Buxheti 2014, Pollo: Kumbaro, ministre kursimtare

Dec 20, 2013 | 11:59
SHPËRNDAJE

Kumbaro në Komisionin e Edukimit dhe Informimit
Diskutimi dje në Komisionin e Edukimit dhe Informimit.

Rreth 15.5% më shumë para për sektorët e artit e kulturës, por dhe borxhe të mbartura.

Buxheti për kulturën do të njohë një rritje prej 15.5%, krahasuar me vitin që po lëmë pas.  Ai kap një shifër prej 1.516.000 mijë lekësh, që do të ndahet për planifikim menaxhimi dhe administrimi, trashëgiminë kulturore, artin dhe kulturën. Dje, në Komisionin parlamentar të Edukimit dhe Informimit Publik u diskutua projektbuxheti i vitit 2014 për kulturën. Ministrja Mirela Kumbaro ka kërkuar mbështetjen e komisionit vetëm për rritjen e fondit të investimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Kjo ishte edhe arsyeja pse kryetari i komisionit parlamentar, Gend Pollo, e quajti Kumbaron një “ministre kursimtare”. Por, sipas Kumbaros, sekreti nuk qëndron te sasia e parave, por te mirëmenaxhimi. Ka pasur vite, si ai 2012, kur buxheti ka qenë edhe më i lartë, por nuk është përkthyer në cilësi artistike, kjo për shkak të keqmenaxhimit me fondet. Ministrja iu referua fjalëve të një viti më parë, kur paraardhësi i saj, Bumçi, ndodhej në të njëjtën situatë të-ish deputetit demokrat Mark Marku, sipas të cilit, paratë e kulturës janë ndarë si asistencë sociale dhe kanë prodhuar parazitizëm. Pasi prezantoi shifrën që parashikohet të përfitojë kultura në vitin që presim, ministrja Mirela Kumbaro bëri me dije edhe borxhet që gjeti në institucionin që ajo drejton dhe që kapin shifrën e rreth 752 mijë eurove. Një borxh që do të rëndojë në buxhetin e ri. Kumbaro parashtroi mënyrën se si do të ndahen këto para, duke hequr dorë një herë e mirë nga mënyra e vjetër, ku të gjithë trokisnin në derën e ministrit. Ajo parashtroi fondet e reja që do të hapeshin për përkthimin, krijimtarinë letrare, të rinjtë, bibliotekat etj. U parashtrua mënyra se si do të menaxhoheshin fondet në fushën e artit dhe kulturës, si dhe të trashëgimisë kulturore. Projektbuxheti 2014 u miratua në parim nga Komisioni.
Qytetet e UNESCO-s
Pas prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2014, ministrja Kumbaro iu përgjigj pyetjeve që iu drejtuan nga anëtarët e komisionit. I pari, deputeti i Beratit Gledion Rahovica, shprehu interesimin e tij në lidhje me projektet që lidhen me qytetin e Beratit, që sipas tij ka një numër shumë të madh monumentesh, rreth 490 syresh, ku 107 janë të kategorisë së parë. Kumbaro u shpreh se Berati dhe Gjirokastra janë dy qytetet prioritet i MK-së, jo vetëm sepse kanë një numër shumë të madh monumentesh kulture, por edhe për faktin se janë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Pasi bëri me dije se një nga vendimet e parë të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve ishte miratimi i projektit të pedonales, financuar nga Fondi Amerikan, Kumbaro garantoi se drejtoritë rajonale të këtyre dy qyteteve do të fuqizohen më tej.
Përkthimi dhe çmimet
Përkthimi i autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj, ku sipas Fatmir Toçit Shqipëria zë vendin e fundit në Europë, ndarja e çmimeve letrare, pasurimi i bibliotekave publike (nga 2200 në 1990, në 35 biblioteka në gjithë Shqipërinë), ishin disa nga pyetjet e deputetit socialist drejtuar ministres së Kulturës. Sipas Kumbaros, përkthimi nuk ndihmohet duke financuar përkthimin e një autori të caktuar, por krijimin e hapësirave të njohjes së tyre nga botuesit e huaj. Për këtë ajo përmendi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në rrjetin “Traduki”, që ka për qëllim njohjen e letërsisë ballkanike në Europë. Sa për çmimet ajo u shpreh se tashmë e ka “mbyllur” historinë e çmimeve, vetëm me një të tillë. “Me shumën e parave që duheshin për organizimin e një ceremonie të tillë, që shkonte në 100 milionë lekë, mund të bëhet diçka tjetër e mirë”, tha ajo. Sa u takon bibliotekave publike, ajo u shpreh se po krijohet fondi i bibliotekave, me të cilin do të blihet një sasi e madhe librash, që do t’u falen bibliotekave.

Buxheti
.    Projektbuxheti i vitit 2014 kap vlerën
    1.516.000 mijë lekë,

.    204 milionë lekë më shumë se 2013
    ose 15,5 %.

.    Projektbuxheti 2014 i Ministrisë së Kulturës
    përbën 0,56% të buxhetit të qeverisë dhe
    0,33 % të totalit të buxhetit të shtetit

Sipas zërave buxhetorë:
.    Shpenzimet për paga e sigurime shoqërore
    zënë 58% të buxhetit
    
.    Shpenzimet korrente 24 %

.    Shpenzimet kapitale 18 %.

Biblioteka
“Gjendja në Bibliotekën Kombëtare është skandaloze, kërkohet ndërhyrje urgjente për krijimin e hapësirave të reja”. Kështu u shpreh dje në Komisionin e Edukimit dhe Informimit Publik ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Sipas saj, në fondet e Bibliotekës nuk ka më vend dhe se në të nuk ka më rafte, por male me libra. Kumbaro shprehu shqetësimin se gjatë viteve të fundit nuk është bërë asnjë përpjekje për të siguruar hapësira të reja për BK.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura