Haradinaj s’bëhet Kryeministër, Thaçi: Koalicioni është OK

Feb 5, 2013 | 10:57
SHPËRNDAJE
Haradinaj dhe Thaçi, në një takim të mëparshëm mbi bashkëpunimin

Ramush Haradinaj nuk do të jetë Kryeministri i Kosovës, të paktën jo deri kur të kryhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.  Që në fund të nëntorit, kur u kthye i pafajshëm për herë të dytë nga Gjykata e Hagës, Haradinaj kishte ardhur me plane të qarta dhe një projekt për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së Kosovës. Kërkesat e tij e vetme, si mjeti i vetëm për ta realizuar këtë, ishte posti i Kryeministrit. Por, pas shumë diskutimesh dhe shpresash të mbetura pezull, Thaçi vendosi se nuk do ta përfshijë AAK-në në koalicionin qeverisës, pasi nuk mund t’ia japë Haradinajt postin e Kryeministrit. Thaçi dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj, dje në mëngjes zhvilluan një takim larg mediave, për të diskutuar për hyrjen apo jo të AAK-së në koalicionin qeveritar. Por, ky takim nuk solli ndryshime. AAK nuk u përfshi në koalicion dhe arsyeja për këtë, sipas Thaçit, ishte se “Koalicioni aktual është jashtëzakonisht i qëndrueshëm, është efektiv dhe do të vazhdojë punën e vet. Ne sot kemi pasur një takim jashtëzakonisht miqësor me zotin Haradinaj, jemi dakorduar që të punojmë me çështje të përbashkëta të interesit shtetëror, ndërsa hapat e tjerë të mëtutjeshëm do të ndërmarrim në bazë të kushteve dhe rrethanave të reja politike”, tha Thaçi. Dështimi i marrëveshjes u konfirmua edhe nga AAK-ja. “Delegacionet e AAK-së dhe të PDK-së, të prira nga Kryetari Ramush Haradinaj dhe Kryeministri Hashim Thaçi, u takuan për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në qeverinë e Republikës së Kosovës. Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja, e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”, thuhet në komunikatën e partisë së Haradinajt.
Sipas njoftimeve nga AAK, kjo parti do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve me interes shtetëror, përfshirë  dialogu mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, reformë në sistemin zgjedhor dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Por këto, tashmë si parti opozitare. “Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata e AAK-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura