Ramës se Basha ka ndihmuar në hetimin ndaj UÇK-së apo se Basha ka marrë kasetën e masakrës së Krushës së Madhe, me qëllim që të bllokojë hetimin e krimeve serbe të vërteta. Në lidhje me akuzën e Ramës për hetimin e luftëtarëve të UÇK-së nga Basha e vërteta doli prej Kryeprokurorit Williamson, që tha se Basha nuk ka asnjë lidhje në të. Nuk ia vlen të zgjatesh duke thënë se Sami Lushtaku, ish-luftëtar i rëndësishëm i UÇK-së tha se këto janë sajesa, se Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, i hodhi poshtë këto lloj akuzash, se Baton Haxhiu tha se beson se Basha nuk ka hetuar UÇK-në etj., etj. Siç dihet, vetë Prokuroria Ndërkombëtare nuk ka akuza për me demek Shtëpinë e Verdhë, ndonëse Rama akuzoi Bashën se ai ka hetuar edhe për Shtëpinë e Verdhë.

Në lidhje me kasetën për masakrën e Krushës së Madhe, duhet thënë se ajo doli një rrenë edhe më e trashë. U mësua botërisht nga Dashnor Peza, i cili tha se atë kasetë e ka marrë BBCja dhe e ka transmetuar. Çdo gjë tjetër në lidhje me atë kasetë është muhabet kot, sepse ajo e ka luajtur rolin e saj në njoftimin e botës për krimet dhe në Gjyqin në Hagë. Televizioni “Top Channel” i është bashkuar fushatës së Ramës, duke publikuar një intervistë të Latif Gashit, ishluftëtar i UÇK-së, që thotë se Basha ka marrë pjesë në arrestimin e tij dhe se ai e ka njohur Bashën, ndonëse Basha ishte me maskë. Këto janë maskarallëqe të televizioneve, të cilat nuk kanë për qëllim që të transmetojnë të vërtetat, por janë departamente të partive politike. Si mund të transmetohet një dëshmi e tillë kur dikush thotë që e njoha dikë, ndonëse ai ishte me maskë dhe bëhet fjalë për vitet kur Basha ishte 20 e ca vjeçar dhe nuk ishte fare figurë publike dhe Gashi nuk e kishte parë mijëra herë në TV si tani. Në SHBA ekziston një lloj dëshmie që mund të paraqitet në Gjykatë nga një person, i cili nënshkruan nën betim se nëse ajo del e gënjeshtërt, atëherë ai pranon dënimin. Këto quhen affidavits dhe në mbi 90% të rasteve gjykatat i quajnë hearsay, i quajnë thashetheme. Tani që flasim, fushata e Presidentit Trump po paraqet qindra affidavits dhe gjykatat nuk po i pranojnë. Imagjino tani dëshminë e Gashit, që thotë e njoha, ndonëse ishte me maskë.

Shkurt, Rama ka orkestruar një fushatë me sajesa të rënda kundër Bashës. Ai ka treguar kujdesin djallëzor që vetë të pyesë se pse Basha nuk kthen përgjigje, apo çfarë roli kishte Basha te hetimet ndaj UÇK-së, ose çfarë roli kishte Basha te kaseta e Krushës së Madhe dhe të mos pohojë. Kjo anë djallëzore e bën edhe më të rëndë pozitën e tij në këto akuza të ngritura nga hiçi, gjasme prej të tjerëve. Autori i atyre akuzave dhe sajesave është vetë Rama. Pra, kushti i parë ka rënë. Sulmet e Ramës nuk bëhen për një ngjarje të vërtetë, nuk tregojnë një ngjarje të vërtetë, por një sajesë. Këtu, në fakt, do të duhet të ndalej shqyrtimi i dy kushteve të tjera, megjithatë le t’i shohim.

Kushti i dytë, që detyra e personit që akuzohet duhet të ketë lidhje me ngjarjen, plotësohet  në njëfarë mënyre, ndonëse jo krejtësisht. Basha është kryetar i opozitës dhe aktiviteti i tij para se të merrej me politikë ka rëndësi, në kuptimin që na tregon se çfarë përfaqëson ai. A përfaqëson ai një njeri që nuk ka ndjeshmëri për çështjet e kombit, për sakrificat dhe vuajtjet e bashkëkombësve apo na tregon një njeri që e do dhe i dhemb kombi i tij. Me sajesat që ka bërë Rama, të cilat para gjithë shqiptarëve u zbuluan si rrena të trasha, është e qartë se Basha ka pasur një rol dinjitoz dhe ka qenë në anën e shqiptarëve në punën e tij si ekspert apo këshilltar ligjor, ndonëse kjo ka qenë një detyrë në një moshë shumë të re dhe pa asnjë lidhje me politikën dhe që kërkonte neutralitet. Këto në jetën profesionale janë virtyte.

Kushti i tretë, që kërkon që Rama vetë të jetë i pastër nga ajo për të cilën akuzon kundërshtarin, që kërkon që Rama të mos ketë bashkëpunim me serbët apo me të tjerë kundër Kosovës, në këtë rast është shumë larg dhe nuk duket se plotësohet fare.

Bindjet e Ramës, sipas vetë Ramës, janë ato kozmopolite. Rama vetë nuk beson shumë te nocione të tilla si kombi, atdheu dhe kësisoj nuk ka ndonjë ndjesi shumë të madhe për pjesë të ndryshme të kombit. Përtej kësaj, e cila është një bindje personale kulturore apo ideologjike (e cila është një mënyrë e të shikuarit të botës dhe nuk të bën me faj) Rama gjatë qeverisjes së tij mbi shtatëvjeçare mbahet mend si njeriu që në hije, fshehtas, ra dakord me Presidentin serb, Vuçiç, dhe atë të Kosovës, Thaçi, që kufijtë e Kosovës të ndryshohen. Kjo gjë është denoncuar nga Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi. Edhe ambasadori Grenell ka thënë se ka pasur një plan për të ndryshuar kufijtë e Kosovës, plan i cili përkrahej në mënyrë joaktive nga ish-këshilltari për sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton. Ky plan kishte buruar nga Serbia dhe ishte shtrirë në “tryezat” e Ramës dhe Thaçit. Thaçi, madje, ka folur publikisht për “korrigjim” kufijsh, ndërsa Rama ka thënë se ai që quan Thaçin tradhtar për këtë gjë, është budalla. Ky plan i poshtër ra me rënien e Bolton (i cili ra për arsye të tjera).

Rama, gjithashtu, ka përkrahur dhe nënshkruar një marrëveshje për Minishengenin, në të cilin nuk është Kosova. Kjo, pa dyshim që nuk është në interes të Kosovës. Politikanë të rëndësishëm dhe qeveritarë të lartë, ish-Kryeministri i Kosovës, kanë qenë kundër Minishengenit si diçka që dëmton Kosovën. Pra, Rama jo vetëm që nuk është i pastër në lidhje me interesin kombëtar apo Kosovën, por duket se ka shkuar larg në nxjerrjen në treg të interesit të saj.

Atëherë, pse Rama shkoi kaq larg, duke sajuar këto akuza për Bashën? Dhe më e rënda: pse Rama, edhe pas rënies së plotë të këtyre akuzave, vazhdon t’u fryjë atyre? Pse Rama, kur gjithë bota e di që ato janë sajesa dhe ato po i kthehen kundër Ramës, vazhdon të flasë për to? Pse Rama ka tejkaluar çdo libër apo manual të politikës apo të propagandës dhe po sillet në një mënyrë që dëmton veten e tij? Filozofi Arthur Shopenhauer ka përpiluar 38 stratagjema se si duhet përballuar një debat. Stratagjema e fundit fare, pasi kanë shteruar 37 të tjerat, kur ka shterur çdo argument logjik, çdo argument moral, çdo e drejtë dhe çdo fakt është sulmi personal ad hominem. Në këtë pikë, Shopenhaur thotë se duhet sulmuar, sharë dhe fyer kundërshtari, duke i sulmuar atij karakterin dhe sjelljen. Edhe në këtë pikë Shopenhauer nuk flet për shpifjen apo sajesat. Pra, e eliminon shpifjen.

Rama ka tejkaluar edhe këtë pikë. Ai ka vite që shan dhe fyen kundërshtarin. Tani, me sulmet e fundit, e ka tejkaluar edhe këtë pikë plotësisht. Pse? Të tejkalosh në mënyrë kaq të trashë dhe kaq kundër vetes edhe strategjitë ekstremiste të Atwater dhe të tejkalosh edhe “këshillën” e 38-të dhe të fundit fare të Shopenhauer dhe të hysh në jerm, të biesh në kllapi, të bësh sulme të verbra me sajesa dhe rrena të trasha ndaj kundërshtarit duke e parë që gjithë populli e kupton rrenën, ka arsye shumë të forta dhe shumë të rënda.

Kjo arsye është se Rama tashmë është kthyer në një zombi. Dështimet e rënda me ekonominë dhe korrupsionin, mjerimi dhe papunësia, borxhi i lartë publik, mungesa e parave, dështimi i rëndë më pandeminë, e kanë kthyer atë në një të vdekur (politikisht) që ecën. Rama është kthyer në zombi edhe nga fakti që sjellja e tij me Kosovën dhe çështjen kombëtare ishte shumë problematike, ai u takua shpesh me Vuçiç, hyri ndoshta në një ëndërr me paqe rajonale dhe çmime “Nobel” dhe arriti deri në marrëveshje apo diskutime të fshehta për ndryshimin e kufijve. Një sjellje e tillë e ekspozon atë si njeri që nuk vuri interesin e Kosovës para atij të pushtetit të vet. Ky ekspozim e bën gjendjen e tij prej zombi edhe më të rëndë. Zombit janë më së shumti pjesë e folklorit të vjetër haitian dhe afrikan dhe janë njerëz të vdekur që ecin, të cilëve iu mungon një gjymtyrë apo një sy, u mungojnë disa gjymtyrë, disa të tjera u rrjedhin si lëng etj. Zombi është edhe një metaforë politike që shënjon një politikan të dështuar, një të vdekur që ecën në këmbë me mungesë të shumë organeve, një hije, një fantazmë, i cili nuk mund të kthehet në jetë, nuk mund të prodhojë më asgjë, nuk mund të ringjallet, nuk e beson askush dhe nuk i ka mbetur asgjë për të bërë. Zombit në këtë pikë vetëm mund të shohin për të kafshuar ndonjë njeri. Këtë thotë folklori për ta dhe këtë e shohin si metaforë edhe politologët. Zombit kanë prirjen të kafshojnë ose mendojnë të kafshojnë. Edhe kafshimi i zombit është si kafshimi i zombit, nuk bën efekt, përkundrazi, bën të shfaqet më shumë natyra e zombit.

Në këto kushte, Rama nuk mund t’i qëndrojë më asnjë libri, asnjë strategjisti edhe më ekstremistit sepse Rama nuk është më në botën e të gjallëve politikë. Në këtë pikë, Rama as nuk mund të kritikohet më. Ai thjesht duhet lënë të bëjë atë që një zombi bën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura