Izet Haxhia rrëfen para ekstradimit: Ju tregoj klanin mafioz që urdhëroi vrasjen e Azem Hajdarit

SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës ka marrë në dorë vendimin e ekstradimit në Shqipëri. Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë e Turqisë vendosi t’i hapë rrugë ekstradimit për në Shqipëri të Haxhias, i dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari.

izet-haxhia

Për më shumë se 7 vjet, drejtësia turke e kishte bllokuar kthimin e tij në Shqipëri, ndonëse e mbajti në burg për 4 vjet e 4 muaj, kur u arrestua fillimisht në Kushedasi, me qëllim ekstradimin. Haxhia pak orë përpara arrestimit të tij dhe fillimit të procedurave për rikthimin në Shqipëri, ka rrëfyer në një intervistë nga Turqia për “Panorama”, hapat që do të ndjekë menjëherë pasi të përballet me institucionet shqiptare. Në rrëfimin e tij, Haxhia deklaron se nuk ka asnjë garanci për jetën dhe ka bindjen se ndaj tij do të përdoren të gjitha metodat për ta eliminuar fizikisht. Por sipas ish-truprojës së Berishës, me rikthimin e tij në Shqipëri, pas 19 vjetësh, do të kërkojë edhe rihapjen e çështjes “Hajdari”, për të qartësuar jo vetëm pozicionin e tij për ngjarjen për të cilën akuzohet, por edhe për të folur me emra për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Z.Haxhia, si ndiheni për këtë rikthim pas gati 2 dekadash në vendin tuaj? Kujtojmë, se në vitin 2006 kur jeni arrestuar në Turqi, avokati juaj e ka refuzuar ekstradimin tuaj, me pretendimin se ju rrezikohej jeta, pasi ishte Berisha në pushtet. Përse nuk e keni refuzuar këtë herë ekstradimin?

Unë asnjëherë nuk e kam refuzuar ekstradimin për në Shqipëri. Ajo që unë apo avokati im ka kërkuar nga Gjykata turke është që të më jepet garanci nëpërmjet shtetit turk që kur të kthehem në vendin tim, t’i nënshtrohem një procesi të rregullt dhe të pavarur gjyqësor. Kam kërkuar që kur të rikthehem në Shqipëri të mos i nënshtrohem presioneve dhe kërcënimeve që cenonin edhe sigurinë time fizike nga ana e qeverisë, e cila do të kërkonte të më bënte të hesht. Shteti turk nuk ka pranuar që të m’i japë këto garanci që unë kam kërkuar, por ka vendosur t’i kërkojë shtetit shqiptar që të më japë garancitë e kërkuara. Qeveria e Berishës e asaj kohe, përmes ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmajli, i ka dhënë garancitë për mua dhe mes të tjerave ka pranuar edhe kërkesën për rigjykimin tim nga një Gjykatë e Pavarur. Por se si mund të ishin ato garanci dihen… Qeveritë shqiptare të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Tani jam përballë një fakti të kryer, vendimin e Gjykatës së Lartë dhe nga momenti në moment pres që të vijë të më arrestojë Policia turke. Të gjitha procedurat e ekstradimit janë të mbyllura pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë turke, që miraton vendimin e Gjykatës së Lartë. Jam shumë i qetë, por kam edhe emocione, që pas rreth 19 vjetësh do kthehem në atdheun tim të dashur e të vuajtur, në atdheun tim që Zoti e bëri parajsë, por politikanët e paudhë e kthyen në një vend të pabanueshëm.

Ju keni pretenduar në atë kohë se ishte qeverisja e Berishës ajo që ju rrezikonte jetën. Po tani, që është një qeveri e majtë në qeverisje, ndiheni i kërcënuar?

Berisha mund të mos jetë në pushtet, por falangat e tij të krimit janë të shtrira në të gjithë institucionet shqiptare, duke filluar nga Shërbimi Sekret, Gjykatat, Prokuroria, Policia e Burgjeve etj.. Por mua nuk më trembin as falangat e Berishës, as ato të Metës dhe as të Ramës. Prangat nuk më trembin dhe nuk ma marrin dot lirinë. Unë e ndiej veten të qetë përpara Zotit, se në jetën time nuk kam bërë asnjë krim apo diç- ka tjetër, për të cilën ta ndieja veten fajtor apo ta mbaj kokën ulur. Nuk më trembin as armiqtë e shumtë si hiena, që do mundohen ta çojnë deri në fund asgjësimin tim, të cilin e kanë tentuar disa herë.

Po thoni se nuk keni garanci për jetën tuaj dhe se mund t’ju eliminojnë fizikisht?

Unë nuk kam asnjë garanci për jetën dhe jam i sigurt që me metodat mafioze, që ata dinë t’i përdorin shumë mirë, do mundohen të më eliminojnë. Por e thashë edhe njëherë se kjo gjë nuk më tremb. Dua të sqaroj se gëzoj shëndet të plotë dhe dua që nesër të mos thonë se vdiq nga infarkti i miokardit apo nga sëmundja e kancerit që ata dinë shumë mirë ta injektojnë nëpërmjet ushqimeve të helmuara.

Keni deklaruar se do të kërkoni rihapjen e çështjes “Hajdari” kur të vini në Shqipëri. Keni prova të reja lidhur me këtë proces, pasi, siç edhe besoj jeni në dijeni, Gjykata ka një vendim të formës së prerë për atë çështje, për të cilën edhe ju po ekstradoheni?

E citova edhe më sipër, që është e drejta ime ligjore që të kërkoj rihapjen e çështjes “Hajdari” për shkak se jam gjykuar në mungesë, pa prova dhe pa pasur të drejtën e mbrojtjes. Përpara këtyre akuzave të rreme, edhe në garancitë që jep ministri i Berishës për Gjykatën turke pranon se do të bëhet rigjykimi i kësaj çështjeje. Gjithashtu, edhe në bazë të Konventave Europiane Të të Drejtave të Njeriut, pika 3, unë kam të drejtë të kërkoj hapjen e kësaj çështjeje të mbyllur me unanimitet nga politika e të dy krahëve. Sigurisht që unë do të paraqes provat e mia që implikojnë disa persona shumë të rëndësishëm në këtë vrasje…

Mund të na thuash diçka më shumë për këta persona?

Këta persona janë pjesë e një klani politik e mafioz shumë të fuqishëm, me qëllime të caktuara. Nuk është përmendur emri i tyre si projektues dhe urdhërdhënës të vrasjes së Hajdaritl por edhe të ministrit të Bukoshit, Ahmet Krasniqi. Unë e kam guximin t’i shoh në sy të gjithë ata që më kanë akuzuar me të padrejtë dhe në mënyrë tinëzare. Kur këto hiena t’i kem përballë në sallën e gjyqit, atëherë do të ballafaqohem me të vërtetat e mia që do të jenë makthi i tyre. Nuk kam besim te drejtësia, pasi ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një patericë e fuqishme e politikës.

Te lidhura

 

Artikulli paraprak“Korrupsioni i lartë shtetëror kryeministror në Shqipëri, ka kaluar nga frika tek e frikshmja”
Artikulli tjetërFOTOT/ Sekretet e Elvana Gjatës, si e thërrasin shkurt, numri me fat dhe...

1 KOMENT

Comments are closed.