Dëshmia e killerit dhe ushtarit të tij zbulon “kontratën” e vdekjes, ndërmjetësi u vra në Belgjikë: Florenc Çapja ofroi 200 mijë euro për vrasjen e dhëndrit të Qazim Sejdinit

May 20, 2022 | 14:09
SHPËRNDAJE

Dëshmitë e Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumanit kanë hedhur dritë mbi një tjetër atentat që ata do të kryenin për llogari të grupeve kriminale ku shënjestër do të ishte dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari i cili aktualisht ndodhet pas hekurave.

Capture

Dumani i ka thënë grupit hetimor se vrasja e tij i është kërkuar nga Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri të cilët kanë ofruar një shumë parash prej 200 mijë eurosh për “kokën” e Sanxhaktarit, pasi sipas tij ai kishte lidhur me Suel Çelën.

Nga ana tjetër Henrik Hoxhaj i konsideruar si ushtari i Dumanit është shprehur se për këtë “kontratë” vdekje që nuk u finalizua ka biseduar me vetë Dumanin ditën kur ndodheshin te shtëpia e tij, para se vrasjes së vëllezërve Haxhia në Durrës.

Hoxhaj u tha hetuesve se takimi me Bledar Muçën nuk u realizua dot pasi në atë kohë u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Ai shprehet se vrasjen kishte marrë përsipër ta kryente vetë pasi nuk donte që paratë të ndaheshin me persona të tjerë, ndërkohë që një bashkëpunëtor i tretë do të kishte rolin e shoferit dhe vëzhguesit të lëvizjeve të Sokol Sanxhaktarit.

Aktualisht Sokol Sanxhaktari ndodhet në burg për vrasjen e shokut të tij me sende të forta në një lokal në Elbasan, ndërsa një nga porositësit e vrasjes së tij Bledar Muça u vra në fillim të këtij viti në Belgjikë.

Pjesë nga dosja “Plumbi i artë” e siguruar nga Panorama.al

Lidhur me faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari.

13.1        Lidhur me këtë fakt janë marrë deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani i cili ka shpjeguar se i është kërkuar nga shtetasit Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, që të godiste shtetasin Sokol Sanxhaktari për një shumë prej 200,000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës. Në lidhje me këtë fakt penal bashkëpunëtori i drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili ndër të tjera ka shpjeguar se: Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi.

Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin.

13.2        Prokuroria në kërkesën e paraqitur arsyeton se: Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se shtetasit Nuredin Dumani, Florenc Çapja, Eljo Bitri, Vis Korçari dhe Bledar Muça (aktualisht i vdekur), kanë konsumuar elementë të veprave penale të  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura