Dalin në dritë pazaret e Perandorisë Osmane në kurriz të Shqipërisë

Sep 25, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

Me mbi 40 vjet shtyhen kufijtë e historisë në lidhje me kryengritjet e armatosura për Pavarësinë e Shqipërisë.

Datat tashmë të njohura 1909-1912 ishin kulmimi i tyre, ndërsa lëvizjet programatike kanë nisur qysh në vitin 1862. Disa dokumente të panjohura më parë, të cilat sapo kanë mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, nga Arkivat e Malit të Zi hedhin dritë mbi ngjarje të rëndë- sishme në historinë e Shqipërisë.

Nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit
“Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Malit të Zi kemi marrë disa dokumente shumë të rëndë- sishme mbi historinë e Shqipërisë, nga mesi i shekullit XIX, deri në vitin 1912. Ato na rrëfejnë për fillesat e lëvizjeve për pavarësinë shqiptare, të cilat na çojnë në vitin 1862 dhe jo në fillim të shekullit XX. Prijësi i Mirditës, Bib Doda, dhe personalitete të tjera, si Zef Jubani, Pashko Vasa, në bashkëpunim me arbëreshët e jugut dhe abatin e Mirditës, Gaspër Krasniqi, nisën një kryengritje, e cila, pavarësisht se dështoi, ishte fillimi i kryengritjeve për pavarësi”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Gjet Ndoji.

Sipas tij, fatkeqësisht historianët tanë nuk kanë shkruar për të. Në këto dokumente gjenden të dhëna mbi lëvizjen e viteve 1876-1877, të udhëhequra nga i biri i Bib Dodës, Preng Bib Doda, i cili vijonte pak a shumë mbi të njëjtin program, në bashkëpunim me të tjera figura të shquara të historisë shqiptare. “Në këtë periudhë gjejmë tentativën për të bashkëpunuar edhe me Malin e Zi, që ndodhej në të njëjtën situatë si edhe Shqipëria. Në këto dokumente shohim një qëndrim jokorrekt ndaj marrëveshjes nga ana e Knjaz Nikollës. Aty ngre krye bashkëpunimi me Rusinë dhe kjo e fundit me Perandorinë Osmane, çka çoi në sabotimin e lëvizjes”, shton Ndoj.

PAZARET

Jo me pak rëndësi janë dokumentet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që, siç dihet, u organizua për të paraprirë Kongresin e Berlinit. “Në dokumentet që ne kemi marrë, dalin qartë pazaret që Perandoria Osmane bëri në Kongresin e Berlinit. Pazare, prej të cilave perandoria u përpoq të fitonte, duke pasur parasysh se pas Malit të Zi fshiheshin interesat e Rusisë dhe nuk është e vërtetë se ata kanë luftuar për mbrojtjen e këtyre territoreve. E vërteta është se shqiptarët kanë qenë të vetëm në këtë përpjekje.

Shohim si u implementuan vendimet e Kongresit të Berlinit, qëndrimin e Fuqive të Mëdha, rolin e klerit katolik etj.”, thotë drejtori i Arkivave. Fakte të reja dalin në dritë edhe mbi sundimin e Bushatllinjve, një prej dinastive më të fuqishme shqiptare. Janë materiale që dëshmojnë për sundimin e kësaj familjeje, që nga Mehmet Pashë Plaku, te Karamahmut Pashë Bushatlliu, më i madhi i kësaj dinastie, deri te Mustaf Bushati.

Mësohet se këto materiale u siguruan në Arkivin e Muzeut Kombëtar të Malit të Zi, Muzeu i Knjaz Nikollës. Paralelisht, Arkivi shqiptar është duke bashkëpunuar me të tjera institucione të rëndësishme homologe dhe është në pritje të të tjera marrëveshjeve, si me Hungarinë, Turqinë, Universitetin e Kalabrisë etj. Por ndërkaq bashkëpunimi me Malin e Zi dhe Kosovën po japin frytet e veta.

Me këtë të fundit është hartuar një fjalor terminologjik, që do të lehtë- sojë komunikimin e të gjithë shqiptarëve që punojnë në arkiva kudo qofshin. Së shpejti pritet prezantimi i këtij fjalori në Prishtinë e Tiranë, në kuadrin e një ekspozite dokumentore, që vjen si një bashkëpunim mes shqiptarësh, por dhe në kalendarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ndër synimet e afërta është lidhja e bashkëpunimit me Arkivat serbe, pasi në Beograd ruhen dokumente me shumë rëndësi për historinë shqiptare.

AMLA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura