Doda: Debati në PE me Tanja Fajon për Griseldën

Jun 17, 2011 | 9:58
SHPËRNDAJE

“Ajo pranoi vetë se kishte vetëm e-mail-in e parë nga Veliaj, s’kishte sqarime të tjera”

Në një bisedë për gazetën “Panorama”, deputetja e PD-së, Mesila Doda, tregon për bisedën me eurodeputeten Tanja Fajon, në lidhje me lajmin e rremë për rrëmbimin e Griselda Zaimit, gruas së kryetarit të Bashkisë së Kavajës.Sipas saj, situata ishte serioze, pasi eurodeputetja Fajon kishte përfshirë në raportin e saj këtë ngjarje të rremë dhe e lexoi para deputetëve shqiptarë.
Fajon ishte e ngarkuar të raportonte mbi lirinë e të drejtave të njeriut e të medias në Shqipëri dhe, në fjalën e saj për këto çështje, ajo përfshiu edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë ndaj kryebashkiakut të PS, sipas një informacioni të marrë nga socialisti Erjon Veliaj. Në këtë moment, ndërhyn zonja Doda, e cila sqaron situatën dhe tregon ngjarjen e vërtetë në takimin mes deputetëve shqiptarë dhe atyre europianë. Fajon më pas jep sqarime në një intervistë për mediat, duke thënë se kishte informacion të mangët.
Zonja Doda, ju ishte pjesë e delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian. Gjatë diskutimeve së bashku me eurodeputetët raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, ngriti si problem ngjarjen e ndodhur në Kavajë sipas saj, ku gruaja e kryebashkiakut ishte rrëmbyer dhe i ishte marrë fëmija. Cili ishte reagimi i deputetëve shqiptarë në këtë moment?
Eurodeputetja Tanja Fajon, krahas raportueses për liberalizimin e vizave, është edhe anëtare e grupit për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Ajo ka për detyrë që të raportojë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për lirinë e medias. Të njëjtin rol që më ishte ngarkuar edhe mua në delegacionin e deputetëve shqiptarë. Zonja Fajon filloi të parashtronte në lidhje me të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe papritur foli për këtë ngjarje. Ajo u shpreh shumë e shqetësuar për atë që kishte ndodhur, por pa kuptuar se kishte një informacion të rreme dhe të gënjeshtërt. Menjëherë reaguam dhe personalisht i bëra me dije zonjës Fajon ngjarjen e vërtetë. Në momentin që mora fjalën, sqarova në lidhje me situatën dhe thashë që faktikisht ka mbi dy javë që në Shqipëri ka një të vërtetë tjetër. Zonja në fjalë ka pasur shqetësim me të shoqin dhe ka shpikur këtë histori. Nuk e besoj, thashë atje, që z. Veliaj që ju ka çuar një e-mail, nuk ju paska çuar një e-mail të dytë për të sqaruar të gjithë situatën. Kjo do të ishte më korrekte për atë, por edhe kontrollin tuaj kur për shqiptarët ka një histori tjetër. Është një ngjarje e paqenë, një gënjeshtër publike dhe e pranuar nga vetë autorët, kjo ishte ajo që sqaruam aty. Pra, që kjo ngjarje nuk ka ndodhur.
Pasi mori vesh të vërtetën, si reagoi eurodeputetja Fajon?
Në intervistën që u bë më vonë, zonja Fajon tha që unë kisha vetëm atë informacion, dhe jo gjë tjetër, por që pranoi sqarimin e bërë nga deputetët shqiptarë. Ajo ishte vërtet e shqetësuar për këtë ngjarje dhe po e raportonte në kuadër të të drejtave të njeriut në Shqipëri. E mendoni sa e rëndë ishte? Unë besoj se autori që ka bërë e-mailin duhet t’u kërkojë ndjesë të gjithë ndërkombëtarëve jo që u çoi e-mail, por të kërkojnë ndjesë për shkakun se nuk dërgoi në kohë një e-mail ku t’i sqarojë ata dhe t’u tregojë të vërtetën. Gjithashtu, t’u kërkojë ndjesë edhe shqiptarëve për këtë lajm të rremë. Sot kemi një imazh të cënuar të vendit, sepse një agjenci e huaj botoi lajmin e parë të rrëmbimit, por nuk ka bërë përgënjeshtrimin për këtë histori. Dhe kjo është e rëndë për vendin.
A patët mundësi të kontaktoni dhe të flisni direkt pas diskutimeve në tryezë. Cili ishte reagimi i Fajon, pasi mësoi se ngjarja nuk ishte siç e kishte mësuar fillimisht?
Ngjarja u sqarua direkt dhe nuk ishte e nevojshme më tej për sqarim dhe zonja Fajon e tha vetë në një interviste së ajo dispononte vetëm atë informacion. Besoj se është një nga ato histori të cilat kanë në vetvete si elementë komikë, ashtu dhe elementë tragjikë. Ka elementë komikë sepse edhe një gënjeshtër e vogël e thënë nga mendja e një gruaje, rastisi në problemin e të drejtave të njeriut në rang ndërkombëtar. Dhe, mesa kuptoj unë, edhe për këtë “fajin e ka Saliu”. Nga ana tjetër besoj se do të duhet një përgjegjshmëri më e madhe nga ana e njerëzve, të cilët marrin përsipër që të bëjnë politikën, që të informojnë ndërkombëtarët dhe do të duhet që të gjithë ne të kemi një kod komunikimi, i cili jo vetëm të respektonte ndërkombëtarët, të respektonte miqtë e Shqipërisë, por mbi të gjitha respekton vendin tonë, Shqipërinë dhe shqiptarët.

Flet eurodeputetja: Erjon Veliaj më dërgoi një e-mail të dytë

Fajon: Kisha pak informacion, u gëzova kur mësova të vërtetën

Eurodeputetja Tanja Fajon shpreh keqardhjen për informacionin e saj të pakët në lidhje me lajmin e rrëmbimit të Griselda Zaimit, ndërsa shton se Erjon Veliaj i dërgoi një e-mail të dytë. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, eurodeputetja Fajon tha se “z. Veliaj më dërgoi një e-mail të dytë ku më shpjegoi situatën”. Ajo tha më tej se u gëzuar kur mori vesh që lajmi nuk ishte i vërtetë dhe të vërtetën e mësoi nga kolegët shqiptarë. “Aq informacione pata. Ishin shumë informacione dhe fakte të paqarta rreth kësaj çështjeje, ndaj dhe ua thashë anëtarëve të delegacionit të Parlamentit shqiptar se ndryshe do të shokohesha nëse ato informacione do të ishin të vërteta. I pyeta ata për të më thënë fakte rreth çështjes dhe u gëzova kur dëgjova se ajo ngjarje nuk ishte e vërtetë”, tha më tej për gazetën “Panorama” raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon. Ndërkohë, eurodeputetja Tanja Fajon, e pyetur më herët se a do të jenë zgjedhjet e majit një test i mirë për opozitën dhe forcat e tjera që të tregojnë, se ata kujdesen për shqetësimet e qytetarëve, u përgjigj se është e sigurt se zgjedhjet në maj do jenë një shembull i shkëlqyer, një test i mirë që të tregojë që Shqipëria është një shtet demokratik, që respekton shtetin ligjor, institucionet demokratike dhe është gati të shkojë drejt integrimit europian. Ajo ka thënë më herët që palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda Kuvendit. “Është me rëndësi që të dyja palët në vend, qeveria dhe opozita, po provojnë të gjejnë dialogun që institucionet të jenë funksionale, sepse kjo është në interes të vendit. Dhe, natyrisht, ne në institucionet europiane dëshirojmë të shohim se institucionet funksionojnë dhe në vend ka dialog”, ka thënë Fajon. Sipas saj, janë ende shumë kritere për t’u plotësuar. “Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së kur ajo të ketë plotësuar të gjitha kriteret. Ju e dini më mirë se unë sa larg është vendi juaj nga vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave ishte një hap i rëndësishëm qe u be mire. Por, nga ana tjetër, në raportin e progresit të nëntorit të Komisionit Europian, Shqipëria nuk ishte më e mira. Kështu që duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, në aftësimin e administratës publike. Janë shumë e shumë kritere që Shqipëria duhet t’i përmbushë”, është shprehur Fajon.

 

ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura