Hapet panairi për edukimin, ja çfarë ofron “Luarasi”

May 29, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

Startoi dje panairi “Edukim, Speciazilizim-Punësim”, që bëri bashkë për herë të parë katër hallkat e perspektivës së çdo individi nga shkollimi te punësimi i tyre. Universiteti “Luarasi” prezantoi ofertën e tij për ata që janë në dilemë për zgjedhjen e një universiteti, si pjesë e panelit të profesionistëve në panairin që është parashikuar të zgjasë për katër ditë.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Altin Hoti

Dekani i Fakultetit Ekonomik në këtë universitet, Altin Hoti argumentoi disa nga arsyet përse duhet zgjedhur universiteti “Luarasi”. Njëkohësisht, ai prezantoi edhe pikën më të fortë, alternimi i dijeve teorike me ato praktike që mundësojnë garantimin e një vendi pune për të rinjtë që diplomohen në një nga dy degët që ofron ky universitet. 

Çfarë përfaqëson eventi i sotëm për Universitetin “Luarasi”?
Organizimi i sotëm i jep përgjigje një pyetjeje shumë themeltare për tregun e arsimit, por edhe të punësimit shqiptar, që është oferta universitare publike dhe private sot në Shqipëri. Kjo është një pyetje, së cilës të gjithë të rinjtë duhet t’i japin përgjigje, si ata që zgjedhin një universitet dhe ata që kanë mbaruar fakultetin dhe janë gati për në tregun e punës. Ne kemi ardhur në këtë panair pikërisht për të kontribuuar në përgjigjen e kësaj dileme, që mundon jo vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e tyre. Universiteti “Luarasi” vjen në këtë panair për t’u treguar atyre që janë të interesuar për një fakultet dhe ata që kanë marrë dije universitare se cili është profili i këtij universiteti, në mënyrë që të kenë një punë të sigurt. Ky panair që bashkon edukimin me biznesin ofron një qasje të re, se sa të aftë janë të rinjtë e sotëm të zënë një vend pune, që është edhe qëllimi i edukimit. Dija teorike është ena që do të mbajë dijen praktike në të ardhmen për studentët. Sa më e formësuar dhe e plotë të jetë ajo, aq më të mëdha janë shanset që studenti të mbushet me praktikë. Kjo është edhe pika e fortë e Universitetit “Luarasi”, i cili u jep formë studentëve të tyre, me qëllim që t’u bëjnë ballë të ardhmes në treg.

Edukimi është një nga pikat kryesore të këtij panairi. Çfarë ofron “Luarasi” në këtë kontekst dhe më tutje?
“Luarasi” ka dy fakultete: Juridik dhe atë Ekonomik, të cilat ofrojnë dije akademike të kombinuara në mënyrë optimale me atë praktike për t’i bërë studentët të ndihen të aftë në marrjen e dijes gjatë procesit të edukimit dhe po kaq të vetëdijshëm në kërkimin e punës, sepse janë në vetvete të përgatitur për t’u përballur me të. Ky kombinacion i jep studentit komfortin në procesin e marrjes së dijes dhe përgjegjshmërinë në përzgjedhjen e vendit të punës. Prandaj dijet universitare nuk janë gjë tjetër, veçse certifikim i mundësisë për të gjetur një punë në të ardhmen. Falë këtij kombinimi, Universiteti “Luarasi” e shkurton distancën e akademisë dhe një vendi pune që kërkon studenti.

Panairi vjen në kohën e duhur. Gjimnazistët kanë përfunduar vitin e fundit dhe janë në kërkim të profilit të duhur…
Kjo është një pyetje e mundimshme jo vetëm për maturantët, por edhe prindërit e tyre, sepse zgjedhja është e vështirë edhe për shkak të konkurrencës në tregun e arsimit të lartë. Por ata kanë disa arsye multifaktoriale përse duhet të drejtohen për te “Luarasi”. Reforma e nisur në arsimin e lartë ka dhënë një lloj tabloidi më të qartë në tregun arsimor, çka ndihmon edhe prindërit për të bërë zgjedhjen e duhur për fëmijët e tyre. Tashmë dihet që ata të cilat i mbijetuan procesit të akreditimit apo kritereve të ligjshmërisë janë universitetet e “listës së bardhë”, thënë ndryshe ata që meritojnë të zgjidhen. Studentët dhe prindërit duhet të bëjnë zgjedhjen me emrin “Luarasi”, pasi motoja kryesore që udhëheq këtë universitet është cilësia, e mbështetur fort në 3 shtylla kryesore: stafin pedagogjik, infrastrukturën dhe metodologjinë e mësimdhënies.

Cili është çelësi i suksesit të Universitetit?
Kemi një dimension maksimal në të dy fakultetet, sa u takon brezave që përcjellim, diplomave, pedagogëve me eksperiencë të gjatë në mësimdhënie, ashtu edhe të rinj me grada shkencore. Ky aliazh bën që qasja e mësimdhënies të jetë sa më praktike për studentët, falë një gërshetimi të metodave bashkëkohore të mësimdhënies me dije të përzier me forma të tjera ekstrakurrikulare, si trajnimet, seminaret apo leksionet e hapura me personalitete që “Luarasi” i ka mjaft intensive, jo pa qëllim. Përmes kësaj forme moderne të mësimdhënies ne jemi përpjekur të shkurtojmë distancën nga edukimi në punë. Studentët e kanë marrë arsenalin e tyre të armëve dhe dijet praktike e kështu e kanë më të thjeshtë të përballen me vështirësitë dhe qëndrimin në tregun e punës. Universiteti “Luarasi” ka një infrastrukturë moderne dhe mjaft të volitshme sipas të gjitha standardeve shtetërore sa i takon raportit student për hapësirë, apo edhe standardit student-profesor, në mënyrë që studenti të ndihet komfort në procesin e nxënies së dijeve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura