INTERVISTA/ “Ata nuk janë në oqean…”- Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese tregon pse Greqia s’mund të aplikojë 12 miljet: Kush mbron këtë tezë është jashtë çdo etike kombëtare

Sep 2, 2020 | 18:44
SHPËRNDAJE

NGA ARDIT HOXHA/ Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, është shprehur për debatin në lidhje me kufirin detar me Greqinë dhe pretendimin e Athinës zyrtare për t’u zgjeruar me 12 milje në veri të detit Jon.

zaganjoriNë një intervistë për gazetën “Panorama”, relatori dhe hartuesi i argumentimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes së ndarjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka treguar se përse parimi i 12 miljeve që ka deklaruar Kryeministri grek, Mitsotakis, s’mund të aplikohet në ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndryshe nga sa shteti helen bëri me Egjiptin pak muaj më parë. Xhezair Zaganjori tregon se në ndarjen e kufirit detar shqiptaro-grek nuk duhet përdorur parimi i baraslargësisë mes brigjeve, por ai i ekitesë. Duke sjellë shembujt ndërkombëtarë se ku është përdorur më herët, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese shpjegon se ndarja e Jonit mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të bëhet pikërisht sipas asaj që ofron parimi i ekitesë.

Greqia ka deklaruar se së shpejti do të bëjë zgjerimin e njëanshëm të ujërave territoriale në detin Jon në 12 milje detare, gjë që flitet se prek edhe interesat e vendit tonë. Ç’mund të na thoni rreth këtij problemi?

E kam ndjekur pjesërisht këtë debat. Për mua, problemi më i madh qëndron në faktin se prej vitesh, çështja e përcaktimit të hapësirave detare që i takojnë vendit tonë në detin Jon në bazë dhe për zbatim të normave të së drejtës ndërkombëtare është lënë pas dore apo është injoruar thuajse tërësisht. Kanë kaluar 11 vjet nga dhënia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe thuajse asnjeri, jo vetëm që nuk dëshiron ta kuptojë, por edhe nuk di thjesht ta lexojë këtë vendim. Bëhet vetëm politikë. Ka anatemime dhe akuza të ndërsjella, në një kohë që ende nuk ka një studim të mirëfilltë për të vlerësuar e përcaktuar qartësisht cilat janë të drejtat tona dhe deri ku shtrihet sovraniteti dhe të drejtat sovrane të shtetit shqiptar në detin që kemi përballë.

Duhet të jemi rasti unik në botë, që nuk kemi një hartë të plotë e të qartë ku të themi apo të pretendojmë se sipas vlerësimit tonë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, këto duhet të jenë vijat që përcaktojnë kufirin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, respektivisht ujërat territoriale, shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive në detin Jon. Kjo është abc-ja e një shteti serioz që di, kërkon dhe lufton të realizojë të drejtat e tij të ligjshme. Kjo është abc-ja e platformës që duhet të kemi në bisedimet me palën greke. E ndërkaq, njerëz që pretendojnë se njohin të drejtën e detit dhe që e kanë për detyrë të merren profesionalisht me këtë çështje, në kundërshtim me pozicionin e tyre dhe me çdo normë etike kombëtare e ndërkombëtare, bëjnë avokatinë e palës tjetër, duke theksuar se ata kanë të drejtë të zgjerojnë në mënyrë të njëanshme ujërat territoriale në 12 milje detare. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të futen në bisedime me këtë tezë!

Pse, nuk e kanë një të drejtë të tillë?

Absolutisht që jo. Ata nuk janë në oqean dhe nuk kanë asnjë shtet përballë apo bashkëngjitur. Përballë jemi ne dhe në bazë të normave e standardeve më elementare të së drejtës ndërkombëtare, hapësirat detare mes nesh duhet t’i ndajmë duke biseduar me njëri-tjetrin, me profesionalizëm dhe angazhim maksimal. Natyrisht që këtë e kërkon dhe e thotë shprehimisht edhe Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit. Nëse nuk arrihet përmes bisedimeve, atëherë shumë mirë mund t’i drejtohemi bashkërisht një arbitrazhi apo gjykate ndërkombëtare, që për mua duhet të ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Vetëm atëherë, zgjidhja që do të rezultonte nga bisedimet apo vendimi respektiv, do të mund të regjistrohej në Zyrat e OKB-së në New York, konkretisht në Departamentin (Divizionin) për Çështjet Oqeanike dhe të Drejtën e Detit

Ku e keni këtë siguri? Pala greke thekson se këtë zgjidhje me shtrirjen e ujërave territoriale në 12 milje detare e ka edhe me shtete të tjera, për shembull me Egjiptin, dhe se kjo bazohet tërësisht në të drejtën e detit.

Së pari, krahasuar me ne, Egjipti dhe Libia janë shumë larg në distancë. Aq më tepër që ishulli i Kretës që ndodhet përballë tyre është i përmasave të tjera. Ai është disa herë më i madh edhe se vetë ishulli i Korfuzit. Nga ana tjetër, pa dyshim që e drejta e tyre (Egjiptit dhe Libisë) për të pasur të plota ujërat territoriale, shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive, besoj se nuk cenohen. Situata mes Shqipërisë dhe Greqisë, përballë dhe në veri të ishullit të Korfuzit, është krejt e ndryshme. Jemi shumë pranë njëri-tjetrit dhe ka prani të shumë faktorëve që ndikojnë apo duhet të merren parasysh në ndarjen e kësaj hapësire mes nesh. Në këtë situatë, pa dyshim që rëndësi vendimtare ka zbatimi sa më mirë dhe sa më korrekt i parimit të ekitesë, si parim themelor për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të së drejtës së detit, të cilën, siç kam theksuar edhe herë të tjera, pala greke e njeh shumë mirë, për shkak të eksperiencës së gjatë dhe hapësirave të shumta detare që ndan me shumë shtete që ka rreth saj. Nuk është rastësi që Akademia e Rodosit për të Drejtën e Detit është ndër më prestigjiozet në nivel botëror. Le të kemi edhe ndihmën e saj për të bërë një ndarje model të hapësirave detare mes nesh.

Pikërisht për këtë. Pse mendoni që pala greke nuk e ka parasysh këtë parim, pra parimin e ekitesë?

Marrëveshja e vitit 2009 e injoronte fare këtë parim, pasi kishte probleme me vijat bazë, statusin e porteve dhe gjireve dhe praninë e ishujve apo masave shkëmbore mes nesh. Gjithashtu, flitej kryesisht për shelfin kontinental, në një kohë që problem kryesor ishte dhe është edhe tani kufiri i ujërave territoriale, aty ku shteti respektiv ka sovranitet të plotë jo vetëm në këto ujëra, por edhe mbi to, si dhe në tokën dhe nëntokën poshtë tyre. Nga ana tjetër, nuk bëhej dallimi mes shelfit kontinental në kuptimin gjeologjik dhe shelfit kontinental në kuptimin juridik. Por, e njëjta gjë po tentohet të bëhet edhe tani. T’i japësh 12 milje ujëra territoriale, pra t’u japësh efekt të plotë të gjithë ishujve grekë të detit Jon, do të thotë të zvogëlosh dukshëm mundësitë e përfitimit tonë, në përputhje me të drejtën e detit, të hapësirave të konsiderueshme detare, në formën e detit territorial, shelfit kontinental apo zonës ekonomike ekskluzive. Të gjitha këto e prishin balancën mes palëve, sepse zbatohet thjesht parimi i baraslargësisë, pa pasur fare parasysh ndërthurjen e tij me atë të ekitesë.

Mund të jeni pak më konkret, mbi zbatimin e këtyre parimeve?

Patjetër. Edhe baraslargësia synon në fakt ndarjen e barabartë të hapësirave detare, por shpesh, për shkaqe apo rrethana objektive të ndryshme, zbatimi strikt i saj krijon edhe pabarazi, ashtu siç ka ndodhur në rastin tonë. Prandaj vjen në ndihmë parimi i ekitesë, i cili konsiderohet gjithashtu edhe si drejtësi korrektuese, pasi synon që në thelb zgjidhja të jetë sa më e drejtë dhe sa më e ndershme për të gjitha palët. Në këtë kuptim, të dyja këto parime nuk kundërshtojnë njëritjetrën, por janë aspekte të të njëjtit rregull. Ato synojnë te vendosin barazi dhe drejtësi sa më të plotë mes palëve. Për më tepër, parimi i ekitesë konsiderohet edhe si normë e së drejtës ndërkombëtare zakonore, duke bërë pjesë në të ashtuquajturën ius cogens, që do të thotë se nuk lejon derogimin dhe ka autoritet, dominancë apo përparësi të padiskutueshme në rast kolizioni me normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, ky parim zbatohet jo vetëm në rastet e ometimit ligjor, por edhe atëherë kur zgjidhjet e dhëna me ligj apo marrëveshje bien në kundërshtim më të. Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit e përmend këtë parim shprehimisht në preambulë dhe në disa nene të saj, veçanërisht në nenet 74 dhe 83, ku bëhet fjalë për ndarjen respektivisht të zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental. Neni 15 i Konventës, duke bërë fjalë për përcaktimin e ujërave territoriale, thekson se duhet të merren në konsideratë edhe “rrethanat e veçanta” të çdo rasti konkret. Por edhe në këtë rast, sipas jurisprudencës ndërkombëtare të konsoliduar qartësisht, pranohet se në thelb, me “rrethana të veçanta” duhet të kuptohet zbatimi pikërisht i parimit të ekitesë, pra i drejtësisë korrektive. Megjithatë, parimi i ekitesë, duke qenë normë e së drejtës ndërkombëtare zakonore, është zbatuar në praktikën ndërkombëtare edhe para hyrjes në fuqi të Konventës së Tretë mbi të Drejtën e Detit. Mjafton të përmendet këtu vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 1969 për ndarjen e shelfit kontinental në Detin e Veriut ndërmjet Danimarkës, Gjermanisë dhe Holandës, si dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar i vitit 1977 për ndarjen e hapësirave detare ndërmjet Francës dhe Britanisë, në zonën e kanalit britanik. Në rastin e parë, parimi i ekitesë vjen në ndihmë për shkak të padrejtësisë që shkaktohet nga forma konkave e bregdetit, ndërsa në rastin e dytë, pikërisht për shkak të pranisë së ishujve të shumtë mes Francës e Britanisë. Në këtë vendim, por edhe në vendime të shumta të mëvonshme para e aq më tepër pas Konventës së Tretë mbi të Drejtën e Detit, pranohet në mënyrë të padiskutueshme se në ndarjen e hapësirave detare mes shteteve, në funksion gjithnjë të parimit të ekitesë, ishujve mund t’u jepet efekt i plotë, pra 100%; mund t’u jepet efekt i pjesshëm, që zakonisht shkon nga 10% deri në 80%, ose edhe mund të injorohen fare, pra 0%, duke krijuar një enklavë apo rrip ujor me gjerësi relativisht të vogël, që rrethon të gjithë ishullin. Aq më tepër që pikërisht për këtë qëllim, doktrina dhe praktika e së drejtës ndërkombëtare bëjnë edhe dallimin mes ishujve (islands), mikroishujve (islets – ishuj me sipërfaqe të vogël) dhe masave shkëmbore. Përveç ishujve, në funksion të parimit të ekitesë mund të merren në konsideratë edhe faktorët gjeografikë, gjeomorfologjikë, ekonomikë, të lundrimit apo edhe gjeologjikë të detit, apo dheut kontinental. Megjithatë, përsëris se elementi më i shpeshtë dhe më i rëndësishëm është konsiderimi një për një i ndikimit të çdo ishulli apo mase shkëmbore në ndarjen e hapësirave detare respektive. Shembujt janë pa fund. Mjafton të përmend këtu ishujt e kanalit britanik Jernsey, Guernsey, Scilly, Saint Ann, Ishullin e Gjarprit në Detin e Zi në konfliktin mes Rumanisë e Ukrainës e të tjerë.

Po mbase në rastin tonë me Greqinë nuk ka probleme të tilla…

Përsëris se ndikimi i çdo elementi apo i çdo ishulli në ndarjen e hapësirave detare mes nesh duhet të vlerësohet me kujdesin më të madh, përfshirë këtu edhe vetë Korfuzin si ishull. Nga ana tjetër, nuk mund të them me siguri se sa ndikon zgjerimi i ujërave territoriale në 12 milje detare në rastin e ishullit Othonoi, Diaplo apo Diakopo, por mendoj se ky ndikim është jo i vogël në rastin e Erikuzës ose edhe Psilos Dio, e aq më tepër i masës shkëmbore Peristeres apo Barketës. E në fund, pa dyshim që duhet bërë prova e përgjithshme e proporcionalitetit, apo thënë ndryshe e disproporcionalitetit, të ndarjes së hapësirave detare mes dy shteteve, e cila jep siguri për drejtësinë dhe ndershmërinë e zgjidhjes së gjetur. Mbi të gjitha, duhet të fillohet sa më shpejt me një konsensus të gjerë dhe me ekspertë që njohin realisht të drejtën e detit dhe praktikën ndërkombëtare, e cila është lehtësisht e aksesueshme në kushtet e sotme. Rëndësia dhe sensibiliteti i çështjes mund të kërkonin edhe angazhimin e ndonjë eksperti ndërkombëtar. Këtë e bëjnë të gjithë, edhe ato që dinë e kanë eksperiencë më shumë se ne.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura