EKSKLUZIVE/ “I shpëtove dënimit me vdekje se…”- Rrëfimi i Rrahman Parllakut: Prapaskenat e gjyqit të sajuar me studentë të veshur si ushtarakë. Si i pushkatuan Beqirin dhe Gjeneralët

Aug 30, 2019 | 16:20
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Në vijim të rrëfimit të tij, gjeneral lejtenant, Rahman Parllaku, tregon gjyqin që iu bë “puçistëve” të Ushtrisë, siç u quajtën, pas 11 muaj hetimesh në qelitë e burgut dhe nën masa jashtëzakonisht ekstreme sigurie.

Pasi ishin shpallur fillimisht nga Pleniumi i KQPPSH-së si armiq të popullit dhe Partisë nga vetë Enver Hoxha, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, gjyqi ushtarak ishte një formalitet. Në një sallë të sajuar si sallë burgu, ku të pranishëm ishin vetëm oficerët e sigurisë dhe hetuesit e tyre, tre drejtuesit e lartë të Ushtrisë u dënuan me pushkatim, ekzekutim që u bë menjëherë pas gjyqit, pa pritur që vendimin për dënimin me vdekje ta jepte Presidiumi i Kuvendit Popullor.

parllaku
RRAHMAN PARLLAKU, ME RADIO NE DORE, BEQIR BALLUKU, PETRIT DUME DHE ENVER HOXHA

Gjeneral Parllaku tregon se si shpëtoi i gjallë nga ky gjyq, duke marrë një dënim me 25 vite burg. Dëshpërimi i madh i gjeneralit pas kthimit në qeli, për shkak se kishte lënë tre shokët e tij nën një vendim të rëndë dhe të panjohur për të, por dhe urimet që ai mori nga oficerët e sigurimit që e ruanin 24 orë në qeli, për shkak se i shpëtoi ekzekutimit, rrëfehen me emocion në intervistën e tij marrë nga “Panorama” me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

Parllaku tregon dhe ofertën që i bëri në burg Kadri Hazbiu para hetuesit të çështjes që të pranonte tradhtinë që kishte bërë në shkëmbim të një dënimi më të butë, ofertë që u refuzua nga gjeneral Parllaku. Por nuk mungon dhe takimi i Parllakut pas viteve ’90 me prokurorin e çështjes Murat Kamani, që kërkoi 75 vjet burg për të në gjyq.

Si u zhvillua mbledhja e Plenumit të 6 të KQPPSH-së për çështjet e Ushtrisë?

Enveri e nisi me Petritin. Petriti iu përgjigj: “Nuk jam përgatitur për diskutim, sepse dje e mora vesh që jam shpallur armik, kam qenë anëtar i KQ PPSH, kandidat për në Byronë Politike, me përgjegjësi mbi 20-vjeçare në Shtabin e Përgjithshëm, prandaj dua të përgatitem. – S’ka nevojë të përgatitesh, si e keni organizuar puçin në Ushtri, këtë na u përgjigj?”, i tha Enveri. U ngritën dhe të tjerë dhe as i lanë mundësi Petritit që të fliste. Të gjithë duke na akuzuar si armiq. Enveri qëndronte gjatë gjithë kohës në këmbë. Pasi dëgjoi të tjerët, ai tha se kush ishte dakord që Petrit Dume të përjashtohet nga Byroja, nga KQ, nga partia dhe t’i jepet gjyqit. I vunë prangat dhe e morën. Të gjithë njëlloj si Petriti. Sadikun nuk e propozoi për burg, por vetëm përjashtim nga Partia dhe funksionet. Erdhi radha ime. “Na thuaj puçin”, më tha Enveri. Unë i thashë: “Edhe në varr të vini dhe të trokisni, nuk do të gjeni veprimtari armiqësore ndaj Partisë dhe popullit tim”. Dorëzova teserën e Partisë dhe na dërguan të treve në qelitë e burgut.

Gjeneralet-Beqir-Balluku-Petrit-Dume-Hito-Cako1

Sa zgjati kjo situatë?

Qëndruam kështu për 11 muaj derisa u bë hetimi nga hetuesia. U krijua një komandë më vete dhe nuk vareshim nga drejtori i burgut. Mehmeti mori Idriz Seitin, një ishkapobandë që gjatë luftës italo-greke. Mehmeti e kishte të tijin nga fshati Çorrush i Mallakstrës. Ai ka qenë kryetar i degës së Punëve të Brendshme në Kukës dhe në Lezhë. E thirri Mehmeti dhe e bëri komandant, krijoi një komandë më vete, të përbërë nga rreth 30-40 veta, me njerëz që ruanin dhe oficerët që qëndronin në qeli se mos flisnin me ne, sepse e kishin të ndaluar komunikimin. Për ne kishte një regjim të veçantë trajtimi në burg.

1

Cili ishte hetuesi juaj?

Unë pata hetues Pirro Dautaj, djali i Esat Dautajt, një mësues i nderuar. Kur ka vdekur xha Esati, kam qëndruar në shtëpinë e tij duke pritur e përcjellë njerëzit bashkë me Kadriun. Koha e solli që djali i tij, të ishte hetuesi im. Ai do të bënte punën e tij për të cilën e kishin caktuar, por të paktën nuk pata ofendime prej tij. Vetëm njëherë u zemërua keq me mua, sepse më erdhi Kadri Hazbiu të më bindte që të pranoja se kishim bërë punë armiqësore në Ushtri.

Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Kadri Hazbiun?

Me Kadriun nuk isha vetëm shok, por ishim bërë si pjesëtarë të familjes. Nuk kishte Vit të Ri që Kadriu dhe Shefqet Peçi të mos vinin të parët për vizitë në shtëpinë time. Me Kadriun ishim njohur që në Brigadën e 5-të sulmuese, e kishim mbajtur miqësinë, ishim dhe komshij. Vjen Kadriu dhe më thotë: Rrahman, kështu si rrodhën gjërat, tregohu i arsyeshëm, ti ke qenë njeri i Partisë, Partisë duhet me i folur hapur, do të jetë po partia që do të vlerësojë qëndrimin tënd etj., si këto. Unë i thashë se po bëhen 10 muaj hetime dhe i jam përgjigjur çdo pyetjeje të hetuesit, dhe nuk kam ç’të them më tepër. Hetuesi u tërbua nga kjo përgjigje, sepse priste që unë t’i flisja ndryshe Kadriut. Babai i hetuesit, xha Esati ka qenë si tutori në familjen e Kadriut, se ishin kushërinj, Kadriu ishte rritur në familjen e tij. Hetuesi, Pirro Dautaj, u mërzit shumë dhe më tha: Ti je me të vërtetë armik i popullit, të mos dëgjosh dhe Kadriun që e ke pasur shok që gjatë luftës!!! “O Pirro – i thashë, – çfarë kisha për të thënë, t’i kam thënë ty. Do të bëhet gjyqi dhe do të shohim të vërtetat. Do të dëgjohem dhe do të lirohem! – Ti vërtet e beson se do lirohesh? – më tha hetuesi. – Si mos e besoj, si mos të besoj te drejtësia e Partisë sime, – i thashë. – Po si mund ta besosh, kur me propozimin e Enver Hoxhës, ngritën dorën 140 vetë në Plenumin e Komitetit Qendror që ti të vish këtu si armik i Partisë dhe i popullit?! Unë si jurist kam detyrë që akuzat ndaj teje dhe shokëve të tu t’i hedh mbi baza juridike, se sa do të dënohesh nuk e di, por që do të dënohesh, kjo as që vihet në dyshim – më tha hetuesi.”

Si u veçuat nga grupi tjetër i të dënuarve?

Ne shkuam të katërt bashkë në gjyq. Gjyqi u bë brenda në burg. Ishte sajuar një sallë dhe publik ishin të gjithë sigurimsat, hetuesit tanë dhe oficerët që na ruanin. Jurista ishin Aranit Çela dhe Ilmi Telegrafi, ndërsa prokuror Murat Kamani. Kishin marrë një student të juridikut, e kishin veshur ushtar dhe kishin marrë edhe dy shokë të mi nga ministria për të dhënë idenë se gjykata ishte demokratike, gjithëpërfshirëse. Murat Kamani, prokurorin, e kam takuar pas viteve ‘90 te liqeni. Kur më pa, nuk e donte veten. “Hajde – i thashë – ulu”. Biseduam. E pyeta: “Si dënove tre veta me pushkatim dhe mua 75 vjet burg?” Murati më tha: “O Rrahman, a ta merr mendja ty se unë do t’ju dënoja me pushkatim apo ty me burg? Pse në dorën time ishin ato dënime?! Ne na erdhi vendimi i Byrosë Politike që të katërt ju të pushkatoheshit. Përpara se unë të bëja pretencën, më erdhi Kadri Hazbiu me Feçorin dhe na thotë se duhet që njërin nga të katërt, ta lemë të gjallë. Pse? Sepse mesa duket në median ndërkombëtare ishte bërë shumë zhurmë për këto arrestime dhe dënime me vdekje ku shkruhej që të gjithë ata që arrestoheshin dënoheshin me vdekje. Të ra ty fati që të mos pushkatoheshe”. E pyeta se përse më dënoi me 75 vite burg. Ai më shpjegoi se ishin dy nene për tradhti ndaj atdheut, ose me 25 vjet burg ose me pushkatim, prandaj unë të dhashë tri herë me 25 vite burg, Kushtetuta e kishte 25, dhe të mbeti 25 vite burg si dënim. Kjo ishte përgjigja që më dha Prokurori i çështjes.

Përse mendoni se ju përzgjodhën juve?

Këtë Prokurori nuk ma tha, se kush ka vendosur për mua. Por ishin dy gjëra: Beqiri nuk shpëtonte dot nga pushkatimi, Petriti dhe Hitua fillimisht e mohuan akuzën, por ata kishin më shumë përgjegjësi se unë. Por sipas Prokurorit, Byroja Politike kërkonte që një nga ne të katërt të mos pushkatohej. Unë nuk pranova asgjë nga akuza. Prokurori më tha se keni qenë të gjithë bashkë, e pranova që kemi qenë bashkë si drejtues të Ushtrisë, se na lidhte puna, por nuk kam kryer asnjë aktivitet armiqësor ndaj Partisë dhe popullit. Kur dhanë dënimin, nuk më lejuan as të takohesha me pjesën tjetër të grupit. Sapo mbaruan me mua në gjyq, duke më komunikuar dënimin, u ngrita dhe më çuan në qeli. I lashë të tjerët aty. Kur shkova në qeli e kishin hequr kafazin e hekurit, kishin lënë thesin me kashtë, atë që quhej dyshek. Kam qenë shumë i mërzitur kur u ktheva në qeli dhe kam shpërthyer në të qara, sepse i lashë të tre shokët e mi në gjyq pa ditur se çfarë bëhej, shokë me të cilët njihesha dhe kisha punuar prej 20 vitesh. 9 nga oficerët që na ruanin në qeli erdhën të më uronin që shpëtova dhe nuk isha dënuar me pushkatim. Më gjetën të përlotur dhe u çuditën. “Çfarë ke, ç’ka ndodhur, nuk je i gëzuar që t’u fal jeta?”, më pyetën kur më panë me sy të përlotur. U thashë që unë shpëtova, por lashë tre shokë atje në gjyq, që do të dënohen. Ata pas komunikimit të vendimit, i kanë marrë dhe i kanë pushkatuar menjëherë, nuk i kanë lënë të pritet vendimi i presidiumit të Kuvendit Popullor. Letrat më vonë janë bërë fiktive. Sepse ata nuk i sollën më në qelitë e tyre. I kanë pushkatuar në Lana Bregas dhe i kanë çuar eshtrat e tyre në Vranisht të Vlorës. Mezi i kemi gjetur pas ’90.

Ku e keni kaluar dënimin?

Pjesa më e vështirë ishte burgu i Tiranës, vetëm, i izoluar, katër vitet e para. 22 orë brenda dhe ato 2 orë ajrim, t’i ndërprisnin për shkaqe të kota. Më thonin që s’duhet të të shohë njeri që je këtu. Burgu i Tiranës ishte tranzit, sepse sillnin të dënuarit para se t’i transferonin në qytete të tjera. Shumë herë ma ndërprisnin dhe ajrosjen. Për të lexuar më jepnin vetëm Zërin e Popullit dhe nuk dëgjoje asgjë tjetër. Në fillim pata regjisorin e dënuar, Mihal Luarasi. Më vonë më pyetën a pranon në qelinë tënde Kiço Ngjelën? Po u thashë dhe e sollën Kiçon. Me të kam ndenjur dy vjet në Tiranë dhe bashkë qëndruam dhe 14 vjet në Burrel. Më vonë sollën dhe Spartak Ngjelën dhe kemi qëndruar bashkë të tre në një qeli më të madhe. Atje kishte një pjesë të ndarë për ne ish-udhëheqjen e dënuar, gjeneralët, ministrat Maqo Çomo, Fadil Paçrami, erdhi i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë në burgun e Burrelit.

Si ju trajtonin në Burrel? 

Trajtimi ishte njësoj. Por në burg unë bëra grevë urie, refuzova ushqimin për tri ditë, sepse nuk më njihnin trajtimin si diabetik. I kërkova të merrnin kartelën time mjekësore në klinikën e udhëheqjes që të njiheshin me diagnozën time. Më pas e pranuan trajtimin tim si diabetik.

A takoheshit me njëri-tjetrin ju të grupit të Ushtrisë?

Ne takoheshim vetëm në ngrënien e ushqimit në mensë dhe në ajrosje. Pjesa tjetër ishte secili në qelitë e veta.

Vijon

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

 1. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi në 100-vjetorin e lindjes, Gjeneral Parllaku: Si e kurdisi Enver Hoxha intrigën mes Beqir Ballukut dhe Mehmet Shehut. Prapaskenat e shkarkimit tim dhe ish-ministrit të Mbrojtjes

2. EKSKLUZIVE/”Oficerët janë tradhtarë të partisë”- Rrëfehet Gjeneral Parllaku: Debati i fortë i Enverit me Mehmetin për grupin puçist në Ushtri. Kush e përgatiti “fshesën e hekurt”

3. EKSKLUZIVE/ “Dje e mora vesh që jam armik”- Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Çfarë ndodhi gjatë gjyqit me Enverin. Oferta që më bëri Kadri Hazbiu në qeli

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura