Ekskluzive/ Dorëheqja e Fatmir Xhafajt, Saimir Tahiri anulon konferencën, flet ish-ministri: Ka lidhje me…

Oct 27, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

Saimir Tahiri

Aristir Lumezi/ Ish-ministri i Brendshëm, njëherësh ish-deputeti i PS-së, Saimir Tahiri ka anuluar konferencën e njoftuar për ditën e sotme.

Njoftimi një ditë më parë nga ana Tahirit, u shoqërua sot në mëngjes me dorëheqjen e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm.

I kontaktuar nga “Panorama Online”, Saimir Tahiri ka konfirmuar anulimin e konferencës për shtyp të programuar për ditën e sotme në “Hotel Rogner”.

Por i pyetur nëse kjo kishte të bënte me zhvillimet e fundit dhe dorëheqjen e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm, ish-deputeti i PS-së tha se ky vendim i tij nuk kishte lidhje me dorëheqjen e pasardhësit të tij.

“Konferenca ka lidhje me mua, me askënd tjetër”, u shpreh Tahiri.

Konferenca

Konferenca e paralajmëruar e Saimir Tahirit solli komentet të ndryshme nga analistët, ku Lorenc Vangjeli tha se Saimir Tahiri do paraqesë fakte drithëruese.

“Pretendohet se do të flasë të vërteta drithëruese për miqtë dhe armiqtë, po në një terren kaq të rrëshqitshëm siç është politika shqiptare, vija që i ndan miqtë nga armiqtë është kaq e hollë sa shpesh, kush gdhihet miq sot nesër është një armik dhe e anasjelltas, por edhe në këtë rast them se ende nuk dihen se cilat janë të vërtetat që do të thotë ish-ministri i Brendshëm”, shtoi Vangjeli .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura