Capital T: Harroni duetet me këngëtare seksi, shijet e mia janë për divat e vjetra

Feb 10, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE


Njihet si një nga reperët më të mirë në tregun muzikor shqiptar, por edhe pa sherre e probleme kur i referohemi respektit dhe korrektësisë që, siç thotë ai, ka me të gjithë reperët e vërtetë. Ky është reperi Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi. Për gazetën tonë ai rrëfen për punën, rikthimin në top-formën fizike, e ndërsa për ju vajza të skenës që po planifikoni të keni një duet me të, harrojeni emrin e tij, pasi ai dëgjon dhe ka në mendje zonja që jetojnë ose jo, por që i kanë vënë shtylla të forta muzikës shqiptare.
Ti je Trimi, Capital T apo Kapo, si t’ju thërrasim?
– Qysh t’vjen ma lehtë jam, të gjithë këto, madje edhe ma shumë (qesh).  
Të shohim që je në top-formë edhe në dukje, çfarë ka ndodhur, apo fitnesi?
– Kanë ndodhur shumë gjëra, por kryesisht vrapimi dhe sporti.
Sapo ke realizuar disa fotografi, do të jenë ato për ndonjë album?
– Po, kam realizuar një set të ri, që do të jetë pjesë e kopertinave të disa revistave, si dhe pjesë e albumit dhe e imazhit për koncerte të 2015-s.
Vërtet Capitali i ka marrëdhëniet shumë të mira me çdo reper tjetër shqiptar?
– I njoh thuajse të gjithë dhe kam raporte korrekte, të ndërtuara në bazë të respektit reciprok. Them se me të gjithë ata që mund t’i quajmë repera, kam raporte korrekte.
E ti mendon se edhe ata të duan, siç ti i do?
– Hahahahaha (qesh). Unë i respektoj e ata m’dojnë krejt, disa e shprehin e disa jo.
Dimë që jeni në lidhje me një vajzë që e doni shumë, a është e vërtetë se ajo ndodhet larg?
– Faktikisht ka disa vite që unë nuk jam as i dashuruar e as në lidhje, ky është lajmi. Për momentin jam i fokusuar në punë dhe po e shijoj në maksimum jetën.
A mendon se sot në tregun muzikor shqiptar ka më shumë femra të bukura sesa këngëtare të mira?
– Mendoj se tashmë njerëzit po e përmirësojnë shijen e tyre dhe i kanë rritur njohuritë mbi muzikën. Mendoj se ka edhe këngëtare të mira momentalisht, e sa i përket bukurisë, ajo është relative.
Cila është ajo këngëtare shqiptare që ti nuk do ta refuzoje kurrë për një duet?
– Nexhmije Pagarusha, Tefta Tashko, Vaçe Zela, mbase edhe Elina Duni (qesh). Ka disa që më pëlqejnë dhe i dëgjoj, mirëpo për të bashkëpunuar varet nga momenti dhe projekti.
Capital T e ka kënduar super hitin e tij deri tani, apo ende nuk ka ardhur?
– Tani super hite janë të gjitha (qesh)… Mendoj se e rëndësishme është që jam në proces pune gjatë gjithë kohës dhe dita-ditës ndryshojmë. Unë vërej se jam krejt ndryshe nga çfarë isha artistikisht para një viti, çdo ditë mësojmë, gjejmë veten dhe rikthehemi t’ua prezantojmë njerëzve; Por unë e kam thënë, më e mira ime ende s’ka ardhur.
E ke menduar ndonjëherë të ardhmen, p.sh. pas 20 vitesh, si, ku dhe çfarë e sheh veten?
– Hmmm… jam shumë i fokusuar në të tashmen, por besoj se kur të vijë koha, do të bëj lëvizjet e duhura. E rëndësishmja është se s’do të zhdukem kurrë, gjithmonë do të jem vërdallë.

MAKSIM GJOKAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura