Gjykata e Lartë në ngërç, KLGJ jep tri mundësi për zgjidhje. 5 të kërkuarit për ekstradim që rrezikojnë të lirohen

Jul 24, 2019 | 9:19
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/Këshilli i Lartë Gjyqësor diskutoi dje problematikat e krijuara nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë, që aktualisht ka mbetur vetëm me dy anëtarë.

Ngërçi i krijuar ka shkaktuar disa problematika emergjente, një prej të cilave është edhe lirimi i mundshëm i 5 të kërkuarve nga Italia, të cilët aktualisht janë me masë sigurimi “Arrest me burg”, në pritje të ekstradimit.

Gjykata-e-Larte

Për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë, afatet përfundojnë dhe ata mund të lirohen në gusht. Bëhet fjalë për Hajri Seferin, i arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4”; Robenc Berberi, i dënuar me 18 vjet burg për trafik droge; Besnik Leka, i kërkuar për trafik droge; Kastriot Elezaj, i dyshuar për shfrytëzim prostitucioni; dhe Valentina Dushku, të gjithë të kërkuar nga Italia.

Në këtë situatë emergjence, KLGJ-ja ka dhënë tri mundësi për zgjidhje të ngërçit, që nga delegimi i gjyqtarëve, aplikimi i transferimeve të përkohshme apo aplikimi i caktimit të gjyqtarëve për çështje të veçanta. Zv.kryetari i KLGJ-së, Maksim Qoku, tha se organika gjyqësore e Gjykatës së Lartë përbëhet nga 19 anëtarë, por aktualisht janë vetëm 2. “Komisioni i Zhvillimit të Karrierës ka kërkuar informacion për anëtarët. Sipas informacioneve të përcjella, 3 prej anëtarëve u ka mbaruar mandati para vetingut, 5 të tjerëve u është ndërprerë mandati pasi kanë hequr dorë, 6 janë shkarkuar nga detyra nga vetingu, njëri nuk e ushtron detyrën për shkak të angazhimit në KLGJ. Aktualisht janë 2 anëtarë, njëri me mandat të përfunduar, ndërsa anëtari tjetër është në pritje të vendimit nga KPA-ja”, u shpreh Qoku.

PROBLEMET

Sipas zv.kryetarit të KLGJsë, problemi më emergjent është të paktën formimi i një trupe me tre anëtarë për funksionimin e Gjykatës së Lartë. Qoku tha se Këshilli mbetet i angazhuar për problematikën aktuale, për të plotësuar përfundimisht trupën e Gjykatës së Lartë, trajtimin e çështjeve të mbetura dhe shmangien e vonesave të shqyrtimit të çështjeve.

Në mbledhjen e datës 5 korrik u krijuan premisa për nisjen e garës për kandidatët jogjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe KLGJ-ja mundëson çeljen e garës për juristët më të spikatur që mbartin ekspertizën e nevojshme për t’u bërë pjesë e kolegjeve të Gjykatës së Lartë. Sot përfundon afati zyrtar që u është lënë atyre që vijnë nga radhët e avokatëve apo edhe të prokurorëve, që janë të interesuar të konkurrojnë për 3 vendet vakante për jogjyqtarët. Deri tani kanë kandiduar vetëm 4 persona: Ndue Pjetra, Serxho Mazreku, Ergys Misha dhe Jetmira Rragami. Brenda korrikut pritet që Këshilli i Lartë Gjyqësor të hapë garën për 16 vendet e lira, për këdo që vjen nga radhët e gjyqtarëve dhe që plotëson kriteret për të konkurruar.

EMERGJENCAT

Disa nga problematikat më emergjente për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë u renditën dje gjatë mbledhjes së KLGJ-së. Së pari, shqyrtimi i çështjeve në lidhje me kërkesat për ekstradim, te cilat në rast të tejkalimit të afateve sjellin shfuqizim të masës “Arrest ne burg”. Por emergjente është edhe pamundësia e ankimeve të veçanta të Gjykatave Civile, Administrative dhe Penale për kompetencë apo juridiksion. Gjithashtu, edhe pamundësia për të shqyrtuar kërkesat për mosekzekutim të vendimeve të formës së prerë, që mund të krijojnë efekte të pakthyeshme. Apo eksodi i ankimeve që shkojnë në Strasburg pa u ezauruar në Gjykatën e Larte, zgjatja e proceseve dhe pamundësia për vendime që unifikojnë praktikën gjyqësore.

“Zgjidhja e vetme është ndërhyrja emergjente për plotësimin e trupës, së paku me anëtarët jogjyqtarë. Tre anëtarë mund të emërohen nga radhët e jogjyqtatëve, ndërsa pjesa tjetër e trupës me gjyqtarë, që në këtë rast promovohen dhe ngrihen në detyrë”, u shpreh dje Qoku.

1. Shqyrtimi i çështjeve në lidhje me kërkesat për ekstradim, të cilat në rast të tejkalimit të afateve sjellin edhe shfuqizim të masës “Arrest në burg”
2. Pamundësia e ankimeve të veçanta të Gjykatave Civile për kompetencë apo juridiksion
3. Pamundësia e ankimeve të veçanta të Gjykatave Administrative për kompetencë apo juridiksion
4. Pamundësia e ankimeve të veçanta të Gjykatave Penale për kompetencë apo juridiksion
5. Pamundësia për të shqyrtuar kërkesat për mosekzekutim të vendimeve të formës së prerë, që mund të krijojnë efekte të pakthyeshme
6. Eksodi i ankimeve që shkojnë në Strasburg pa u ezauruar në Gjykatën e Lartë
7. Zgjatja e proceseve
8. Pamundësia për vendime që unifikojnë praktikën gjyqësore

RREZIKOJNË TË LIROHEN
1. Hajri Seferi, i arrestuar i “Vol-Vo 4”, i kërkuar nga Italia
2. Robens Berberi, i dënuar me 18 vjet burg për trafik droge në Itali
3. Besnik Leka, i kërkuar nga Italia për trafik droge
4. Kastriot Elezaj, i dyshuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni
5. Valentina Dushku, e kërkuar nga Italia

 

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura