Eurodeputeti ngre alarmin: Maxhoranca po përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Nga antishpifja tek antikanabis, raporteri në PPE skanon Shqipërinë

Jul 20, 2020 | 19:17
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Raporteri për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane (më i madhi në PE), David Lega ka ngritur si problem shumë shqetësues mungesën e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe bërjen e saj funksionale për të marrë vendime për disa çështje të rëndësishme. 

MEP-david-lega-1

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Lega shprehet se janë disa tregues që kanë lënë të kuptohet se nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese po përfiton shumica qeverisëse. Sipas tij, përgjegjësia për avancimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian është tërësisht e qeverisë dhe listoi disa nga problematikat ku do duhet të kushtohet një vëmendje e veçantë. Sipas tij, lufta kundër kultivimit të kanabisit, rregullimi i paketës antishpifje, si dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë disa fusha ku qeveria dhe Kryeministri Rama duhet të dëshmojnë seriozitet dhe të përmbushin zotimet e ndërmarra. Ai theksoi në prononcimin e tij se Bashkimi Europian nuk duhet të lëshojë pe ndaj vendeve kandidate si Shqipëria, sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

INTERVISTA

Për sa u përket reformave që duhet të bëjë vendi në procesin e hapjes së negociatave, si e vlerësoni punën e bërë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim në vitin e fundit, pasi jeni raportues në PPE për Shqipërinë? Nga ato 15 kushte që Parlamenti Europian votoi disa javë më parë, për cilin prej tyre ju shihni se përparimi nga Shqipëria do të jetë më i vështirë?

Unë do të doja të mendoja se Shqipëria është në rrugën e duhur, drejt integrimit të vërtetë në Bashkimin Europian. Dhe, para së gjithash, do të doja të diskutoja më shumë përparimin në tejkalimin e sfidave – duke mos u ndalur shumë te vështirësitë. Unë mirëpres deklaratat e Kryeministrit Rama për ligjet e paketës së ashtuquajtur ‘antishpifje’ për median. Më duket sikur presioni i jashtëm dhe i brendshëm, duke nxitur lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, ka pasur një ndikim pozitiv. Tani pres veprime të përshtatshme qeveritare që të adresojnë të gjitha shqetësimet e ngritura nga Komisioni i Venecias. Mbi të gjitha, sigurisht pres që qeveria të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë atë kundër kultivimit në masë të drogës në vend.

Ju keni qenë një zë i fortë në Parlamentin Europian, duke sulmuar paketën antishpifje të propozuar dhe votuar nga maxhoranca. Pas mendimit të Komisionit të Venecias, a mendoni se do të ketë ndonjë reflektim dhe nëse kjo nuk ndodh, cili mund të jetë hapi tjetër nga ju dhe Parlamenti Europian, përtej deklaratave të rastit?

Si vend kandidat, Shqipëria pritet të harmonizojë legjislacionin e saj me standardet përkatëse ndërkombëtare dhe konkretisht, ato të Bashkimit Europian. Opinioni i Komisionit të Venecias i konsideron projektndryshimet “jo të gatshme për miratim në formën e tyre aktuale” dhe se ligji “vuan nga paqartësia”. Pas opinionit të Komisionit, Kryeministri Rama ka siguruar që qeveria do të adresojë të gjitha shqetësimet e ngritura nga Venecia, që kanë të bëjnë me të ashtuquajturin ligji i antishpifjes. Unë do të doja t’i besoja atij se ka për ta bërë këtë. Tani është koha që zoti Rama të mbajë fjalën. Partitë Popullore Europiane dhe unë të paktën, kemi qenë të qartë në pritshmëritë tona për këtë çështje.

Në një takim të Komitetit të Parlamentit Europian për Punë të Jashtme dhe të Drejtat e Njeriut disa javë më parë, ju thatë që qeveria shqiptare është më e ashpër me gazetarët sesa me bosët e krimit, ku e bazoni këtë deklaratë?

Unë mendoj se qeveria dërgoi një mesazh shumë shqetësues, kur pretendoi se “mbron qytetarët” përmes të ashtuquajturit ligj kundër shpifjes, i cili në të vërtetë do të kishte “një efekt ngrirës”. Kjo do të thotë, sipas Komisionit të Venecias, “shtyp diskutimin e lirë dhe fjalimin politik”. Liria dhe pluralizmi në media, si dhe liria e shprehjes duhet të çmuar. Çdo shkelje e këtyre lirive duhet të merret seriozisht. Lufta kundër kultivimit të drogës është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në BE. Fatkeqësisht, Shqipëria mbetet një burim kryesor i origjinës për kanabisin bimor në Unionin Europian. Pavarësisht përpjekjeve shqiptare për zbatimin e ligjit, shumë vende në Europë ende raportuan një rritje të kanabisit bimor shqiptar, sipas EUROPOL. Ndërsa lufta kundër kultivimit të drogës në të vërtetë përbën një sfidë dhe duhet të bëhet më shumë. Një vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE si Shqipëria duhet të fitojë betejën me kultivimin e drogës. Për më tepër, “një rekord i mirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet” është gjithashtu ndër parakushtet për nisjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian. Në atë që keni parë mbi progresin e reformave të bëra nga Shqipëria në vitet e fundit, kur mendoni se do të jetë takimi i parë negociues midis Shqipërisë dhe BE-së? (Duke kujtuar që janë 15 kushte që vendi duhet t’i përmbushë përpara takimit të parë dhe deri tani vetëm një pritet të përfundohet brenda këtyre dy javëve). Do të ishte e papërshtatshme për mua të merrja ndonjë përparim ose regres si të mirëqenë. Unë thjesht mund të theksoj se qeveria shqiptare është plotësisht përgjegjëse për përmbushjen e parakushteve të përcaktuara nga BE-ja.

Për sa i përket Reformës në Drejtësi, e cila ka pasur një mbështetje të fortë nga BE-ja, a është ajo brenda pritshmërive tuaja, pasi Shqipëria tashme u bë 3 vjet që nuk e ka Gjykatën Kushtetuese?

Ndër kushtet që duhet të përmbushen para Konferencës së Parë Ndërqeveritare është që Shqipëria “duhet të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të Reformës Gjyqësore, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë mendimet e zbatueshme të Komisionit të Venecias”. Këto janë pritshmëritë themelore, me të cilat duhet të përkushtohet Shqipëria. Jo të gjitha shtetet demokratike – përfshirë Suedinë – kanë një Gjykatë Kushtetuese. Sidoqoftë, është alarmante që një vend kandidat në BE duket se i mungojnë kontrollet themelore dhe ekuilibrat në sistemin e tij të drejtësisë. Për fat të keq, disa ngjarje të fundit tregojnë qartë se shumica qeverisëse e Shqipërisë po përfiton nga mungesa e një Gjykate Kushtetuese dhe po ndërmerr hapa vendimtarë për të shfrytëzuar “mundësitë” që po i shfaqen. Një kurs i tillë veprimi nuk mund të jetë i tolerueshëm. Bashkimi Europian duhet të kërkojë institucione të pavarura dhe transparente dhe kurrë nuk duhet të bëjë kompromise për sa u përket të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura