E bija e Vasif Biçakut, futbollistit të Kombëtares, mbesë e Dervish bej Biçakut, njërit prej firmëtarëve të vonë të Pavarësisë, tregon historitë e paraardhësve të saj. Martesën e gjyshit me tri gra, lidhjen e saj me Naim Frashërin, e emra të tjerë të rëndësishëm të kohës. Siç ishte e zakontë të ndodhte, personazhe të familjeve të mëdha vërtiteshin me martesa mes tyre për të ruajtur pasurinë
Po t’i hyjmë historisë së familjes sipas pemës gjenealogjike, Ilona Biçaku ka shumë për të folur për të gjitha degëzimet e saj. Qofshin këto nga e ëma apo nga i ati. Dhe vërtet, kur nis e tregon, i trajton të gjithë si pjesë e të tërës, nga njëra histori nxjerr tjetrën, njëri emër një emër tjetër, gati sa të duket se rrëfimi nuk mund të marrë formë. Por në fakt, duke mësuar pak nga të gjithë, hyn në frymën e një kohe që nuk mund të kthehet më. Në karakterin dhe pushtetin e disa burrave që nuk mund të jenë më, të burrave që e bënë Shqipërinë të pavarur, këtu e 100 vite më parë. Sepse në të vërtetë nuk e bëri një i vetëm. Në një formë a një tjetër, kontribuuan të gjithë, edhe përtej atyre 40 firmëtarëve. Dervish Biçaku nuk u përfshi asnjëherë në politikë në mënyrë direkte, ama kishte dorën e tij në shërbimet ndaj vendit. Më së shumti për këtë njihet në Elbasan, vendi prej nga vinte e ku ende edhe sot gjendet shtëpia e tij brenda mureve të Kalasë së Elbasanit. Por gjyshi i Ilonës nuk është i vetmi për të cilin e mbesa ka për të treguar. E ëma vinte nga një familje po aq e dëgjuar sa elbasanasit e vjetër. Gjyshi nga e ëma i Ilonës ishte nip direkt i Naim Frashërit. Copëza historie për gjithsecilin Ilona na i rrëfen vetë.

Gjyshi juaj ka qenë një ndër firmëtarët e Pavarësisë, ata të grupit të dytë. Na tregoni kush ishte…
Dervish Biçaku ka qenë emër mjaft i njohur në kohën e tij, sidomos në qytetin e Elbasanit ku jetonte. Por edhe për shkak të mbiemrit, Biçakçinjtë njihen si bejlerë të hershëm, por konkretisht gjyshi ka kontribuar mjaft në jetën arsimore të vendit, e për këtë, pak vite më parë është shpallur “Qytetar Nderi”. Megjithëse asokohe, në prag të ’44-s e kam fjalën, jeta e tyre u bë e rrezikuar nga regjimi që po vinte në fuqi. Iku ç’kishin qenë më parë.
Ç’ju kanë treguar familjarët për ditët e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur?
Na kanë treguar se delegacioni, kur ka kaluar në Elbasan, ka ndaluar në çifligun e tij, ku i kanë pritur e gostitur, kanë ndërruar kuajt e janë nisur. Nuk është se gjyshi ka qenë ndër nismëtarët, por si pari e Elbasanit ka investuar në njerëz e para, sepse gjithë atë akt nuk mund ta bënte një njeri i vetëm. Në qarqe të caktuara janë investuar edhe para për të cilat kontribuonin të gjithë aq sa mundeshin.
Përveçse ka mbështetur Mbretin Zog, ka qenë edhe i afërm i tij apo jo?
Po, e ka pasur djalë halle. Më kujtohet ç’na tregonte babai, se përpara martesës së Mbretit kishin ardhur disa referenca për kandidaten e mundshme që do të merrte për grua. Ia tregon listën gjyshit dhe i thotë: mua më pëlqen Geraldina. Epo mirë i thotë Dervishi, se paska edhe emrin e bukur, Gjeraqinë.

Si është historia e grave të Dervish beut?
Ka pasur më shumë se një, por sepse ashtu erdhën rrethanat. Në fillim, Dervishi u martua me të motrën e Murat e Refik Toptanit, Bejxhen. Por ndërsa fejesa ishte bërë, xhaxhai i tij vdes dhe, sipas traditës së kohës, gruaja me fëmijët duhet t’i ngelej njërit prej djemve të shtëpisë. E gjitha bëhej për shkak të pasurisë, çdo burrë ishte kandidat në të tilla raste, sepse ishte bërë që në fillim pakti mes dy familjeve që në këtë rast ishte Toptani. E fejuara e tij jetonte në Turqi dhe nuk e dinte që burri i saj i ardhshëm e kishte tashmë një grua. Në rast se do të ishte ndonjëra prej tyre edhe mund të kalonte më lehtë, por ajo ishte një grua e shkolluar në kolegje franceze, me mentalitet të emancipuar për kohën. Kështu erdhi dita që do martoheshin e erdhi në Elbasan. Sapo hyri në qytet ia thanë e menjëherë Bejxheja ndalet, thërret njërën nga shoqërueset dhe e ndërron fustanin e bardhë, vesh një të zi. Sapo hyri në shtëpi, i shoqi e pyeti se pse ishte veshur ashtu e ajo i thotë se nuk kish burrë, i kishte vdekur.
Përveç pakteve, familjet e mëdha bënin martesa edhe mes tyre. Rrezikun që fëmija të lindte me probleme, nuk e ndjenin?
E ndjenin që ç’ke me të, të gjithë i dinin rreziqet. Kam dëgjuar edhe raste kur përdoreshin të tjerë që gruaja të ngelej me barrë. Nuk kishin mundësi të tjera, gjithë ato pasuri të trashëguara ndër vite duhet të rrinin mes tyre.
Shërbyeset Bejxheja i sillte me vete?
Po, ato që hynin në shtëpi merrnin gratë e tyre të shërbimit me vete, sepse nuk mund të urdhëronin shërbëtoret që gjenin aty. Ato ishin kthyer thuajse në administratore të shtëpisë dhe nuk merrnin urdhra prej të rejave. Kujtoj që dadoja e xhaxhait tim, i kishte djemtë komunistë dhe në ’44-n që u ndanë gjërat e njerëzit, ata i kërkuan të ëmës të shkonte me ta; ajo nuk shkoi, vdiq këtu. Po nga ana tjetër edhe i trajtonin mirë, i shkollonin.

Çfarë ndodhi më pas me të?
Nuk i shkuan punët mirë. Lindën një djalë, i cili vdiq në moshën 10-vjeçare, por pas lindjes, për arsye shëndetësore, Bejxhes iu desh të hiqte edhe mitrën, kështu që nuk bënte më fëmijë.
Kështu që duhej nuse tjetër?
Po, u bë martesa e tretë, edhe pse pas shumë kohësh. Kishin kaluar 10 vite nga vdekja e djalit. Nusja e re e Dervishit ishte thuajse fëmijë, vetëm 15 vjeç, ndërsa ai i kishte kaluar të 40-at. Me të bëri fëmijët.
Si shkonin gratë njëra me tjetrën?
S’do mend që në krye të shtëpisë ishte burri dhe bëhej si thoshte ai; nëse dinte të vinte ekuilibrat, gjërat shkonin më mirë. Në rastin e tyre Bejxheja ishte më e shkolluara dhe dinte të sillej ndryshe, pa pasur nevojën e ndërhyrjes së të shoqit. Halla më tregonte se Bejxheja u mor vetë edhe me shkollimin e sime gjysheje, gjërat që kishte mësuar vetë ia transmetoi asaj, deri sa iku, u largua nga shtëpia. Sigurisht që në mirëkuptim të plotë me të shoqin u largua nga Elbasani dhe mori shtëpi në Tiranë pranë mbesës dhe së motrës. Jetoi këtu deri sa vdiq.
Siç ishte e natyrshme të ndodhte asokohe, edhe në rastin e prindërve tuaj, martesat janë bërë mes familjeve të mëdha, me mbiemra të njohur ende edhe sot…
Po, ime më ishte e bija e Hysret Frashërit, nipi i vëllezërve Frashëri. Ndërsa nga e ëma ishte e bija e Emine Toptanit, e bija e Zija Toptanit, i afërm i së ëmës së Mbretit Zog. E Zijait ishte shtëpia ku jetonte Mbreti, aty ku është sot Akademia e Shkencave, ua kishte lënë me qira. Madje atëherë ka qenë edhe një shtëpi tjetër e sime gjysheje që ia kishte lënë i ati si prikë, pranë shtëpisë së Mbretit, që më vonë u bë lulishte. Ishte shtëpia ku jetonin princeshat prej nga ka marrë qira deri në fund, kur shtëpia u prish besoj rreth vitit ’57. Ndërsa gjyshja e sime mëje ka gjithashtu histori interesante.

Na i tregoni…
Ishte e bija e Murat e Refik Toptanit, mbesa e Bejxhes që ju tregova. Vesimeja, pas prishjes së martesës së parë në Azerbajxhan, u martua në Stamboll me vëllain e vogël të Naim Frashërit. Jetonin atje, por vinin vazhdimisht në Shqipëri në verë. Në një nga këto pushime, ishin në çiflig në Kamzë, në kohën e kryengritjes së Haxhi Qamilit, Mehmetin e kapin e rrahin derisa vdes. Nga ajo kohë ajo ngeli këtu bashkë me fëmijët, nuk u kthye më në Turqi pas vdekjes së të shoqit.
Çfarë ndodhi me gjyshin në kohën e komunistëve?
U largua nga Shqipëria. Po ata e parandienin që kjo kohë do të vinte, sinjalet ishin dhënë kohë më parë sesa të shpallej haptazi. Ishin piketuar njerëzit. Prandaj ai iku bashkë me disa nga fëmijët. Shkollën fillore e ka bërë në Stamboll ku kishte pasur në klasë edhe një nga pasardhësit e mbretit të Sirisë. Prandaj në ’44-n shkoi në Siri. U largua me komandën e fundit gjermane. Atje i pritën, por gjyshi nuk jetoi shumë, vdiq pak vite më vonë, ndërsa xhaxhallarët emigruan në Amerikë.
Të gjithë?
Njëri vdiq, Sefedin Biçaku. Ishte në një fshat të Kukësit, i përfshirë me Frontin Nacional Çlirimtar. U vra bashkë me të tjerët e gjendur aty nga forcat e Beqir Ballukut e Petrit Dumes. Vite më vonë, Petriti ka thirrur tim atë e i ka thënë se u kishte ardhur keq e nëse donte eshtrat e tij i kishte atje, të ruajtura nga një fshatar i zonës. Dhe shkuam i morëm e varrosëm në Elbasan.

As babai juaj nuk u largua?
Jo nuk iku, edhe pse kishte mundësi në më shumë se një rast. Vasif Biçaku ka qenë futbollist i Kombëtares. Në kohën kur nuk kishin ende fëmijë, ime më më tregonte se i thoshte ik e mos u kthe më, po ai kthehej gjithnjë. Të vëllain binjak e kishte gjithashtu futbollist në Itali, me skuadrën e Interit. Ka shkuar edhe te ai, ka zënë vendin e tij në stërvitje për shkak të ngjashmërisë fizike. Askush nuk i dallonte. Vetëm se trajneri i thoshte: se si luan ti sot… Ose xhaxhai e dërgonte në takime që kishte lënë. Pra, pavarësisht këtyre mundësive, nuk ndenji. Sidoqoftë, përpara çdo udhëtimi të ekipit të Kombëtares, për ikjen e Vasifit firmoste gjithnjë Ramiz Alia dhe i thoshte se “nëse nuk kthehesh, më merr më qafë mua, por së pari merr më qafë familjarët e tu”. Ndoshta nga kjo ndjenja e përgjegjësisë kthehej.
U takua më me vëllezërit e tjerë?
Jo, vdiq përpara viteve ’90.
Çfarë jete bëtë? Ndiheshit të cenuar meqenëse kishit gjithë atë arsenal arratisjesh?
Kemi bërë jetë normale. Nën vëzhgim ishe në çdo kohë, por jeta nuk ishte e zezë siç ka qenë e shumë të tjerëve, ama mund të ishte shumë më e mirë.

ANI JAUPAJ
© Panorama.al











