Gerald Shehu, 43-vjeçari që dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri recepsionistin e një holeli në Dhërmi, mësohet se është person me precedent të mëparshëm penal.

Në korrik të vitit 2021, ky shtetas nga Tepelena por banues në Angli, ishte arrestuar bashkë me dy persona të tjerë për ndërtim pa leje në vijën bregdetare të Vlorës.
“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasve Gentian Berisha 24 vjeç, Andrea Fërfëlli 20 vjeç dhe Gerald Shehu 40 vjeç, pasi në Dhërmi, u konstatuan duke ndërtuar konstruksione prej druri përgjatë vijës bregdetare, të papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompetente”, njoftonte policia aso kohe.
Për t’u rikthyer te ngjarja e ditës së sotme, personi i qëlluar me armë zjarri, Eraldo Novruzi, është zhdukur. Kurse autorit, Gerald Shehu, është larguar drejt Greqisë.
Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 29 persona, të cilët po merren në pyetje.
“Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale”, thonë blutë e Vlorës, ndërkohë që vijon puna për gjetjen e 31-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.
Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.
Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.
Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.
© Panorama.al











