Central bërthamor në Shqipëri? Media italiane zbardh takimin Rama-Meloni: Dy liderët kanë diskutuar mbi çështjet politike që prekin…

Aug 16, 2023 | 8:00
SHPËRNDAJE

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pezulloi pushimet e saj në Puglia dhe udhëtoi ditën e djeshme drejt Shqipërisë.

rama meloni

Me ftesë të Kryeministrit Rama, Meloni së bashku me familjen mbërritën në Vlorë ku u pritën nga kreu i qeverisë. Mediat italiane kanë zbardhur disa nga çështjet që dy krerët e qeverive kanë biseduar. Sipas quatidiano.net, Rama dhe Meloni kanë diskutuar mbi çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë tek emigracioni, nga lufta në Ukrainë tek e ardhmja e Shqipërisë në BE. Po ashtu, tema të nxehta diskutimi ishin edhe ato të energjisë dhe marrëdhënieve mes BEsë dhe vendeve të zonës së Ballkanit, çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në ish-bastionin e komunizmit (të ritit maoist, për më tepër), shkruan media italiane. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbërriti pasditen e së hënës në Shqipëri me një traget të linjës Brindisi-Vlorë.

Meloni shoqërohej nga familjaret e saj dhe disa prej bashkëpunëtorëve dhe u prit në Portin e Vlorës nga Kryeministri Rama. Më pas, ajo u zhvendos drejt ambienteve të vilës qeveritare në Dhërmi. Vizita e Melonit në Vlorë vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj turizmit në vendin tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit.

PUSHIMET

Prej pasdites të së hënës, Giorgia Meloni dhe familja e saj janë vendosur në rezidencën qeveritare në Vlorë. Kamerat fokusuan momentet kur Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, së bashku me familjarët e saj lanë rezidencën qeveritare në Vlorë për të pushuar në bregdetin jonian. Një skaf i autoriteteve shqiptare e ka shoqëruar atë drejt Dhërmiut, në rezidencën qeveritare ku ndodhet Kryeministri Rama”. Pas ftesës së përsëritur nga Kryeministri Rama, Meloni pranoi të shijonte për 48 orë bukurinë e bregdetit shqiptar në kulmin e një sezoni të suksesshëm turistik.

Kryeministrja italiane është e shoqëruar në këtë vizitë private 2-ditore nga bashkëshorti i saj, vajza e saj si dhe e motra dhe bashkëshorti i saj. Vizita e saj u lajmërua nga mediat italiane, ndërsa mikpritësi i saj Kryeministri Rama nuk ka bërë ende asnjë koment në rrjetet e tij sociale për ardhjen e saj në Vlorë. Masat e sigurisë janë të shtuara në rezidencën qeveritare, ndërsa pak metra larg saj pushuesit janë kuriozë të shohin Kryeministren italiane që njësoj si ta ka zgjedhur bregdetin e Vlorës për të pushuar. Jo vetëm pushuesit shqiptarë janë të përkëdhelur nga fakti që një Kryeministre italiane zgjedh të pushojë qoftë dhe për pak orë në bregdetin shqiptar, por dhe ata italianë që janë të shumtë këtë mes Gushti në Vlorë.

Meloni dhe familja e saj do të lënë Shqipërinë ditën e sotme dhe po me një traget të linjës si në ardhje, do të shkojnë drejt Pulias. Giorgia Meloni dhe Edi Rama njihen për miqësinë e tyre e treguar mes momenteve të përqafimeve në samite ose takime ndërkombëtare. Meloni vjen për herë të dytë si Kryeministre në Shqipëri, herën e parë ishte në 6 dhjetorin e shkuar kur mori pjesë në samitin e BE në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura