Çmimet e reja të qirave, ja sa bëhet tatimi në Tiranë

Jun 16, 2015 | 23:04
SHPËRNDAJE

Vendimi i qeverisë që vendos referenca për qiratë e apartamenteve dhe dyqaneve, nga dje ka hyrë në fuqi.  Ky vendim parashikon vendosjen e një çmimi dysheme për qiratë, pra nëse jeni poshtë nivelit që parashikon ligji, Tatimet si referencë do të marrin nivelin minimal të parashikuar me ligj. Gazeta publikon sot të plota qiratë minimale për apartamente dhe dyqane në 11 zona të Tiranës sipas një shembulli me një ndërtesë 100 m2. Për këtë i jemi referuar hartës së miratuar nga qeveria një vit më parë dhe që është ende në fuqi.

VENDIMI

“Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës, sipas pikës 1 të këtij vendimi, nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në këtë vendim. Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave’, që miratohet çdo vit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se çmimi minimal për apartamentet do të jetë 0.3 për qind e çmimit të shitjes, kurse kur ato jepen për dyqane çmimi dyfishohet.

TAKSA

Një nismë e tillë e qeverisë vjen në një kohë kur kemi një rritje të tatimit, që paguhet për qiratë me 50 për qind. Me paketën fiskale të hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, nga 10 për qind që tatohej fitimi nga qiratë, tashmë do të paguhet 15 për qind e tij. Vendosja e një çmimi minimal u jep mundësinë Tatimeve që edhe tatimfitimin ta mbajnë në bazë të saj. Kjo pasi ligji në asnjë pikë nuk përjashton këtë pjesë, përkundrazi, edhe paraqitja në vendim është e tillë. Në pikën e parë dhe të dytë të vendimit, i cili është i vetmi dokument zyrtar, qartësohet se çmimet e referencave do të përdoren për qiratë e ndërtesave. Në pikën e tretë flitet për qiratë e bizneseve, dhe llogaritja bëhet duke iu referuar çmimit të apartamenteve. Në shembullin zyrtar të Financave, është marrë si referencë çmimi i qirasë së apartamenteve. Pak pas publikimit të vendimit, Ministria theksoi në një njoftim se nuk do të tatohen me çmim reference qiratë e banesave, por vendimi zyrtar thotë të kundërtën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura