Dosjet, peng nga perversiteti dhe krimi

Mar 19, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Disa muaj më parë nuk deshëm të besojmë sondazhin e mbështetur nga  OSBE lidhur me praninë e madhe të nostalgjikëve të kohës së diktaturës. Por ka mjaftuar debati lidhur me rastin e pushkatimit të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi, si dhe çështja ideologjike e filmave të prodhuar nën diktaturë, për të kuptuar se sa shumë mendje janë ende viktimë e të menduarit kriminal, në mos, peng i veprimeve të tyre kriminale.

Ka pasur publikisht mbrojtës të personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu ishte koha”, por ka edhe mendje perverse si i një ish-sigurimsi i cili, përmes një arsyetimi kriminal, këmbëngul në drejtësinë që kishte ai sistem në pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë (shkrim i botuar në gazetën “Dita”, më 14 mars 2017, me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë). Mendje të tilla, që guxojnë edhe pas 27 vitesh që ka ndryshuar sistemi, të këmbëngulin në vrasjen e poet- ëve, sipas tyre me të drejtë, nuk janë veçse pjesa publike e djallëzisë për të mbrojtur krimin monstruoz.

Nga ana tjetër, të befason jo pak edhe analisti Mustafa Nano, i cili arrin në arsyetimin se “Të ngresh fushata histerike kundër Dianës, apo Dianave, me idenë se me këtë je duke denoncuar komunizmin, është në rastin më të mirë një vetëgënjim i madh, e në rastin më të keq është një mënyrë për të mos u marrë kurrë me komunizmin” (“Mapo”, 15 mars 2017). Është e vërtetë që gjyqi moral ndaj një personi apo disa personave nuk e zbardhin të shkuarën. Por ama, dëshmitë e tyre për atë që kanë bërë vetë, që kanë ideuar, apo që kanë pasur dijeni, është gjëja më e vogël që duhej të kishin bërë në të gjithë këto vite. Pa dyshim që me Nanon bashkohemi në një pikë se edhe ne mund të kishim bërë të njëjtat veprime si ata që janë detyruar të bënin ata dikur.

Por të jetosh pa pendim, të mos guxosh të thuash të vërtetën, do të thotë se je ende nën petkun e krimit dhe se nuk je çliruar prej atij mentaliteti. Mjafton këtu të përmendim faktin se ish-pjesëtarë të togave të pushkatimit nuk kanë guxuar as pas 26 vitesh t’u tregojnë disa familjarëve për eshtrat e të afërmve të tyre, gjë që nuk ka precedentë të ketë ndodhur në asnjë regjim tjetër, pasi për vdekjen dhe të vdekurin ka një respekt të përbotshëm. Ndërkohë që ai sistem i shkuar e mbante të burgosurin edhe të vdekur pa ua dorëzuar familjarëve, deri sa të mbusheshin vitet e dënimit. Një veprim i tillë monstruoz nuk ka shpjegime logjike për t’u mbrojtur.

Aq më pak për të ngritur alibira justifikuese. Por, në fakt, çfarë ka ndodhur në këto 25- 26 vite? Në fillim nuk kemi dashur të besojmë misionin e shumë ish-bashkëpunë- torëve të Sigurimit famëkeq për t’iu bashkangjitur Partisë Demokratike. Entuziazmi për të ngritur një shoqëri larg dhunës dhe fjalia famëkeqe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” la pezull ndëshkimin moral të krimeve në diktaturë, edhe pse në kohën e qeverisë “Meksi” ishte në fuqi ligji për Lustracionin. Kjo pjesë që vinte nga bashkëpunimi me të shkruarën kriminale, si ideatorë apo të përdorur, bëri që të gjitha projektet për të zbardhuar të shkuarën komuniste të mbeteshin pezull.

Madje, edhe më keq, duke u kaluar nga një zbardhje përmes dokumenteve u kalua në atë që mund të quhet “thashethemologji”, ku u tentua të bëhej pis kushdo, duke errësuar rrugët drejt së vërtetës. Librat si ai i At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Agim Mustës, Lek Pervizit, apo edhe shumë studime nga instituti i drejtuar nga Agron Tufa, që tregonin krimet komuniste, erdhën në një kohë kur vëmendja nuk ishte më në zbardhjen e së shkuarës, ndërkohë që jeta rozë apo kujtimet e ish-anëtarëve të “Bllokut” prej kohësh kishin pushtuar gazeta, televizione e aktivitete të ndryshme, jo pak herë të mbështetura edhe nga fonde publike.

Pa dyshim që politika e ndjekur nga ishpresidenti dhe ish-kryeministri Berisha, me termin “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, rezultoi një dështim publik lidhur me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, ndërkohë që ish-pjesëtarët e Sigurimit famëkeq rezultuan efikasë në presionin ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tyre. Për të kuptuar betejën “ideatorë-të përdorur” vlen ajo që shkruante prof. Sami Repishti (“Shprehja ‘armik i popullit’, si histori dhe paralajmërim”, “Panorama” 16/03/2017), teksa kujtonte bisedën me ish-funksionarin e Sigurimit në 1948, Gjovalin Mazrekun, që i shpjegonte se sistemi arkivor i spiunëve mbahej për informatorët që ishin rekrutuar nga shtresa e ish-pronar- ëve, apo kundërshtarët politikë të Ballit dhe Legalitetit, ndërkohë që për ideatorët dokumentet do të zhdukeshin.

E duket se ai projekt ogurzi i paralajmëruar që herët nga Mazreku, apo i projektuar në dokumente edhe nga M.M-të me shokë, ka rezultuar i vërtetë. Me të drejtë ka shumë të rinj, apo edhe të asaj kohe, që pyesin: Po, a ishin të gjithë kriminelë ata që mbështetën komunizmin, sistemin e shkuar? Më mirë se kushdo e ka shpjeguar shkrimtari i famshëm çek Milan Kundera, teksa thekson se “Regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë për në parajsë.

Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit. Më pas u bë e qartë se nuk eksitonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin veçse vrasës”. Pikërisht vijimi i mbrojtjes së atij entuziazmi, që i çoi në krim apo në bashkëpunim moral një pjesë jo të vogël të shoqërisë shqiptare, është edhe e keqja jonë që vijon të na përkulë çdo ditë, duke mos na lënë të shikojmë si duhet të nesërmen tonë.

Sepse askush që nuk ka kurajë të shohë në sy të shkuarën, mund të jetë i drejtë për të ardhmen. Dhe për këtë pafuqi për të lexuar të djeshmen, ne të gjithë duhet të ndihemi të turpëruar. Sepse kjo këmbëngulje për të mos pohuar mëkatin është e rëndë jo vetëm për ne, por edhe për brezat që do të vijnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura