Drejt tregut të punës, ‘Luarasi’ trajnim me studentët

Mar 26, 2017 | 8:36
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi” nuk përballen me tregun e punës vetëm me njohuritë që marrin nga auditorët.

Këshillimi i karrierës përgjatë gjithë ciklit edukativ është kthyer në pjesë të pandashme të formimit profesional. Në funksion të këtij qëllimi, në ambientet e “Luarasit”, kompania didaktike “Irisoft” zhvilloi një trajnim me studentët, fokusuar në përgatitjen e tyre për të qenë të suksesshëm në të nesërmen e afërt.

17458329_10212580925745893_7230647616873335799_n

Erion Muça, një ndër ekspertët më të mirë të punësimit dhe karrierës në vend, orientoi të rinjtë e “Luarasit” mbi strategjitë e marketimit të vetvetes në momentin e parë që do të përballen me tregun e punës, duke i pajisur me njohuritë që duhet të kenë për të qenë sa më të preferueshëm.

“Duhet të keni një informacion paraprak me profilet që kërkon tregu, të njiheni me dinamikat e secilit profesion dhe të shikoni se çfarë duhet të përmirësoni te vetja në aftësitë personale dhe profesionale, për të qenë sa më konkurrues”.

Jo vetëm leksionet e hapura që tashmë janë kthyer në traditë, por edhe trajnimet e herëpashershme të studentëve që në bankat e auditorëve janë një bonus për ta.

“Studenti i ‘Luarasit’ përfiton një paketë gjërash me trajnimin që kryen, duke investuar në aspektin profesional. Pasi ajo përllogaritet si përvojë pune, e fituar në rrugë alternative. Për shembull, një student i Administrim biznesit, pas një trajnimi në menaxhim, mund të ndërtojë strategjinë e një biznesi real praktik dhe nuk përballet me tregun e punës vetëm me njohuritë teorike të marra në auditorë”, sqaron eksperti Muça.

Ky aktivitet ishte mjaft atraktiv, pasi u shoqërua me teste, kuize dhe shkëmbime opinionesh. Pjesë e bisedimeve midis trajnuesit e studentëve të “Luarasit” ishte pasqyrimi i aktualitetit mbi mënyrën se si funksionon tregu i punës në Shqipëri dhe cilat janë problematikat që hasen për disa profile punësimi.

17457629_10212580925785894_7989001625139497056_n

Aktiviteti i një dite më parë në ambientet e Universitetit vjen në kuadër të marrëveshjes që “Luarasi” ka me “Irisoft Education”.

Përveç mundësisë për trajnim, të rinjtë e “Luarasit” mund të jenë pjesë e trajnimeve profesionale ekstrakurrikulare dhe komplementare, bazuar në aspektin praktik. Ky bashkëpunim do të vijojë më tej dhe me këshillime apo trajnime individuale për studentët e “Luarasit”, duke nisur që nga hartimi i një CV-je të suksesshme e deri te përballja me punëdhënësin.

Kjo qendër ofron për të rinjtë e këtij universiteti lehtësinë dhe komoditetin në informacion, duke u këshilluar me ekspertë. Kështu, që në këtë stad, studentët e “Luarasit” janë të informuar dhe mund të punojnë për të plotësuar kriteret profesionale që kërkohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura