Detajet/ Si u grabit me armë Posta në Bulqizë, rrugës ranë tufat me para. Autori kryesor …

Oct 23, 2019 | 11:31
SHPËRNDAJE

ALBI LALA/ Banorët e fshatit Fushë-Bulqizë, sidomos nxënësit e shkollës 9-vjeçare në këtë fshat, janë përfshirë nga paniku në momentin kur një person i armatosur dhe i maskuar ka sulmuar filialin e Postës Shqiptare në Fushë-Bulqizë.

policia-tirane_1_3_14_03

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10, ku një person hapi zjarr në drejtim të godinës dhe pastaj ka vrapuar për të hyrë brenda. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave. Në momentin kur janë dëgjuar të shtënat, personat e ndodhur pranë Postës dhe oborrin e saj janë shtangur nga të shtënat.

Kjo ka bërë që autori i grabitjes të hyjë në Postë dhe të rrëmbejë çfarë ndodhej në kasafortë, madje punonjësja nuk ka pasur asnjë mundësi për të reaguar. Personi i maskuar ka rrëmbyer afro 370.000 mijë lekët e ndodhur në Postë dhe ka dalë po me shpejtësi për t’u larguar nga fshati.

Mirëpo, jo gjithçka ka funksionuar sipas parashikimeve të grabitësit, pasi dy stiva me para, 200.000 mijë, i kanë rënë në rrugë gjatë ikjes me shpejtësi, ndërkohë grabitësi ka marrë me vete 170.000.

Këto shifra konfirmohen nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Postës Dibër, të cilët kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe bashkë me Policinë dhe Prokurorinë kanë kryer inventarizimin e parave të vjedhura dhe atyre gjendje.

Mësohet se Policia e Bulqizës ka shoqëruar pesë persona, të cilët mund të jenë pjesë e grabitjes. Zyrtarë të Komisariatit shprehen se autorit gjatë largimit i kanë rënë 200.000 mijë lekë dhe me gjasa ka lënë gjurmët e gishtërinjve.

Po ashtu, në tentativë për të kaluar lumin e fshatit Fushë-Bulqizë, grabitësi ka hedhur disa rroba, të cilat mund të çojnë në identifikimin e tij.

Grabitja dyshohet se ka qenë e mirorganizuar, pasi autorët kanë mbajtur nën vëzhgim furgonin që ka transportuar paratë nga Bulqiza për në zyrat e Postës Shqiptare në Fushë-Bulqizë. Këto para ishin për pensionistët e fshatit.

Pak pasi furgoni është larguar, autorët kanë ndërhyrë duke marrë shumën e parave që gjendej në kasafortë.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura