Këtu dënohen vetëm armiqtë

Mar 3, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE


MARK MARKU

  Tom Doshi është në Partinë Socialiste prej më se 6 vitesh. Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë aktor politik të rëndësishëm apo të parëndësishëm të kësaj partie të ketë ngritur ndonjë akuzë publike kundër tij apo që të ketë shprehur ndonjë pakënaqësi, asado të vogël për të.

Është akuzuar nga PD, sidomos pas 21 janarit si një nga organizatorët e kësaj proteste. Personazhe të rëndësishme publike dhe mediatike e kanë marrë në mbrojtje sa herë është sulmuar, madje jo pak prej tyre e kanë parë si një shtyllë të fortë, ku opozita e atëhershme duhej të mbështetej për rrëzimin e Berishës. Dhe vërtet kishin të drejtë, pasi në Shkodër, zonë ku ai ka edhe ndikimin më të madh, PD mori goditjen më të madhe elektorale në këto 25 vite të pluralizmit politik në Shqipëri dhe PS rezultatin më pozitiv.

Tom Doshi është përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dje, pas disa akuzave që i kishte bërë Kryeministrit Edi Rama. Ajo që të bie në sy, është se pikërisht ai që shihej si një hero nga pjesa më e madhe e socialistëve, sot është gjendur jashtë kësaj partie me një vendim të marrë në mënyrë unanime dhe pa hezitimin më të vogël. Dhe gjithë ata që kanë krijuar mitin e Tom Doshit si hero i luftës për rrëzimin e Berishës nga pushteti, janë hedhur në sulm për të krijuar mitin e Tom Doshit si një i inkriminuar që shantazhon Kryeministrin Edi Rama dhe synon të mbajë peng qeverinë e tij, a thua se Tom Doshi ka rënë pikërisht këto ditë si diversant nga qielli i korrupsionit direkt në grigjën e pakorruptuar socialiste.

Përjashtimi i Tom Doshit po serviret si pjesë e luftës për dekriminalizimin e Parlamentit shqiptar dhe politikës. Natyrisht do duhej përshëndetur çdo nismë e tillë. Problemi qëndron se ndaj Tom Doshit nuk është ngritur deri tani ndonjë akuzë nga ana e qeverisë, që e denoncon atë si të inkrimuar. Ai për momentin është përjashtuar nga Partia Socialiste se ka ngritur akuza kundër ministrave dhe vetë Kryeministrit Rama. Të vërteta apo të pavërteta (kjo mbetet për t’u vërtetuar nga organet e Drejtësisë), ato janë bërë publikisht dhe Tom Doshi ka deklaruar se zotëron prova diskredituese që do të “trondisnin nga themelet” maxhorancën.

Fakti që fill pas akuzave të Tom Doshit, qeveria, Grupi Parlamentar i PS-së dhe Kryeministri Rama e përjashtojnë atë nga Grupi Parlamentar dhe i vihen punës për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se këtë po e bëjnë për të shpëtuar Parlamentin dhe politikën nga të inkriminuarit e bën aksionin e tyre të pabesueshëm, për të mos thënë qesharak. Dhe do të mjaftonin vetëm disa pyetje krejtësisht naive për ta shfryrë tullumbacen e propagandës qeveritare.

Edhe më naivi do të pyeste: Po përderisa ishte i tillë, pse e thirrët në PS? Pse hynte e dilte në zyrën e Ramës si në shtëpinë e vet? Pse i mashtruat dhe u tallët me qytetarët e Shkodrës duke u caktuar si kandidat për deputet një të inkriminiuar? Pse e patët deputet 6 vjet? Pse?…

Është pra shumë e vështirë të pranohet edhe nga mendja më naive se Tom Doshi është viktima e parë e luftës për dekriminalizimin e politikës dhe Parlamentit shqiptar. Ai është një nga armiqtë e Kryeministrit Rama dhe po sulmohet së pari si armik i tij. Se në këtë vend vetëm armiqtë dënohen dhe janë të këqij

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura