Dokumenti/ Ruçi, 8 pyetje Komisionit të Venecias për shkarkimin e Ilir Metës

Jul 25, 2019 | 13:26
SHPËRNDAJE

ERVIN KOÇI/ Gramoz Ruçi i është drejtuar Komisionit të Venecias me një shkresë, me anë të së cilës i kërkon opinion nëse Presidenti i Republikës ka kryer shkelje ligjore me anulimin e dekretit.

Meta Ruçi

Në shkresë Kuvendi bën një përmbledhje të situatës në vend, duke nisur nga caktimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, qëndrimi i opozitës e djegia e mandateve, mospjesëmarrja e PD e LSI në zgjedhje, përplasjet në KZAZ-të në bashkitë e drejtuara nga përfaqësues të opozitës në vend, 30 qershori dhe deri te komisioni hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit.

“Duke vlerësuar se me anulimin, në mënyrë krejt arbitrare dhe pa ligj, të datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës, një grup prej 55 deputetësh të Kuvendit, bazuar në nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit, që normon procedurën që ndiqet në një rast të tillë, kanë paraqitur në datën 17.6.2019 një kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Deputetët çmojnë se dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore është në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parimet kushtetuese të një republike parlamentare, si edhe me funksionet që parashikon Kushtetuta për Presidentin e Republikës, i cili mbart jo vetëm pozicionin e Kryetarit të Shtetit, por edhe atë të përfaqësuesit të unitetit të popullit shqiptar. Ndërkohë që Kuvendi ka filluar kryerjen e të gjitha procedurave parlamentare që lidhen me fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, në datën 27.6.2019, me një dekret të tretë, dekreti nr. 11211, datë 27.6.2019, Presidenti i Republikës ka vendosur të caktojë datën 13 tetor 2019 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, datë e cila deri më sot është pranuar vetëm nga një parti politike, LSI”, theksohet ndër të tjera në letrën që Gramoz Ruçi i ka dërguar Komisionit të Venecias.

Në fund të shkresës, Kuvendi u ka adresuar një sërë pyetjesh juristëve të Komisionit të Venecias, ku në thelb është konstatimi ose jo të shkeljes ligjore nga ana e kreut të shtetit.

“Nëse Presidenti i Republikës pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimit të shtetit të së drejtës? Në rastin e mësipërm a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?”, janë disa nga pyetjet që Kuvendi i ka drejtuar Komisionit të Venecias. Në fund të shkresës, Ruçi i kërkon Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, një opinion sa më shpejt që të jetë e mundur, “nisur nga ndjeshmëria dhe situata ku ndodhet vendi”.

PYETJET E RUÇIT PËR “VENECIAN”

Cili është roli i Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa u takon proceseve zgjedhore?

Cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentar, siç është Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve?

A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence që rrjedhin nga e drejta demokratike e zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?

Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve është një e drejtë për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit apo një detyrim i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij?

Nëse Presidenti i Republikës, pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimit të shtetit të së drejtës?

Në rastin e mësipërm, a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?

Nisur nga pranimi se qeverisja duhet të dalë nga një sistem zgjedhjesh periodike, që mbahen çdo katër vjet, nxjerrja e dekretit të Presidentit që anulon datën 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarë të bashkive, tej mandatit katërvjeçar, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?

Duke pasur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cenohet siguria juridike në këto raste?

A është i lidhur cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer?

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura