ERVIN KOÇI/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka censuruar të dhënat e procesit të votimit për zgjedhjet e 30 qershorit. Në faqen online të institucionit, ndryshe nga tri proceset zgjedhore të shkuara që kur u impelentua në masë teknologjia për dhënien e informacioneve në kohë reale, këtë herë të dhënat për procesin e numërimit janë të cunguara.
KQZ, për këtë proces zgjedhor, futi në faqen e saj një seksion të ri për dhënien në kohë reale të informacioneve mbi procesin e numërimit të votave, por ky informacion vjen i cunguar. Konkretisht, në numrin e votave që publikon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mungojnë të dhënat për numrin e votave të pavlefshme në kutitë e votimit, ndarja e votave në bazë të njësive administrative apo vendore, të dhëna këto që kanë qenë të publikuara në zgjedhjet e shkuara.
Në proceset e mëparshme zgjedhore, konkretisht ato për zgjedhjet vendore të vitit 2015, në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve publikoheshin të dhënat edhe në bazë të qendrave të votimit për të bërë sa më transparent këtë proces. Por këtë herë, të dhënat janë fokusuar vetëm te votat për kandidatët për kryetarë bashkie në bazë të bashkisë, duke i unifikuar të dhënat.
PROBLEMATIKA
Çimentimi i institucionit, i cili bën administrimin e zgjedhjes, duket se rrit edhe më shumë dyshimin për mënyrën sesi po procedohet me procesin zgjedhor të këtij viti. Këto dyshime ngrihen edhe më shumë me të dhënat kontradiktore që ka dhënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi numrin e votuesve që morën pjesë në votime, krahasuar me votat e gjetura brenda në kuti. Mosdhënia e informacionit mbi votat e pavlefshme në këtë proces zgjedhor e rrit edhe më shumë dyshimin mbi transparencën e institucionit.
Konkretisht, krahasimi i bëri deri tani me të dhënat e dhëna nga KQZ mbi pjesëmarrjen dhe atyre të gjetura në kuti, është bërë në bazë të votave që kanë marrë kandidatët, por pa përllogaritur numrin e votave të pavlefshme, të cilat në këtë proces zgjedhor kanë qenë më të lartat se çdo proces zgjedhor. Nëse bashkohet ky numër që vjen nga monitorimet në terren, rezulton që numri i dhënë për pjesëmarrjen nga KQZ është më i vogël me numrin e votave të gjetura në kuti, duke përfshirë këtu edhe votat e pavlefshme.
Kësisoj, mungesa e të dhënave për çdo qendër votimi, që përkthehet për çdo kuti votimi në këtë proces zgjedhor, ngre dyshime mbi transparencën dhe rregullsinë e procesit. Ajo që nuk u kuptua është se përse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të ndryshonte mënyrën e publikimit të dhënave në faqen e saj online, duke qenë se metodika e ndjekur në proceset e shkuara zgjedhore ka qenë komplet transparente.
© Panorama.al












