“Ç’ka ndodhur me ne? Edhe institutet që patëm i shkatërruam”, Faruk Kaba: Si ndryshuan ligjet pas tërmetit të ‘79

Dec 9, 2019 | 13:04
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Tërmeti i 26 nëntorit dhe lëkundjet që pasuan vendosën në provë cilësinë e ndërtimeve në qytete, si në Durrës, Tiranë, Lezhë etj.

Faruk Kaba, Kryetari i Shoqatës së Inxhinierëve
Faruk Kaba, Kryetari i Shoqatës së Inxhinierëve

Bilanci “i hidhur” me 10 mijë pallate të dëmtuara dhe 1100 banesa të rrënuara shkundi kambanën e alarmit dhe mediat, si rrallëherë me reflektorët e drejtuar nga specialistët e fushës që treguan se ndërtimet nuk janë nisma për amatorë e as investim ku mund të kursesh në masat e sigurisë, veçse në mos dikush merr përsipër të rrezikojë jetë njerëzish. Sot po dëgjohet më shumë se kurrë zëri teknik, por kjo, sipas kryetarit të Shoqatës së Inxhinierëve, Faruk Kaba, nuk mjafton për t’i dhënë zgjidhje çështjes së hapur. “Mendimet apo konkluzionet e individëve, sado të nivelit të lartë, nuk mund të zëvendësojnë ato institucionale”, thotë ai, ndaj insiston që qeveria të nisë të mendojë sa më parë për ngritjen e institucioneve për kërkime shkencore dhe pajisjen e tyre me bazë materiale dhe shkencëtarët më të zotë. Sipas tij, mungesa e këtyre institucioneve, jo vetëm që i ka shkaktuar shtetit dëmin më të madh ekonomik, por mund të kishte minimizuar dëmet. “Ne propozimet i kemi bërë që në ’90-ën dhe nëse do t’i kishim sot këto institucione, situata do të ishte krejt ndryshe, pasi nuk do të ishin lejuar ato masakra, që janë bërë në zonën e Durrësit…, në këto zona me ndjeshmëri sizmike”, shton Kaba. Ndonëse tërmeti i vitit ’79, me mbi 17 mijë shtëpi të rrënuara në Shkodër, bëri që të ndryshonte legjislacioni për sa u përket ndërtimeve, pasi siç tregon Kaba, asokohe bëheshin kryesisht me muraturë, tërmeti i javës që lamë pas tregoi se situata në këtë aspekt është ende kritike.

“I pamë gjatë këtyre ditëve rastet e ndërtimeve jashtë parametrave, jashtë standardeve që përcaktojnë rregullat e shtetit, ndaj janë të domosdoshme dhe duhet të ngrihen sa më parë institucionet kërkimore shkencore, garante të ecjes në drejtimin e duhur, garanti i shmangies së përsëritjes së kolapsit total, që ndodhi në zona si plazhi i Durrësit dhe zonat përreth”, thotë Kaba. Sipas inxhinierit, vendi ynë sot nuk ka struktura të mirëfillta që mund t’i përgjigjen shkencërisht, teknikisht dhe në mënyrë institucionale këtyre situatave. “Ne jemi sot krejtësisht të paorganizuar, ndaj masat që merr sot qeveria, nëse nuk shoqërohen me thirrje për ngritjen e institucioneve kërkimore, do të jenë krejt sipërfaqësore dhe afatshkurtra”, thekson ai.

Tërmeti i 15 prillit 1979, me epiqendër në Mal të Zi
Tërmeti i 15 prillit 1979, me epiqendër në Mal të Zi

Zoti Kaba, pas tërmetit të 26 nëntorit, qoftë nga mediat, ashtu edhe nga specialistët vendës e të huaj që asistuan në Shqipëri pas ngjarjes, trumbetohet e njëjta frazë: “Shteti shqiptar është i papërgatitur për këto lloj situatash”. Cili është këndvështrimi juaj në lidhje më këtë çështje?

Problemet që janë evidentuar janë më madhore sesa situata e krijuar nga tërmeti. Janë probleme që lidhen me formatimin e strukturave të shtetit gjatë këtyre viteve të ekonomisë së tregut. Në ekonominë e tregut inxhinieria dhe shërbimet inxhinierike formatohen ndryshe. Para viteve ’90, ekonomia e përqendruar e kohës, me gjithë të metat e saj, që në fund e çuan në kolaps të plotë, funksiononte. Megjithëse ekonomia ishte e tillë, me një GDP nga më të ulëtat në botë, që nuk i kalonte 2 miliardë euro, apo rreth 500 dollarë për frymë, në “skemat e përgjithshme” funksiononte. Kur them në “skema të përgjithshme” nënkuptoj të gjitha ato skema, që lidhen me funksionimin e normave dhe rregullave të një ekonomie, përfshirë këtu edhe raste si ky i tërmeteve. Tani, edhe pse GDP-ja e vendit është rritur gati 10 herë(pavarësisht një shpërndarjeje krejt të parregullt), janë prishur strukturat kërkimore shkencore, mungesa e të cilave i shkakton vendit dhe ekonomisë dëme të mëdha, të cilat pengojnë zhvillimin. Në vendet e zhvilluara, kontributi për shkencën nga GDP-ja arrin në shifra shumë të larta, në 3-4 për qind. Shqipëria renditet sot në vendin e 193-të në botë për kontributin që ekonomia shqiptare jep për shkencën, çka do të thotë se në këtë aspekt është më keq se vendet e Afrikës. Sot, te ne nuk funksionojnë institucionet kërkimore, të cilat janë baza për progresin dhe zhvillimin e një vendi. Për ta, lidhur me situatën emergjente të tërmeteve, ne nuk kemi struktura të mirëfillta, që t’u përgjigjen shkencërisht, teknikisht dhe në mënyrë institucionale këtyre situatave. Opinionet individuale, edhe nëse vijnë nga individë shumë të aftë, kanë mbrapa mungesën e vulës institucionale.rrenoja termet3

Një situatë absurde, në një kohë që vendet e tjera investojnë për kërkimet shkencore, në Shqipëri mbyllen strukturat përkatëse…

Vendet e zhvilluara europiane, që pas Luftës së Dytë Botërore e kuptuan se duhet të investonin në kërkime shkencore. Shqipëria sot për shkencën jep vetëm 0.15 për qind të GDP-së, ndërkohë që vende si Amerika, Koreja, Singapori, Koreja e Jugut, Franca, Gjermania etj., me GDP shumë të larta, investojnë për shkencën me shifra astronomike prej 3-4 për qind të GDP-së. Pse ndodh kështu?! Sepse, investimi për shkencën kthehet shumëfish dhe në shumë forma, përfshirë rastin e emergjencave, si ky i tërmeteve. Çfarë ka ndodhur me ne? Edhe ato institute që ne patëm, të cilat ishin të dobëta dhe që ekonomia e tregut mund dhe duhej t’i ngrinte në interes të zhvillimeve që pasuan, ne i shkatërruam duke krijuar në këtë mënyrë një boshllëk me pasoja të rënda për zhvillimin e vendit. Për t’u kthyer te tërmetet, sot, edhe pse mes atyre zërave që flasin ka edhe specialistë, një pjesë nuk janë ekspertë të fushës dhe prononcohen për vëmendje apo interesa të ngushta personale. Ndaj, ngritja e institucioneve është baza, themeli për të ecur në rrugë të drejtë. Siç duket, u desh një tërmet i kësaj forme që politikanët t’i thërrasin mendjes e të kthejnë sytë te specialistët, institucionet e munguara. Sepse e theksoj, institucionet kërkimore nuk janë luks. Mungesa e këtyre instituteve mund të them se i ka shkaktuar ekonomisë dëmin më të madh. Shoqata e Inxhinierëve, ku unë jam kryetar, ka organizuar deri më tani dy evente -kongrese ndërkombëtare, gjatë të cilave kemi nxjerrë konkluzionin se: Duhet të ngrihen struktura dhe qendra kërkimore shkencore, pasi vetëm ato mundësojnë zhvillimin e vendit. Ne jemi sot krejtësisht të paorganizuar, ndaj, masat që merr sot qeveria, nëse nuk shoqërohen me thirrje për ngritjen e institucioneve kërkimore, do të jenë krejt sipërfaqësore dhe afatshkurtra. Kur flas për institucione kërkimore, e kam fjalën që ato të jenë të organizuara sipas modeleve më të mira botërore. Shkenca është forca e vërtetë e shtetit.rrenoja termet1

Ju keni propozuar një zgjidhje për këtë?

Ne kemi studiuar mënyrën sesi e kanë zgjidhur vendet e zhvilluara këtë skemë. Shteti shqiptar mund të ngrejë institucionet kërkimore në fushat përkatëse sipas skemave, pa financuar nga burimet e tij ngritjen e këtyre strukturave. Cila është kjo? Përgjigja është e thjeshtë dhe e komplikuar njëkohësisht: E thjeshtë nëse ka vullnet për ta aplikuar dhe e komplikuar nëse nuk ka një vullnet për ta vënë në jetë. Për sa më sipër dhe duke pasur për bazë eksperienca të ngjashme, tejet të suksesshme në vende që e kanë aplikuar këtë ide vite më parë, ideja qëndron në aplikimin e një tarife simbolike mbi kontratat e sipërmarrjes, tarifë që krijon buxhetet e nevojshme dhe përbën një zgjidhje origjinale për të nxitur dhe përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor. Arsyetimi qëndron në faktin se bizneset duhet të investojnë, të paguajnë për teknologjitë, novacionet, standardet, që përfitojnë. Kjo presupozon forma kërkimore institucionale të mirorganizuara, përfshirë edhe kërkesat për studimet shkencore të ngjarjeve të jashtëzakonshme, që aktualisht po kalojmë. Nga eksperiencat e vendeve ku kjo mënyrë e aplikimit të një tarife simbolike mbi kontratat e sipërmarrjes është aplikuar, ka rezultuar dhe ka gjeneruar përfitime të jashtëzakonshme. Në një konferencë të mbajtur në Johanesburg në fillim të Milleniumit të Tretë, ku morën pjesë të gjithë krerët e shteteve, kryefjala qenë inxhinierët dhe inxhinieria dhe në rezolucionin përfundimtar të saj u tha specifikisht: “Inxhinieria dhe inxhinierët janë gjeneratorët e shoqërisë njerëzore”.

Ju cekët pak më lart faktin se dhe në komunizëm specialistët kanë qenë të angazhuar nëpër institute dhe shumë prej tyre kanë bërë punë të mirë. Shqipëria është gjendur në një rrethanë të ngjashme me tërmetin e ’79-ës, ku qenë mbi 17 mijë ndërtesa të dëmtuara në qytetin e Shkodrës. Nëse bëjmë një krahasim të asaj periudhe dhe të këtyre ditëve, qoftë për sa u përket specialistëve, por edhe masat që u morën më tej, çfarë mund të thoni?

Unë e thashë dhe më herët se në atë kohë ekonomia ishte e përqendruar. Pavarësisht se nga pikëpamja ekonomike shteti ishte shumë i dobët, trajtimi i këtyre probleme ishte korrekt. Nga pikëpamja praktike, skema funksiononte sepse kishte institucione, njerëz të angazhuar që punonin në këtë drejtim. Tërmeti i vitit 1979 qe një mësim i fortë, që diktoi ndryshime në legjislacion për sa i përket ndërtimit të godinave. Ndërtimet më herët bëheshin me muraturë, një zgjidhje ekonomike për kushtet e atëhershme, pasi hekuri dhe çimentoja ishin me kosto të larta. Kështu që, pas tërmetit u vendosën kritere të reja, që besoj se kanë shërbyer edhe për të përballuar lëkundjet sizmike të mëvonshme, përfshirë tërmetin e 26 nëntorit.

Këto ditë po flitet se asokohe shteti u organizua për të rindërtuar godinat e shembura (edhe përmes punës vullnetare) në një afat shumë të shkurtër, afro 4 muaj, sa e vërtetë është kjo?

Asokohe unë kam qenë në Institutin e Rrugëve dhe Hekurudhave, por nuk ka ndonjë gjë për të mos u besuar. Kjo, edhe sepse pretendimet kanë qenë më modeste. Shumica e dëmtimeve kanë qenë kryesisht ndërtime private, pothuajse pak të kontrolluara

Si ndryshoi cilësia e banesave që u ndërtuan pas ’79- ës, me ndryshimet e reja në legjislacion?  Në cilat vite mund të themi se janë marrë masat më të forta për sa u përket ndërtesave që u ngritën më vonë?

Sa u përket ndërtesave të realizuara nga inxhinierë me koshiencë inxhinierike, ato janë brenda standardeve. Për pjesën tjetër të ndërtuar pa kontroll ndodhi ajo që ndodhi. I pamë gjatë këtyre ditëve rastet e ndërtimeve jashtë parametrave, jashtë standardeve që përcaktojnë rregullat e shtetit, ndaj janë të domosdoshme dhe duhet të ngrihen sa më parë institucionet kërkimore shkencore, garante të ecjes në drejtimin e duhur, garanti i shmangies së përsëritjes së kolapsit total, që ndodhi në zona si në Durrës apo në plazhin e Durrësit.

Krahas problemeve në strukturë të godinave, tërmeti evidentoi edhe një herë mungesën e hapësirave publike, si parqet, sheshet etj., ku mund të qëndronin për t’iu shmangur rrezikut. Ç’mund të bëhet për të përmirësuar planifikimin urban, të degraduar veçanërisht vitet e fundit?

Përgjigjja për këtë pyetje vetvetiu shkon në të njëjtin drejtim: nëse ne do të vazhdojmë të funksionojmë me struktura, të cilat nuk kanë kapacitetet dhe tagrin për të përmirësuar këtë sjellje dhe për të implementuar vendimet e KRTve, rregullat urbanistike etj., asnjëherë nuk do të kemi atë që duam, atë që kërkojmë. Dhe e vetmja zgjidhje është ngritja e strukturave të përgjegjshme shkencore, të cilat hartojnë dhe bëjnë të detyrueshme aplikimin e standardeve, njëherazi edhe për sa u përket strukturave mbajtëse, konstruksioneve etj.

Ju thatë se në plazhin e Durrësit (kjo vlen dhe për zonat përreth) ku ndodhi tërmeti, janë bërë ndërtime në hapësira ku nuk duhej ndërtuar. Së fundmi kemi dëgjuar të flitet për faktin se ky tërmet mund të jetë shkaktuar edhe artificialisht nga ndërhyrjet e pakontrolluara të njerëzve. Sa ekziston realisht një mundësi e tillë?

Këtë nuk mund ta konfirmoj unë. Të vërtetën e kësaj mund ta zbardhin vetëm forumet e organizuara, institucionet përkatëse, të cilat duhet të jenë të pajisura me të gjitha instrumentet e nevojshme dhe me specialistë të zotë, që nuk i mungojnë Shqipërisë, por që, siç e thashë me lart, duhet të organizohen në institucione dhe qendra shkencore moderne, sipas atyre që ekonomia e tregut ka ngritur dhe zhvilluar. Institutet ekzistuese, që funksionojnë në një ekonomi tregu, me parime të ekonomisë së kaluar socialiste, nuk mund të funksionojnë. Kjo është e sigurt.

Tërmeti i 26 nëntorit u pasua me hapje të thella të tokës (thuhet deri në 1 km gjatësi) edhe pranë zonave të banuara. A mund të rindërtohet në këto kushte pranë këtyre hapësirave?

As unë, as dikush tjetër nuk ka autoritetin që të flasë dhe të japë mendime të prera për këtë çështje, por vetëm institucionet. Një profesionist i fushës mund të jetë edhe shumë i zoti, po shkenca dhe përparimi njerëzor ka arritur në ato stade, që për të kuptuar të gjitha këto, duhen struktura të specializuara për vetë kompleksitetin e problemeve. Mendimet apo konkluzionet e individëve, sado të nivelit të lartë, nuk mund të zëvendësojnë ato institucionale. Mendimi i saktë dhe i plotë e që nuk ka nevojë për komente, vjen vetëm nga institucionet. Prandaj insistoj në këtë pikë. Ne propozimet i kemi bërë që në ’90-ën dhe nëse do t’i kishim sot këto institucione, situata do të ishte krejt ndryshe, pasi nuk do të ishin lejuar ato masakra që janë bërë në zonën e Durrësit…, në këto zona me ndjeshmëri sizmike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura