ARISTIR LUMEZI/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe mungoi në Kongresin treditor të Partisë Socialiste. “Veterani” i kongreseve të socialistëve nuk është parë në asnjë nga seancat e kongresit, edhe pse ai u shtri në tri ditë, atë të gruas, pjesën zgjedhore dhe ditën e tretë kushtuar rinisë.
Mungesa e tij ra në sy dhe te disa delegatë të Beratit, të cilët prisnin ta takonin numrin dy të qeverisë në hollin e pallatit të Kongreseve ditën e shtunë. Anëtarë të maxhorancës qeverisëse thanë se mungesa e Braçes në Kongres lidhet me disa pakënaqësi të tij me Kryeministrin Rama.
I pyetur nga gazeta “Panorama” nëse kishte munguar apo kishte bojkotuar Kongresin, zëvendëskryeministri tha se “nuk bojkoton asgjë”.
“Unë nuk bojkotoj asgjë”, u shpreh Braçe për “Panoramën”. Duket se vendimi i Braçes për të mos marrë pjesë në Kongres është lajmëruar herët, sepse ka pasur dhe modifikim të axhendës së ditës së dytë të Kongresit. Raporti i zëvendëskryeministrit në lidhje me performancën e administratës publike sa u takon shërbimeve të qytetarëve në sportele u mbajt nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin.
Në detyrën e tij si zëvendëskryeministër, Braçe është angazhuar me reformën në administratën publike, ku nuk kanë munguar inspektimet e tij që në orët e para të mëngjesit në sportelet e shërbimit të institucioneve publike për të parë shërbimin e tyre për qytetarët. Por “Raportin mbi drejtimet kryesore të politikave tona legjislative dhe qeverisëse”, u mbajt nga ministrja Spiropali.
“Shqipëria ka filluar procesin e transformimit të shërbimeve publike prej kohësh, por tani ka marrë një hov të jashtëzakonshëm në këtë valë të re të procesit të dixhitalizimit të të gjitha shërbimeve apo revolucionit dixhital 2020. Ka nisur këtë transformim rrënjësor të marrëdhënieve të qytetarit me zyrat e shtetit, që është një marrëdhënie krejtësisht e deformuar në Shqipëri me vite të tëra, madje për të mos thënë që nga koha kur ‘doktor Gjilpëra’ hynte në portin e Durrësit, Shqipëria pothuajse ka pasur një fytyrë të administratës së saj, të zyrtarit nepotik, të zyrtarit të partisë, të zyrtarit që zhvat dhe zvarrit qytetarin. Është këmbëngulja e jashtëzakonshme e Edi Ramës, e qeverisë shqiptare dhe e PS-së që do ta bëjë më në fund transformimin absolut dhe të pandryshueshëm të shërbimeve publike dhe administratës, sepse ndryshe ne nuk mund të jemi një vend europian”, vijoi Spiropali raportin e saj, duke folur për shërbimet në institucionet publike.
© Panorama.al











