Enver Hoxha shtoi emrin e Sabiha Kasimatit në listat e vdekjes

Sep 17, 2012 | 14:56
SHPËRNDAJE

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara të Shqipërisë, vjen nga një familje e njohur intelektuale libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për Mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familjen deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, ku shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.
Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën europiane. Ndaj, kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.
Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.
Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët “Edukatë morale” dhe “Frëngjisht”. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.
Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.
Në Shqipëri punoi me entuziazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në institutin femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën që vinte nga Shqipëria. Ai i tha:
– Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Ne andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”
Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos bëhet dhe Shqipëria të përparojë”.
Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto.
Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë (disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujërat e vendit tonë, si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë. Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë, kujton: “Sabihaja si ihtiologe përfundoi në vitin 1948 një studim shkencor mbi peshqit në ujërat shqiptare. E entuziazmuar, shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj Durie Hulusi: “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera që janë në kufi me Shqipërinë”.
Sipas prof. Uran Asllanit “Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtiologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur u kthye, hulumtoi, gjurmoi e studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujërave shqiptare. Gjatë dhjetë vitesh kërkimi, ajo arriti të evidentonte gjithë faunën ujore shqiptare, bëri klasifikimin në taksonominë ihtiologjike në klasa, gjini, lloje e nënlloje peshqish, përcaktoi zonat e përhapjeve të llojeve më të rëndësishme të peshqve, ciklet biologjike të tyre etj. Mbas një pune voluminoze për plotësimin e mijëra skedave, koleksioneve të mostrave të grumbulluar në dhjetëra ekspedita, duke filluar nga liqeni i Butrintit e deri te liqenet e Lurës, nga liqeni i Prespës e deri në detet Adriatik e Jon, si edhe në lumenjtë e rëndësishëm, duke regjistruar e përpunuar edhe mijëra referenca bibliografike e fotografi, Sabihaja asokohe kishte bërë të gatshme monografinë voluminoze
‘Peshqit e Shqipërisë’. Por nuk ishte e thënë që atë monografi shkencore ta botonte autorja e vërtetë. Në vitin 1955, kur në Shqipëri ende nuk ishte botuar as ‘Flora e Shqipërisë’ dhe as ‘Shpendët e Shqipërisë’ për të cilat punonin prej vitesh një numër shkencëtarësh, botohet vepra e dr. Sabiha Kasimatit, natyrisht jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatoli Poljakov dhe të dy fillestarëve në këtë lëmë, Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt”.
Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.
Dr.Namik Kasimati rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.
Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?
Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.
Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.
Këto biseda Sabihaja ia kallëzoi të vëllait, dr. Hivzi Kasimatit, babait tim, që banonte në Korçë dhe me të cilin Sabihaja takohej shpesh.”
Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajën t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër, të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik. Ne e dimë se ç’ka hequr kurrizi ynë që të detyroheshim të depononim kundër teje, në mënyrë që edhe ti të hyje në burg”.
Ing.Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fund i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në Shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koci Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha krimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale. Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: “Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerëz pa faj. Por në të ardhmen nuk do të ndodhin më gjëra të tilla”. Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia ktheu aty për aty: “Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prapë shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe do të rifillojnë përsëri terrorin”. Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.
Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajën t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit.
Kryqet i kishin vënë udhëheqësit e lartë të partisë e shtetit. Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!
Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane.
Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj. U thashë: Unë kam studiuar për Biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit”.
E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.
Xha Kadriu nga Mëniku rrëfen: “Më vonë, kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi ende i patretur i Sabiha Kasimatit!”. Po shpirti i saj, vepra e saj, fryma e saj jeton, sepse është brenda nesh, brenda shpirtit të kombit, ndaj është e pavdekshme.

URAN BUTKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura