“Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës – (Libri i UET Press)

Sep 17, 2021 | 21:49
SHPËRNDAJE

“Në këtë botë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Këto fjalë të Jevtushenkos do të citonte Liri Belishova 70 vjet pas vetëvrasjes së të shoqit, Nako Spirus, një nga figurat kryesore të Partisë Komuniste.

Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Në një bisedë me Bashkim Shehun, ajo rrëfen ditët e fundit të të shoqit, teka po përballej me një presion të jashtëzakonshëm për shkak të qëndrimit të tij “të rezervuar” ndaj jugosllavëve.

bashkim shehu Ditët e fundit të Nako Spirut

I vendosur përballë akuzave, në një mbledhje që nuk i jepte kohë të përgatitej, Spiru do të tërhiqte këmbëzën e pistoletës. Vdiq pas dy orësh, u varros me nderime, duke e raportuar vetëvrasjen si një aksident, por shumë shpejt do të shpallej si “armik”.

Në librin “Liri Belishova dhe koha e saj”, botim i “UET Press”, Bashkim Shehu tregon si u eliminua Nako Spiru kur ishte vetëm 29 vjeç.

BASHKIM SHEHU

pjimage - 2021-09-02T143039.522

Gjithsesi, në këto vite, “antijugosllav” është anatema më e rëndë për një komunist shqiptar. Dhe, ashtu si në Plenumin e Beratit, jugosllavët shprehin pakënaqësi ndaj shqiptarëve duke ngulmuar se këta nuk po bëjnë aq sa duhet. Procesi i aneksimit ka filluar sidomos në fushën e ekonomisë dhe jugosllavët akuzojnë kryetarin e Komisionit të Planit, Nako Spirun: “Kur analizohen marrëdhëniet mes nesh”, thotë në nëntor 1947 Savo Zllatiç, përfaqësuesi jugosllav i radhës, “ne nuk mund të mos vërejmë një rol të çuditshëm që lot Nako Spiru. Neve na duket se shoku Nako Spiru dëshiron në këtë gjë orientimin antijugosllav dhe është mbrojtësi i këtij orientimi”.

SA E BAZUAR ËSHTË AKUZA NDAJ TIJ SI “ANTIJUGOSLLAV”?

Bashkim Shehu gjatë një bisede për librin e ri në UET

Bashkim Shehu gjatë një bisede për librin e ri në UET

Mbas vizitës së tij të parë në Jugosllavi, në dhjetor 1944 ose janar 1945, kujton Liri Belishova, Nako Spiru, ndonëse e vlerëson rezistencën e jugosllavëve ndaj pushtuesve, thotë se atyre u është rritur mendja dhe se, prandaj, do shkojnë drejt përplasjes me Bashkimin Sovjetik. Me të vërtetë, kështu do të ndodhte. Dhe, sipas analistit Paul Lendvai (Eagles in cobwebs: nationalism and communism in the Balkans), i tillë ka qenë shkaku i prishjes midis Beogradit dhe Moskës më 1948.

Midis tyre s’kishte asnjë kontradiktë ideologjike, por jugosllavët ishin të pakënaqur nga arroganca e këshilltarëve sovjetikë dhe e shprehnin këtë pakënaqësi, për çka sovjetikët ndiheshin të fyer. Në mënyrë të ngjashme i shpjegon Paul Lendvai tensionet shqiptaro-jugosllave që, sipas tij, sollën prishjen midis Tiranës dhe Beogradit: në zanafillë, sipas tij, qëndron arroganca jugosllave.

Shkaqet e të dyja këtyre prishjeve janë më të ndërlikuara, e megjithatë shpjegimi i mësipërm hedh dritë mbi ankesat dhe akuzat e Beogradit ndaj palës shqiptare më 1947, konkretisht ndaj Nako Spirut, dhe kësisoj përkon me opinionin e tij për mendjemadhësinë e jugosllavëve. Ndërkaq, Nako Spiru ka filluar të ndjejë tashmë se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç i kishte ëndërruar ai kur hyri në lëvizjen komuniste.

Liri Belishova kujton se si një ditë ai kthehet në shtëpi shumë i trishtuar dhe shumë i pezmatuar. “Çfarë ke?”, e pyet ajo me shqetësim. Ai vazhdon të heshtë. Po më së fundi shpërthen: “Këta janë më keq se fashistët!”. Liria nxiton të mbyllë dritaren, se mos i dëgjon roja që u takon për sigurinë e tyre si familje e udhëheqjes, dhe pret që i shoqi t’i shpjegojë. Atëherë, Nako Spiru tregon se një nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme e ka njoftuar që Kosta Boshnjaku, nga burgu, kërkon që ai t’i vejë sepse ka diçka për t’i thënë.

Kosta Boshnjaku ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Fan Nolit, ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë nga regjimi i Zogut, u arrestua në Vjenë më 1929, kinse i përzier në një tentativë atentati kundër Mbretit Zog, u lirua me ndërhyrjen e Ajnshtajnit dhe të disa personaliteteve të tjerë, u kthye në Shqipëri, mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, u bë drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë në regjimin komunist, u bë deputet dhe qe nga deputetët që mbanin qëndrim kritik ndaj komunistëve, e vetmja opozitë institucionale në Shqipëri, por që u likuidua me arrestimin e tyre, të akuzuar si agjentë anglo-amerikanë, ndër të cilët edhe Kosta Boshnjaku. Tani, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme pandehin se ai do t’ia pohojë fajet e veta Nako Spirut, meqë kanë pasur miqësi.

Nako Spiru i shkon në burg dhe, kur e sheh, tmerrohet: miku i tij është gjithë gjak, i përçudnuar nga torturat, i panjohshëm. “Çfarë deshe të më thoshe?”, e pyet Nako Spiru me të butë. “Asgjë”, i përgjigjet Kosta Boshnjaku, “vetëm u thuaj këtyre që t’i shkruajnë të tëra ato që më kërkojnë të pranoj dhe unë do firmos menjëherë, që të mbarojë sa më parë kjo hetuesi!”.

Nako Spiru i thotë së shoqes: “Luftuam kundër fashistëve dhe tani jemi bërë më keq se fashistët”. Por, me sa duket, Nako Spiru ka shkuar më larg se zhgënjimi nga rasti konkret i Shqipërisë, nga politikat që zbatonte udhëheqja, në të cilën bënte pjesë edhe vetë. Me sa gjykon Liri Belishova, ai madje “po zhgënjehej nga komunizmi”. Liria kujton edhe një tjetër episod. Në shtëpi, në dhomën e ndenjjes, ajo duke lexuar një libër të Stalinit, Nako duke bërë ecejake nëpër dhomë, “ç’e lexon atë”, i thotë, dhe shton se, sipas një gazetari perëndimor, shkrimet e Stalinit janë të një niveli prej nxënësi shkolle. Liria kujton gjithashtu se ai e cilësonte si të prapambetur Bashkimin Sovjetik, duke e krahasuar, për shembull, me Italinë.

Ishin shprehje sporadike zhgënjimi. Ishin, me sa duket, shprehje të diçkaje ende të pakristalizuar, që nuk ia pohon plotësisht dhe gjer në fund as edhe vetes tënde dhe, prandaj, as edhe gruas tënde. Ishte si një mikrohemorragji e brendshme. Dhe as ajo nuk e pyet më tej. Ndoshta ka frikë nga vetja. Ndoshta, nëpërmjet një mekanizmi vetëmbrojtjeje psikologjike, i mban të izoluara ato fjalë, atë anomali që nuk duhej ta molepste botën e përditshmërisë normale.

Sidoqoftë, udhëheqja s’mund t’i dinte mendimet e vërteta të pjesëtarëve të saj: e kishte dënuar veten që të mos i dinte. Më anë tjetër, në veshët e Enver Hoxhës kishte mbërritur fjala se njëri prej këtyre pjesëtarëve, Nako Spiru, mbas Plenumit të Beratit e paskësh quajtur “copë mishi me dy sy”, përpos që e kishte kritikuar haptas dhe shumë rëndë (“pas Dushanit e Miladinit, ka qenë Enveri”), madje Enver Hoxha mund të jetë ndier i poshtëruar në atë plenum prej talljeve të Nako Spirut me kultin e tij. Për më tepër, i ka ardhur në vesh, nëpërmjet Koçi Xoxes dhe Nesti Kerenxhit, se në kohën e atij plenumi Nako Spiru u ka thënë këtyre, pak a shumë: “Nëse nuk bindet Enveri, e bind koburja”. Por tani Enver Hoxha nuk e fillon nga këto. E fillon nga insinuatat e përfaqësuesit jugosllav Savo Zllatiç për një orientim antijugosllav në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Mbledhja e Byrosë Politike thirret për më 18 nëntor 1947, pak ditë mbas takimit Hoxha-Xoxe-Zllatiç, në të cilin ky i fundit, në emër të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, paraqet akuzat e cituara më lart. Në këtë mbledhje mungon Bedri Spahiu, ngaqë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe kanë vendosur të mos jetë i pranishëm: që nga përjashtimi i Sejfulla Malëshovës, ai ka mbajtur një qëndrim disi të tërhequr, prandaj “mendonim se a ishte Bedriu dakord me vijën tonë?”, do të thoshte mbas ndonjë muaji Enver Hoxha. Pra, mbledhja pritet të jetë e atillë që, ndonëse kundër çdo rregulli, në të duhet të shkojnë jo të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, po vetëm ata që konsiderohen të sigurt se do të jenë dakord me Enver Hoxhën.

VIJON NESER…

 

LEXO EDHE: “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/