Historia e Frida Sadedinit, jeta e një gruaje nën hekurat e diktaturës komuniste

Feb 3, 2019 | 21:33
SHPËRNDAJE

Jetoi plot 90 vjet, 45 prej tyre si e burgosur e internuar nëpër kampet e diktaturës komuniste. Është Frida Sadedini, një grua e arsimuar në shkollat më të mira të perëndimit.

Frida-Sadedini-473x385

Ishte bija e Ahmet Sadedinit dhe Marta Dodës. E akuzuar si spiune e shëbimeve franceze, ajo nisi kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet komuniste në vitin 1949. Studiuesi Fritz Radovani ka publikuar pesë procesvervale, që na e japin të detajuar të gjithë egërsinë e sistemit komunist mbi gratë dhe vajzat shqiptare, bija e bashkëshorte të atyre njerëzve që u shpallën padrejtësisht, “armiq të popullit”.  Më poshtë publikohen pa komente procesverbalet që na rrëfejnë kalvaruin e Frida Sadedinit, nën hekurat e diktaturës komuniste.

Procesverbal   

Sot me 17 Maji 1949 merret në pyetje e pandehura Frida Sadedini, e cila deklaron: Quhem Frida Sadedini e bija e Ahmetit, gjallë (ndodhet në burg) dhe e Martha Dodës e dënueme me dhjetë vjet, jam e datlindjes 1914, lindur në Shkoder, banuese qysh nga 1922 në Tiranë, e pamartueme, e padënueme, me arsim të mesem (5 klasë gjimnaz).

Ma perpara nuk jam marrë me ndonji punë, vetem tani 2 vitet e fundit kam sherbye si sherbëtore pranë konsullit Francës Giz, dhe tani së fundi pranë Domeng. Baba ka ushtruar profesionin doktor, nana nuk ka pas ushtrue ndonji profesion, shtresë e lartë. Tri vjetët e para të shkollës fillore i kam ba në shtëpi, ku më jepte mësim nji mësuese gjermane privatisht, e cila quhej Ana, që mbiemni i saj nuk më kujtohet. Në vjetin 1924 kam shkue në shkollë në Itali (Bari), ku kam ndejë në kolegjë nji vjet, me bursen e prindërve të mij. Mbas nji vjeti d.m.th. në vjetin 1925 kam emigrue në Itali me baben e me nanën pse ishin “opozitë” dhe ndiqeshin nga Zogu dhe në këtë kohë unë dal nga kolegja dhe vazhdova studimet jashtë, gjithnji në Bari në shkollen Regjina – Elena.  Në vitin 1926 largohem me nanen nga Bari per në Romë, ku unë vazhdova mësimet në kolegjë, internat murgeshash, e cila quhej Dorote. Nga Bari u larguem mbasi midis nanës dhe babës kishte dizarmoni, kështu që nana dhe unë u larguem tue lanë baben në Bari. Mbas ardhjes në Romë nana bani demarsh dhe aty nga vitët 1937 – 1938 këthehet në Shqipni, tue më lanë mue në Itali (Romë). Aty nga viti 1927 ose 1928, jam kthye nga Italia per vakanca, pastaj jam kthye persëri në Itali, ku kam vazhdue mësimet në kolegjë deri në vitin 1929, në këte kohë kam ardhë per vakanca në Shqipni, ku sëmuhem (paratifo) etj. dhe simbas këshillave të doktorëve që thojshin per mue se duhet ndrrue klima (të largohem nga Italia), nana vendosë dhe më largon nga Italia në vitin 1929 dhe më dergon me vazhdue mësimet në Vienë (Austri). Në Itali pata vazhdue mësimet deri në të dyten gjimnaz. Në Vienë hyna në kolegj që quhej Dame – Disian, në këte shkollë perdorej edhe gjuha frengjisht mbasi aty kishte murgesha franceze dhe per mue kjo ishte nji lehtësi mbasi unë e dijshe frengjishten. Më duket se gjatë shkollës që unë vazhdojshe shkollen në Vienë, nana merrte bursë per mue.  Vjetin e parë kam mësue gjuhën. Kam qendrue në Vienë në shkollë deri në vjetin 1934, në këte kohë kthehem në Shqipëri per gjithnji dhe nuk kam vazhdue ma asnji shkollë. Në shkollë kishe dëshirë dhe kam mësue ma teper letraturë – gjuhë. Si gjuhë të huaja flas dhe shkruaj mirë italishten e gjermanishten. Dij gjithashtu të flas mirë dhe të shkruaj (me gabime) frengjisht. Frengjishten e kam mësue në familje mbasi baba e nana flitshin në shtëpi gjithnji frengjisht mbasi baba nuk e dinte shqipen. Nga vjeti 1934 që u ktheva nga Austria kam qendrue vazhdimisht me banim në Tiranë. Perafersisht nga viti 1937 kam shkue në Austri per qejf tek shoqet e mija të shkollës, ku kam qendrue afer nji muej. Në Itali kam shkuar dy herë, heren e parë aty nga vjeti 1938, shkova me marrë nanen e cila ishte sëmurë dhe heren e dytë, në vjetin 1939, se italianët na kishin në sy të keq me qellim që të largohemi nga Shqipëria. Kemi qendrue në Romë nga muej Mars deri në Korrik 1939 dhe jemi këthyer përsëri në Shqipëri. Në vjetin 1942 kemi dashtë të shkojmë edhe njiherë në Itali, mbasi ishte nana e sëmurë, por u penguem nga policia italiane.

Sa siper janë të verteta dhe i firmoj.

E Pandehura: (Frida Sadedini) firma              Hetuesi: Toger (Esat Mani) firma.

■18 Maji 1949; Hetimet vazhdojnë…deri në muejn Korrik 1950…15 muej Hetuesi !!

Frida SADEDINI deklaron:

Gjatë luftës nuk kam ba pjesë n’ asnji  Parti as organizatë politike. Këtu në Tiranë rrethi jem shoqnor dhe që unë kam shoqni ose miqësi me ta janë: Familja Fuat Toptanit, Tirana me të bijen Dylfiqare, mesa Sanije… Me të bijat e Pjeter Bumçit: Çilen, Albina e Elda… Me Bibika Vilen në Rromë… Me familjen e Gjon Bonattit. të bijen Xita, të bijtë Nikollen dhe Alfredin…Me Agostin Bonattin dhe gruen Gjyljana… Me Ganimet Toptanin (e arrestueme)… Semiha e Hyqmete Toptanin. Zef Guraziun… Me Luçije e Angjela që banin flokët ondulacion… Nuk ua dij mbiemnin… Luçia asht në burg. Llesh Ndojin nga Mirdita me djalin Gegen… Vinte tek na Skender  Shkupi… Njoh në Shkoder Sander, Patrik e Tonin Saraçin… Ida Melgushin… Aurel e Alfred Ashikun… Këta i njoh qysh fëmijë… Luçije dhe Ana  Kola që vinin nga Shkodra. Kam në burg kushrij Dod Bardhokun dhe Luigjin… Kam njohë disa nga antarët e misionit anglez në Tiranë … Jacobs shefin e misionit amerikan… Majorin e misionit Francez Visdorf… Mbasi iku misioni erdhi Legata franceze… Pico dhe Henri Giz. Këto i njoh që në Shkoder në vitin 1921… Aty kam njoh edhe daktilografisten Shufie, Chartie që ka ardhë tashti në 1949 … kur unë ishe sherbtore në Ambasadë. Aty nga Giz mësova per arrestimin e Riza Danit dhe Dan Hasanit në Shkoder… Kam njoh edhe Pader Gjadrin, Pader Mëshkallen dhe Guljelm Luken… Nga Preng Previzi ka ardhë një kartolinë, ku kuptohej se asht në Greqi. Kam njoh edhe Rrok Obotin… Po me këta njerzë nuk kam pasë asnjë lidhje…

***

■Ministria e P. Mbrendshme

Drejtoria e Sigurimit Shtetit

= Dega e VII- të =

■Tiranë, 17 Qershor 1949.

Mbas një shkrese nga kapiten Skënder Vinçani… perpilohet:

■AKT – AKUZA:

Me 3 Janar 1950 i ka sjellë kësaj Gjykatë Proces Verbalet e mbajtura nga ana e Sigurimit të Shtetit kundër: Agostin Bonattit… Frida Sadedinit…. etj… Tiranë 6 Janar 1950… Gjyqi u formue prej: Kap. I Mustafa Iljazi Kryetar; Kap. I Shaban Hoxha Antar, Aspirant Hilmi Haxhija Antar; Ndihmes Prokuror Ushtarak Kap. II Hilmi Telegrafi, sekretar marshall Et-hem Guda… Gjyqi u caktue me 7 Janar 1950. Mbasi u sollën të burgosurit nga burgu, u caktuan avokatet e mbrojtjes kapitenët Gaqo Stefa dhe Vangjel Gjomeka… U muar në pyetje F. Sadedini: Unë nuk dij gja per pushtetin, mirë kam rrojtur perpara dhe mirë po rroj tashti… Konsullit dhe të tjerëve u kam bërë nga nji çaj… Nuk më kujtohet që të kemi bisedue gja per Preng Pervizin, letrat i kanë ardhur konsullit, jo mue. Francezët me mue nuk kanë bisedue kurr per shqiptarë… Ajo nuk pranon asnjë akuzë politike dhe se asht qenë në sherbim të spijunazhit francez…

■VENDIM:

“N’ EMEN TË POPULLIT”

Gjykata Ushtarake e Tiranës e formuar prej:

Kapiten I – Mustafa Iljazi, Kryetar, Kapiten I – Shaban Rexha, Anëtar; N/Toger Veli Lilaj, Anëtar. Nd. Prokurori i Ushtrisë Popullore Kap I – Hilmi Telegrafi dhe sekretar Reshter Nestan Ceka, sot me daten 6 Korrik 1950 dha këte

■Vendim: Në padinë penale të regjistruar nr. 117 Radhorit Themeltar të vitit 1950…:

  1. Agostin Bonati, 2. Skender Konica, 3. Skender Shkupi, 4. FRIDA SADEDINI,
  2. Adem Pilku, 6. Guljelm Rasku, 7. Simon Rasku, 8. Gjon Çefa, 9. Pader Paskal Gjadri, 10. Luçia Kola, 11. Gjysh Shkreli, 12 Elena Beçi, 13. Isuf Vrioni, 14. Kosta Meksi, 15. Rakip Strazimiri, 16. Lush Pogu, 17. Agop Kahanexhian, të arrestuar 1949…

■Në perfundim të gjykimit me dyer të mbyllura, asistuan Kap.I Vangjel Gjomeka dhe Kap.II Gaqo Stefo (Avokatë të Ministrisë së Mbrendshme)… Prokurori Kap.II Hilmi Telegrafi kerkon: …Per të pandehuren Frida Sadedini 20 vjet privim lirie e punë të detyruar.Humbjen e të drejtave civile per 5 vjet. E pandehura Frida nuk ka ba rekurs fare dhe nuk ka paraqitë asnjë kerkesë. Në fjalen e fundit e pandehura Frida Sadedini tha: Nuk kam qenë agjente në Legaten franceze. Kerkoj mëshirë. Tiranë, 23 Qershor 1950.

■Simbas nenit 3 dhe nr. 10 të ligjit 372, datë 12/12/1946 i dekllaron fajtorë të gjithë të pandehurit per fajin e spijunazhit. Me anën e këtyre agjentave misionet e huaja kanë mundur të mësojnë të gjitha sekretet e shtetit shqiptar…

***

■Republika Popullore e Shqipërisë

Gjykata e Lartë Ushtarake

Nr. 233 Regj. Themel.   Nr. 161 i Vendimit. Data 29 Korrik 1950.

■Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar në Këshillë prej:

Kapiten I – Vangjel Kocanit Kryetar;

Kapiten I – Nonda Papuli Antar; Kapiten II – Hidaji Lagji Antar;

Duke qenë t’ asistuar Sekretar Reshter Kasem Murataj, dhe Nd. Prokurori Kapiten I – Hilmi Telegrafi, me daten 29 Korrik 1950, shpallë këte Vendim:

Frida SADEDINI dënohet me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Per 5 vjet humbjen e të drejtave civile elektorale. Konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të paluajtëshme per të gjithë të dënuarit. U shpall me 8 Korrik 1950. (Vetem firmat)

Gjykata shenon: Së bashku me të dënuarit e sipërm edhe e dënuara Frida Sadedini, bij e Ahmetit e Martha Dodës, …Arrestuar me 17 Maji 1949, porse kjo nuk ka paraqitur rekurs ankimi. Vendimi i Gjykatës së faktit nuk paraqet ndonji të metë ligjore, prandaj

■Vendosi:

Ky vendim është i formës së prerë. Tiranë 29 Korrik 1950. (Vetem firmat)

Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake: Pasi dëgjoi referatin e Kap. I Vangjel Kocanit, dhe pasi bisedoi gjerësisht çështjen, ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë.

***

■Nga viti 1949 zj. Frida SADEDINI, vazhdoi me kenë e burgosun… E interrnueme… Prap e burgosun, e torturueme dhe gjithnjë e dënueme po, por edhe e diskriminueme per ma shumë se 45 vjetë, mbasi Frida Sadedini vazhdoi me kenë e dëbueme edhe mbas 1992. Martha, ama e Fridës ishte mesa e Preng Pashës, kështu që lidhej me Markagjonët dhe Fisin Pervizi. Edhe kjo lidhje ishte shkak burgosje dhe interrnimi i Frida Sadedinit. Ajo ishte një simbol i qendrueshmënisë së pathyeshme nder hetuesitë sllavokomuniste të shtetit terrorist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe organeve të tyne të diktaturës. Këte Ajo e tregoi edhe në Prill të 1968, kur Frida e shoqnueme me polici u pat sjellë edhe në Shkoder, kur po zhvillohej në Kishen e Motrave Stigmatine gjyqi i montuem nga sigurimi per Klerikët Katolik të Tiranës ku, Frida mohoi të gjitha akuzat e shpifjet…

Në vitin 1992 e njoha zj. Frida Sadedini në Shkoder, në Shtëpinë e Markagjonëve ku, me 2004 ka mbyllë edhe sytë bashkë me rrugen e pafund të një Kalvari të pashoq!

Fritz Radovani, Melbourn, Qershor 2015.

Kujto.al Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura