Dosja e plotë e SPAK kundër Alqi Bllakos, ja roli i tij. Prokuroria rendit fakte, prova dhe shkresa; si u përfituan miliona euro në inceneratorin e Fierit

Mar 31, 2022 | 12:01
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Prokuroria e Posaçme ka hedhur dritë mbi punën hetimore në lidhje me skandalin e inceneratorëve si dhe shkeljet shkresë pas shkresë që janë bërë në procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit me sipërfaqe 111 564 m2.

“Panorama” boton të plotë dosjen hetimore ku bëhet me dije se ka rezultuar që Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ishSekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë qeverisë projektvendimin dhe relacionin për shpronësim e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton se prona është “tokë arë”.

Dëmi i shkaktuar sipas hetimeve të SPAK është 16 288.344 lekë. Por akuza tjetër e rëndë lidhet me pranimin e faturave fiktive për procesin e ndërtimit të inceneratorit.

Mes kompanisë që ka përfituar koncesionin dhe asaj që ka bërë ndërtimin janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

DOSJA/RRETHANA FAKTI:

Bashkia Fier me shkresën nr.2456 prot., datë 27.07.2015. i ka propozuar për miratim Këshillit të Bashkisë Fier projekt vendimin datë 27.07.2015, për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane, për territorin që ka nën juridiksion, në përputhje me planin kombëtar dhe planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Në këta propozim të Kryetarit të Bashkisë Fier, argumentohet se: “Ekzekutivi i Bashkisë Fier ndodhet në kushtet emergjente për grumbullimin e depozitimin e mbetjeve urbane venddepozitimi aktual është i tejmbushur dhe jashtë çdo kushti teknik mjedisor. Në kushtet në të cilat ndodhet ky vend depozitim është kthyer në një ndotës i përhershëm i mjedisit dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut”: Këshilli i Bashkisë Fier me Vendimin nr.15, datë 27.07.2015, ka vendosur të autorizojë ekzekutivin për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane, për të negociuar me subjekte shtetërore ose private për përzgjedhjen e një vend depozitimi të ri, për të negociuar me qeverinë shqiptare dhe partner të huaj ose vendas për sigurimin e burimeve financiare për realizmin e këtij qëllimi, si dhe, është autorizuar ekzekutivi i Bashkisë Fier për të negociuar me subjekte shtetërore ose private për përzgjedhjen e një vend depozitimi të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane për Bashkinë Fier.

Ky projekt vendim është shoqëruar me dokumentacionin tjetër; informacionin mbi domosdoshmërinë e mbylljes së venddepozitimit aktual të mbetjeve të ngurta urbane të Bashkisë Fier, bërë nga Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Publike në Bashkinë Fier. Me vendimin nr.15, datë 27.07.2015.

Këshilli i Bashkisë Fier, me propozim të ekzekutivit të Bashkisë Fier ka vendosur të autorizojë ekzekutivin e Bashkisë Fier për të filluar hartimin e një plani vendor për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane për territorin që ka nën juridiksion, në përputhje me planin kombëtar dhe rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve duke autorizuar ekzekutivin e Bashkisë Fier për të negociuar me subjekte shtetërore ose private për përzgjedhjen e një vend depozitimi të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane.

Këshilli i Bashkisë Fier me vendimin nr.40. datë 26.10.2015, referuar situatës problematike të krijuar si pasojë e mungesës së venddepozitimit të përshtatshëm për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve urbane të qytetit Fier, si dhe vendimit të datës 05.02.2014 të Komitetit të Menaxhimit të integruar të Mbetjeve “Për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe marrjen e masave të nevojshme për rehabilitimin e cilësisë së mjedisit”, me propozim të Kryetarit të Bashkisë Fier, ka vendosur shpalljen e emergjencës Mjedisore në fushën e Menaxhimit të integruar të Mbetjeve në qytetin Fier, duke përcaktuar që të hartohet dhe realizohet zgjidhja më e mirë teknike e nevojshme për përmirësimin e situatës së krijuar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Fier, në sipërfaqen e evidentuar në Njësinë Administrative Portëz, Fshati Plyk. Zona Kadastrale 3000, Ngastra 8 (tetë) dhe Ngastra 6 (gjashtë).

Në këtë vendim është ngarkuar Kryetari Bashkisë Fier për kryerjen e të gjitha procedurave përkatëse për zbatimin e këtij vendimi pranë të gjitha institucioneve qendrore të konsideruara të nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Me urdhrin nr.751, date 25.11.2015, të ish-Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, është ngritur Komisioni për dhënien e koncesionit partneritetit publik privat me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me përbërje: Kryetari, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit, një anëtar, përfaqësues nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), një anëtar, përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dy anëtar, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe dy anëtar, përfaqësues nga Bashkia Fier.

Në këtë urdhër, komisioni është ngarkuar për kryerjen e veprimeve për dhënien me koncesion partneritet publik privat për këtë objekt, që konsistojnë në:

• Hartimin e studimit të fizibilitetit për koncesionin/partneritetin publik privat:

• Përcaktimin e procedurës së zbatueshme për dhënien e koncesionit, partneritetit publik privat dhe hartimin e dokumentacionit të tenderit;

• Shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave të pranuara dhe/ose kërkesat për pjesëmarrje që janë dorëzuar; formulimin dhe propozimin e përzgjedhjes së ofertës së suksesshme ose propozimin e vendimit për ndërprerjen e procedurës së prokurimit, si dhe një shpjegim të tyre;

• Kryerjen e të gjitha aktiviteteve të tjera që kërkohen për zbatimin e procedurës së koncesionit/partneritetit publik privat në përputhje me rregulloret në fuqi: Komisioni i dhënies së koncesionit /partneritetit publik privat mban procesverbale për pasqyrimin e punës së tij, të cilat duhet të nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit. Për zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Komisioni për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Mjedisit dhe Jetësimi i Prioriteteve, si dhe Sektori i Prokurimeve dhe Trajtimit të Koncesioneve.

Me shkresën nr.6869/1 prot., datë 25.11.2015, shtetasi Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për caktimin e një punonjësi me cilësinë e anëtarit të Komisionit për dhënien e Koncesionit / partneritetit publik privat, sipas Urdhrit të Ministrit të Mjedisit, nr.751, datë 25.11.2015. Me shkresën nr.6869/1 prot., datë 25.11.2015, shtetasi Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për caktimin e një punonjësi me cilësinë e anëtarit të Komisionit për dhënien e koncesionit partneritetit publik privat, sipas Urdhrit të Ministrit të Mjedisit, nr.751, datë 25.11.2015, Me shkresën nr.6869/1 prot., datë 25.11.2015, shtetasi Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i është drejtuar Kryetarit të Bashkisë Fier, për caktimin e dy punonjësve me cilësinë e anëtarit të Komisionit për dhënien e Koncesionit /partneritetit publik privat, sipas Urdhrit të Ministrit të Mjedisit, nr.751, datë 25.11.2015.

Me urdhrin e Ministrit të Mjedisit, nr.751/1 prot., datë 16.12.2015, është bërë një ndryshim në urdhrin e mëparshëm, nr.751, datë 25.11.2015, ku janë caktuar në përbërje të Komisionit për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat me përbërje:

• Kryetar i Komisionit, shtetasi Pëllumb Abeshi, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit, me funksionin Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Politikave të Mjedisit dhe Jetësimit të Prioriteteve;

• Anëtarë të tjerë janë caktuar shtetasit Erjon Mrataj, përfaqësues i ATRAKO, Armida Ali, përfaqësues i ATRAKO, Etleva Kondi, përfaqësues i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Sabina Cenameri, përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit, Florian Muçaj, përfaqësues i Bashkisë Fier, Azem Shatëri, përfaqësues i Bashkisë Fier.

Sipas procesverbalit nr.1, datë 24.12.2015. është bërë takimi i parë i Komisionit. Në këtë mbledhje është diskutuar rreth shqyrtimit të kërkesës së pakërkuar të shoqërisë “Building Construction & Green Energy” sh.p.k, për projektin e Impiantit të përpunimit dhe vend depozitimit të mbetjeve urbane në Qarkun Fier, si dhe është lënë si detyrë që anëtarët e Komisionit të paraqisnin komentet e tyre, me qëllim hartimin e një studimi të plotë fizibiliteti, gjithashtu të mendonin mbi bazë të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëria, sa do të jetë vlera e bonusit që do t’i jepet shoqërisë, që më pas të vazhdohet edhe me përgatitjen e dokumentacionit të bonusit.

Po ashtu, në këtë procesverbal përshkruhet se meqenëse Bashkia Fier do të vërë në dispozicion të projektit, tokën dhe mbetjet, u la si detyrë që përfaqësuesit e Bashkisë Fier do të paraqesin dokumentacionin përkatës që vërteton vënien e tokës në dispozicion. Sipas procesverbalit nr.2, datë 29.12.2015, është bërë mbledhja e dytë e Komisionit, ku përshkruhet se kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë, Klodian Zoto dhe Elidiana Shehu, këta të fundit kanë bërë prezantimin e projektit.

Komisioni ka vendosur që të dërgohet nga Ministria e Mjedisit kërkesa për miratim paraprak pranë Ministrisë së Financave, meqenëse projekti është me mbështetje financiare. Sipas procesverbalit nr.3, datë 12.01.2016, është bërë mbledhja e tretë e Komisionit, ku është propozuar dhënia e bonusit prej 10 pikë shoqërisë.

Sipas procesverbalit nr.4, datë 09.05.2016, është bërë mbledhja e katërt e Komisionit, ku janë diskutuar çështjet përfundimtare në lidhje me studimin e fizibilitetit të projektit, draft kontratën e koncesionit, draft Dokumentet Standarde të Koncesionit dhe studimin e thelluar financiar të projektit.

Në këtë mbledhje Komisioni ka vendosur të miratojë studimin e fizibilitetit të projektit, draft-kontratën e koncesionit dhe draft Dokumentet Standarde të Koncesionit, si dhe studimin e thelluar financiar të projektit, si dhe që t’i dërgohet zyrtarisht nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Financave, kërkesa për miratim të dokumenteve të sipërcituara, meqenëse projekti është me mbështetje financiare.

 

Me shkresën nr.6869/6 prot., datë 12.01.2016, Ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka, i ka kërkuar miratimin paraprak Ministrit të Financave, studimin ekonomiko-financiar për procedurën koncesionare me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë. Me shkresën nr.251/9 prot., datë 07.06.2016, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i ka kërkuar Ministrit të Financave, miratimin përpara shpalljes se procedurës së dhënies së koncesionit/PPP, dokumentacionin përkatës për procedurën koncesionare me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.

Me memon e datës 11.07.2016, Kryetari i Komisionit Pëllumb Abeshi, i është drejtuar ish Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, mbi vlerësimin e procedurës së përgatitjes paraprake, hartimit të dokumenteve për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, duke vënë në dijeni se komisioni hartoi dokumentet standarde të tenderit (DSPK), të cilët ia kanë dërguar për miratim Ministrit të Mjedisit, me cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor.

Me datë 18.07.2016, në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, është bërë shpallja e procedurës së koncesionit, me Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit, me objekt të kontratës “Dhënia me koncesion e ndërtimit e administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie”, me formë të kontratës BOT (Build-Operate-Transfer, Ndërtim-Operim-Transferim”, me burim të financimit: Buxheti i shtetit, me kohëzgjatje të kontratës 72 (shtatëdhjetë e dy) muaj.

Me shkresën nr.251/11 prot., datë 17.08.2016, Ministri i Mjedisit, i ka bërë kërkesë Ministrit të Financave, për miratimin përfundimtar të procedurës së dhënies me koncesion/PPP, duke paraqitur dokumentacionin përkatës për këtë procedurë koncesionare.

Me shkresën nr.5553 prot., datë 30.08.2016, Ministri i Mjedisit, i ka ridërguar Ministrit të Financave, projektin për miratimin e procedurës së dhënies me koncesion/PPP. Në datën 05.09.2016, nga ana e Komisionit është bërë hapja e ofertave në lidhje me procedurën e koncesionit për objektin “Ndërtimi dhe administrimit i impiantit te trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimit të energjisë”, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit, me praninë edhe të përfaqësueses të autorizuar të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Denisa Tallkuçi, ku ka rezultuar se oferta e ofruar nga operatori i paraqitur në garë, JV “Integrated Technology Services” sh.p.k & “Energy 2 Srl”, është ofertuesi i vetëm në vlerë 3,763,851,097 lekë pa TVSH. Me vendimin e Komisionit të datës 14.09.2016, është shpallur fitues Bashkimi i Operatorëve Ekonomik JV “Integrated Technology Sevrices” sh.p.k. & “Energy 2 SRL”.

Me shkresën nr.5961 prot., datë 15.09.2016, Ministria e Mjedisit i ka dërguar Agjencisë së Prokurimit Publik “Formularin e Njoftim Fituesit”, për shpallje në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik në vazhdim të procedurës.

Me shkresën nr.5553/2 prot., datë 30.09.2016, Ministria e Mjedisit i ka dërguar Kryetarit të Bashkisë Fier, informacion për fillimin e procesit të negocimit të kontratës, si dhe në kuadër të marrjes së masave paraprake për kryerjen e shpronësimeve, i ka dërguar hartën me koordinatat përkatëse ku parashikohet të vendoset impianti i trajtimit të mbetjeve Urbane Qarku Fier. Me shkresën nr.5961/2 prot., datë 22.09.2016, shtetasi Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i ka ridërguar Agjencisë së Prokurimit Publik “Formularin e njoftimit të fituesit”, sipas shtojcës 16, datë 15.09.2016, nënshkruar nga ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Me shkresën kthim-përgjigje, nr. 10702/1 prot., datë 16.09.2016, Agjencia e Prokurimit Publik, ka sjellë në vëmendje se “Formulari i njoftimit te fituesit” është pjesë e “Dokumenteve Standarde të Koncesionit /Partneritetit Publik Privat” (DSK/PPP) përkatësisht Shtojca 16.

Në formularin e dërguar konstatohet se nuk është pasqyruar informacioni i plotë i parashikuar në DSK/PPP dhe konkretisht mungon informacion mbi datën e njoftimit të klasifikimit. Mbi këtë bazë Agjencia e Prokurimit Publik ka kërkuar ridërgimin e këtij formulari sipas formës së kërkuar, me qëllim publikim e tij konform parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Me datë 5.10.2016, Komisioni dhe përfaqësuesit e shoqërisë fituese kanë negociuar draft kontratën e koncesionit dhe dërgimin e saj për mendim në institucionet përkatëse. Me shkresën nr.971/4 prot., datë 06.10.2016, Ministria e Mjedisit i ka kërkuar Avokatit të Shtetit dhënie mendimi, për draft-kontratën e negociuar me ofertuesin fitues të procedurës së koncesionit. Me shkresën kthim-përgjigje, nr.1183/1 prot., datë 20.10.2016, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit ka dhënë disa sugjerime për draft-kontratën. Me shkresën nr.971/4 prot., datë 06.10.2016. Ministria e Mjedisit i ka kërkuar Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, dhënie mendimi, për draft-kontratën e negociuar me ofertuesin fitues të procedurës së koncesionit. Me shkresën kthimpërgjigje, nr.6032/1 prot., datë 21.10.2016, Ministri i Energjisë dhe Industrisë është shprehur parimisht dakord për miratimin e kësaj kontrate.

Me shkresën nr.5553/4 prot., date 24.10.2016, shtetasi Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i ka dërguar Kryetarit të Bashkisë Fier një kopje të Kontratës së Koncesionit, të nënshkruar midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. Me shkresën nr.7040/1 prot., datë 31.10.2016, Ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në përgjigje të kërkesës nr.24 prot, datë 27.10.2016 së shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., i ka dhënë miratimin e plotë shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., për zëvendësimin në shoqërinë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., të aksionerit shoqërisë “Energy 2 srl”, me shoqërinë “Ndërtim Montim Patos” sh.a., si aksioner i ri, Shoqëria “Energy 2 srl” ose aksionerët e saj do të qëndrojnë në cilësinë e nënkontraktorit kryesor për realizimin e punimeve të marra përsipër, kusht thelbësor ky për dhënien e miratimit, si dhe shitjen nga ana e shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., të 10% të aksioneve të kapitalit fillestar të shoqërisë “Ndërtim Montim Patos” sh.a. Në këtë mënyrë, ortaku “Energy 2 SRL”, aksionet që ai zotëronte (20%) tek OE “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, ia ka shitur operatorit ekonomik OE NDERTIM MONTIMI PATOS”, për vlerën prej 20.000 lekë, duke kaluar nga ortak, në cilësinë e nënkontraktorit kryesor për realizimin e punimeve të marra përsipër.

Gjithashtu edhe OE “Integrated Technology Services” ia ka shitur 10% të aksioneve të tij, OE “NDERTIM MONTIMI PATOS”, për vlerën prej 10.000 lekë, duke e çuar atë në kuotën e 30% të zotërimit të aksioneve tek OE “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, ndërsa 70% i zotëron OE “Integrated Technology Services”.

Me shkresën nr.7217 prot., datë 03.11.2016. Ministria e Mjedisit i ka dërguar Agjencisë së Prokurimit Publik, njoftimin e kontratës së nënshkruar, datë 07.11.2016, për shpallje në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, Me shkresën nr.5553/ 7 prot., datë 10.11.2016, Ministria e Mjedisit i ka dërguar Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, formularin e njoftimit të fituesit, për procedurën koncesionare me objekt: “Ndërtimi dhe Administrimi i Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe Prodhim Energjie” sh.p.k.

Me datë 21.11.2016, është lidhur kontrata e nënkontraktimit, mes shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, sh.p.k, me përfaqësues ligjor Arenc Myrtezani, në cilësinë e porositësit dhe shoqërisë “Integrated Technology Services”. sh.p.k, më përfaqësues ligjor Klodian Zoto, në cilësinë e ekzekutuesit, për kryerjen e punimeve civile në vlerën 869 303 520 (tetëqind gjashtëdhjetë e nëntë milion e treqind e tre mijë e pesëqind e njëzet)lekë pa TVSH, sipas Aneksit 2. që përmban preventivin e miratuar të punimeve objekt kësaj kontrate.

Me vendimin nr.5, datë 29.12.2016, Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur miratimin dokumentit të “Planit të Përgjithshëm Vendor”, Bashkia Fier, që ka përfshirë Strategjinë Territoriale, shoqëruar me përmbledhjen e Analizës dhe Vlerësimit të Territorit, Planin e Zhvillimit të Territorit, shoqëruar me Shtojcën 1, sipas përcaktimeve të Rregullores së Planifikimit.

Rregullorja e Planit dhe Materiali Hartografik, Këshilli Kombëtar i Territorit me vendimin nr.15, datë 16.10.2017, me propozim të të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka vendosur miratimin e lejes së ndërtimit për objektin: “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vendndodhje në Bashkinë Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, sh.p.k. Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë lejen e ndërtimit Nr.37/3, datë 05.02.2018, zhvilluesit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., për objektin “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë, Bashkia Fier” me afat 20 muaj, sipas vendimit nr.15, datë 16.10.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Me shkresën nr 8 prot., datë 09.02.2018 të shoqërisë mbikëqyrëse të punimeve “Ave Consulting” sh.p.k., janë njoftuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier dhe Drejtoria Vendore e Policisë Fier, për fillimin e punimeve në objektin “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimi i energjisë” Bashkia Fier. Në këtë njoftim, ndër të tjera jepen të dhëna për fillimin e punimeve me datë 06.02.2018 dhe mbarimin e tyre me datë 06.10.2019 si dhe është përzgjedhur mbikëqyrësi i punimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura