Intervista/ Portieri Alban Hoxha: Pushimet e para me djalin, e vërteta e “konfliktit” me familjen e gruas

Aug 13, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

1

Për portierin e Partizanit, ky nuk ka qenë një vit aspak i lehtë. Krahas sukseseve që korri në karrierë, Albani u përball me një humbje të madhe, atë të partneres së tij. Megjithatë, dhimbjen ka ditur ta kthejë në forcë, që ia ka dhënë i biri, Beko. Si një baba shembullor na rrëfen se i përkushtohet në çdo detaj djalit, përveç ndërrimit të pelenave. Fjalët e para të Bekos kanë qenë sa emocionuese, edhe të dhimbshme. “Është moment shumë i bukur, por dhe i vështirë, një foshnjë e vogël 9 muajsh që thotë mama dhe s’e ka pranë të ndjejë ngrohtësinë e nënës”. Pas historisë tragjike që ndodhi me bashkëshorten e tij, Albani thotë se nuk i beson mjekësisë shqiptare dhe gjithçka ndodhi ia ka lënë në dorë drejtësisë.

Mbyllni një sezon të suksesshëm në karrierën tuaj, sa është rritur Albani profesionalisht?

Po, është e vërtet, ka qenë një sezon i suksesshëm. Për vetë faktin që theva një rekord 30­vjeçar, me thirrjen time në kombëtare. Plus dhe pjesëmarrjen në Evropë, që Partizanit kishte vite që i mungonte. Sigurisht që jam rritur shumë profesionalisht, pasi tani kam dhe eksperiencën e duhur për të luajtur në çdo kompeticion.

A keni menduar të bëni karrierë jashtë kufijve të Shqipërisë?

Po sigurisht që e kam menduar, pasi dua ta provoj veten në një kampionat më të fortë, jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo do të ishte gjëja e duhur që mund të bëj tani. Keni marrë oferta joshëse nga klube të njohura ndërkombëtare? Ka pasur disa oferta, por jo se kanë qenë joshëse. Kanë qenë oferta që s’më kanë interesuar. Unë e kam thënë dhe më përpara, nëse shkoj jashtë, shkoj te një ekip i njohur, përndryshe jam shumë mirë te Partizani.

 Si e ndoqët ju ndeshjen Serbi­-Shqipëri?

 Si pjesë e kombëtares që isha. Me ankth dhe me dëshirën për ta fituar atë ndeshje. Nëse do të ishit ju atë mbrëmje në fushë, si do të kishit vepruar? Faktikisht unë kam qenë në pankinë në atë ndeshje dhe në ato momente është e vështirë të mendosh si do të veprosh. Mendonim vetëm të shpëtonim gjallë prej andej, pasi ka qenë shumë e vështirë të ishe në mes të 32 mijë tifozëve të egërsuar. Edhe tani kur i shoh ato pamje, e kam të vështirë, më duket sikur ishim në betejë lufte e jo në një ndeshje futbolli.

Ndërkaq, nuk ka qenë një vit i lehtë në familjen tuaj, ku e keni gjetur forcën pas humbjes së bashkëshortes suaj?

Vërtet që s’ka qenë aspak e lehtë. Forca më e madhe e imja ka qenë djali im. Jam munduar ta kaloj duke u marrë me djalin gjatë gjithë kohës së lirë. Duke bërë rutinën e përditshme dhe pse nuk është e lehtë, por mundohem sado pak të largoj mendjen. Janë disa gjëra që s’i kemi ne në dorë. A është Albani një baba që ndërron pelenat, përgatit ushqimin e djalit? Po sigurisht që është, edhe pse koha nuk më lejon të jem shumë pranë djalit, por në momentet që jam në shtëpi, mundohem t’ia bëjë të gjitha ta vë në gjumë, t’i përgatis qumështin, përveçse t’i ndërrojë pelenat, për ato nuk ia them hiç.

Ka filluar djali të thotë fjalët e para, si e kaloni kohën e lirë me të?

Ka filluar të thotë “baba, mama”. Është moment shumë i bukur, por edhe i vështirë që një foshnjë e vogël 9 muajsh që thotë mama dhe s’e ka pranë të ndjejë ngrohtësinë e nënës. Në kohën e lirë me djalin mundohem të bëj shumë gjëra. E marr në kafe, pasi ka shumë qejf kur del nga shtëpia, ose i bëj xhiro me makinë, sepse edhe makinën e pëlqen shumë. Përpiqem të bëj ato gjëra që ai pëlqen. Ka ardhur t’ju shikojë në stadium teksa ju luani djali? Po, ka ardhur disa herë në stadium, jo se ai kupton ndonjë gjë, por meqenëse dëshira ime është të bëhet sportist dhe mundohem ta mbaj sa më pranë ambientit të sportit, sepse është e rëndësishme që në vogëli ai të jetë i pranishëm në një ambient sporti

Në media qarkullon lajmi për disa konflikte mes jush dhe familjarëve të bashkëshortes suaj, a ka diçka të vërtetë?

Jo, nuk është e vërtet që kemi konflikt, por si në çdo fushë, edhe gazetaria shqiptare lë për të dëshiruar. Në shumicën e rasteve mundohen të bëjnë bujë jo me gjëra të vërteta, mjafton të shesë lajmin. Unë e kam thënë dhe më përpara, ky ka qenë një rast i rrallë dhe djali nuk është regjistruar në trungun tim familjar, pasi unë me Dorin nuk kishim celebrim dhe është regjistruar automatikisht në familjen e Dorit. E vetmja mundësi e ligjit shqiptar që të marr atësinë e djalit është një gjyq formal kundrejt vjehrrit tim. Kaq, asgjë më shumë.

Si u ndjetë kur mësuat se e ndarja nga jeta e partneres suaj kishte ndodhur nga pakujdesia e mjekëve, a besoni më në mjekësinë shqiptare?

U ndjeva shumë keq dhe akoma vazhdoj të ndjehem po aq keq si në momentin kur mësova lajmin. Unë nuk kam besuar as më përpara tek mjekësia shqiptare e jo më tani. Po të shkosh në spitalet tona, çdo njeri e kupton si mjekët dhe infrastruktura janë të mjerueshme, megjithatë në këtë vend jetojmë, s’kemi ç’bëjmë. Unë dua t’ia lë çdo gjë drejtësisë në dorë, le të veprojë ajo.

Ku do të pushoni këtë verë?

Unë nuk është se kam pushime tani në verë. Pas eliminimit në Europa Ligë, kisha 10 ditë pushime dhe shkova me djalin në plazh. Puna që kam nuk më lë të kem pushime, megjithatë ato 10 ditë i shfrytëzova në maksimum. Përveç pushimeve me familjen, a do të bëjë Albani dhe pushime me shoqërinë? Meqë unë shumicën e shokëve i kam sportistë, edhe ata si unë e kanë kohën dhe shkojmë ndonjëherë të dielave në plazh, se vetëm të dielën kemi pushim.

Si janë përgjithësisht pushimet tuaja, me aktivitete fizike apo në relaks të plotë?

Janë në relaks të plotë, sepse 11 muaj të vitit jam në aktivitet fizik. Jo sepse nuk kam dëshirë të kryej aktivitet fizik, por është shumë e rëndësishme pushimi pasiv për sportistët për rikuperimin e tyre. Thuhet shpesh se futbollistët janë djem të bukur, por jo shumë inteligjentë, i keni dëgjuar këto batuta? Nuk është aspak e vërtetë. Po të them që sportistët mund të jenë shumë më inteligjentë se një pjesë e shoqërisë, sepse jeta i përball me shumë vështirësi në karrierë. Sporti nuk është vetëm ajo pjesë e 90 minutave që shikohen në televizion. Puna e sportit të përball me shumë njerëz nga më të ndryshmit në jetë dhe kjo tregon të kundërtën. Kështu që ata që thonë këto gjëra, të kenë kënaqësinë të kenë një mik sportist./bw/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura