Kolaudimi i makinave, Konkurrenca del me propozim: Ndryshoni …

Feb 24, 2019 | 15:24
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Në fillim të muajit shtator të këtij viti përfundon kontrata koncesionare e kompanisë “SGS Albania” për kontrollin teknik të makinave.

auto_trafik1-1-550x2891491835206

Por shumë afër përfundimit të afatit të kontratës koncesionare, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar qeverisë të liberalizojë tregun e kontrollit teknik të makinave, si dhe të rishikojë afatin e testimit të kolaudimit.

Shkak i këtyre rekomandimeve janë abuzimet e konstatuara nga Autoriteti i Konkurrencës te kompania “SGS Albania” me pozitën e saj dominuese, për të drejtat ekskluzive që gëzon në kontrollin teknik të makinave. Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë me gjobë në vlerën e 51 milionë lekëve. Rekomandimet e qeverisë dhe përfundimi i hetimit të koncesionarit jepen në raportin vjetor për 2018 të Autoritetit të Konkurrencës.

RAPORTI

Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë që të liberalizojë tregun e kontrollit teknik të makinave. Autoriteti, ndër të tjera, rekomandon edhe rishikimin e afatit për kolaudimin e makinave.

“T’i rekomandohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si vijon: liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse e ofron pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian. Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me certifikatën e kontrollit teknik”, rekomandohet në raport. Po ashtu, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 51 milionë lekë kompaninë koncesionare, pasi ka abuzuar me ekskluzivitetin e tregut.

Ndër të tjera, Autoriteti i Konkurrencës i kërkon kompanisë koncesionare të përmirësojë cilësinë e shërbimit. “Të zbatojë në mënyrë të menjëhershme detyrimin ligjor për ofrimin e shërbimit cilësor, të kënaqshëm, duke vënë në përdorim QKTL-të pranë qendrave të kontrollit teknik me fluksin më të madh të klientëve. Të hartohet një plan për rishikimin e rishpërndarjes së posteve të ofrimit të shërbimit, me qëllim rritjen e eficiencës dhe ngritjen e nivelit të shërbimit, në kuptimin që në ato qendra të kontrollit teknik ku postet janë të papërdorura apo në një nivel të ulët përdorimi, të mund të sillen drejt qendrave të kontrollit teknik ku ka fluks më të lartë. Të hartojë një plan masash për ofrimin dhe përmirësimin e shërbimit në tregun e kontrollit teknik për automjetet, me kushte më të mira tregtimi në përputhje me kontratën dhe të njoftojë pranë Autoritetit të Konkurrencës”, thuhet në raport.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura