NIKOLETA KOVAÇI/ Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e djeshme në Tiranë. Një grua e moshuar është sulmuar nga dy qenë të racës “Pit Bull” e për pasojë është plagosur prej tyre.

Gruaja ka qëlluar me fat në fakt, pasi ulërimat e saj kanë bërë të mundur që të afrohen banorët e tjerë të pallatit, ndërkohë gruaja ka marrë plagë serioze në pjesën e këmbëve, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën, kjo falë ndërhyrjes së shpejtë të njerëzve.
Gruaja është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku është bërë edhe ndërhyrja e mjekëve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme për të shmangur krijimin e komplikacioneve. Më pas, është lajmëruar Policia dhe është bërë e mundur të sqarohen rrethanat e ngjarjes ku bëhet me dije se i zoti i dy qenve kërcënues është një banor i të njëjtit pallat.
Policia me të marrë njoftimin e ka kuptuar se për kë bëhet fjalë, pasi personi ishte paralajmëruar edhe shumë herë të tjera në lidhje me rrezikshmërinë që i paraqitej komunitetit nga dy qentë e racës së dhunshme. Ai është vënë në pranga nga Policia dhe ka dhënë shpjegimet e para në lidhje me ngjarjen, duke u shfaqur i habitur se si dy qentë e tij kishin mundur të dilnin nga banesa.
Ai i ka thënë Policisë se e kishte lënë derën e mbyllur dhe madje për siguri edhe derën tjetër të drurit që e ndan me pjesën tjetër të katit të vet, por qentë në fakt kanë rezultuar të lirë dhe me dyer të hapura. Policia ka mundur të dokumentojë edhe dëshminë e gruas në spital, e cila i ka thënë Policisë se qentë e fqinjit të saj kanë qenë gjithnjë kërcënim për banorët.
NGJARJA
B.F., është 66-vjeçari nga Tirana, i cili është arrestuar pasi dy qentë e tij të racës “Pit Bull” kanë kafshuar gruan, fqinje të tij. Ai fillimisht ka treguar habi në lidhje me ngjarjen pasi ka pretenduar se dy qentë ishin të izoluar në shtëpi, por Policia ka treguar se ka marrë me dhjetëra herë telefonata nga banorët e atij pallati në lidhje me kërcënimin që iu vinte nga qentë që mbaheshin në katin e parë. Sipas të dhënave të Policisë mësohet se gruaja ka dalë në orën e drekës të blejë bukën te një furrë në lagje.
Ajo sapo ka zbritur shkallët e katit të parë dhe ka tentuar të kalojë në oborrin e pallatit i janë vërsulur dy qentë që ajo i ka njohur mirë se i përkasin fqinjit të saj. Ka ulëritur me të madhe nga frika dhe nevoja për ndihmë e për pasojë ka pasur fatin që ka pasur njerëz në rreth e rrotull, të cilët i kanë dhënë ndihmën e nevojshme.
Dy qentë e kanë lëshuar menjëherë të moshuarën por ndërkohë ajo kishte marrë plagë në të dy këmbët. Banorët e tmerruar e kanë nisur menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak gruan dhe për fat ka mundur të shmangë gjakderdhjen prej plagëve të marra.
Sipas të dhënave të Policisë, saktësohet se burri i vënë në pranga, i cili është edhe i zoti i dy qenve ka kohë që është paralajmëruar nga policia që të merrte masa për izolimin e “Pit Bull”-ave, që jo pak herë kanë qenë shqetësim. Gruaja i ka thënë Policisë se kishte kohë që ishin të frikësuar prej tyre dhe tashmë ndodhi, ndërsa i zoti i tyre ka treguar se nuk e di se si janë hapur dyert dhe se kush i ka hapur që dy qentë kanë dalë përjashta.
AKUZA
Sipas të dhënave të Policisë bëhet me dije se 66- vjeçari është vënë në pranga nën akuzën e braktisjes së kafshëve shtëpiake. Ai do të hetohet për shkak se prej kohësh është këshilluar dhe paralajmëruar nga Policia për mbajtjen nën kontroll të qenëve të tij, por që ditën e djeshme i kishte braktisur, duke i lënë të vetëm në shtëpi dhe me dyer të hapura.
Ndërkohë, do të jetë prokuroria që do të vendosë se çfarë do të bëhet me 66-vjeçarin e prangosur, ndërkohë që Policia nuk bën të ditur se ku janë lënë qentë dhe në duart e kujt, pasi ata mund të jenë kërcënim për këdo, sidomos të moshuarit dhe fëmijët. Qentë janë bërë shpesh problem për kalimtarët sidomos në rrugë dhe në zonën e Liqenit Artificial.
Të zotët e tyre shpesh tregohen të papërgjegjshëm duke iu besuar sjelljes së tyre në lidhje me veten, por ka raca të paqëndrueshme e për pasojë ata kthehen në rrezik dhe kërcënim për kalimtarët. Në fakt, ky problem nuk është zgjidhur madje as me bazë ligjore, ndonëse pretendohet se qentë duhet të jenë të maskuar dhe të lidhur në momentin që dalin në xhiro apo mbahen në shtëpi, kryesisht në pallate.
© Panorama.al











