Bota e krimit në Shqipëri, së shpejti në filmin e kompanisë zvicerane

Nov 14, 2016 | 11:04
SHPËRNDAJE

“International Film Europe Swiss” ka nisur një projekt filmik me titullin “Perandorët”, i bazuar në romanin e shkrimtares shqiptare Majlinda Nana Rama, me regji dhe skenar të regjisorit të njohur europian, Valton Jakupi.

Majlinda Nana Rama

Kompania filmike me qendër në Zvicër ka bërë me dije se ky projekt do ta sjellë Shqipërinë e tranzicionit me të gjitha gritë që e shoqërojnë, duke e prezantuar atë në sytë e mbarë botës, në një dimension ndryshe. IFES ka arritur të përzgjedhë një kastë të mirë aktorësh të njohur e të suksesshëm në vende të ndryshme të Europës si Zvicër, Francë, Gjermani dhe Austri, emrat e të cilëve ende nuk bëhen publikë.

Sipas regjisorit, i cili është edhe producent kryesor i këtij filmi, ky projekt filmik ka filluar tanimë dhe për publikun artdashës do të jetë gati shumë shpejt.

“Pasi kemi bërë një ‘casting’, ne kemi arritur të përzgjedhim aktorët më të mirë, të cilët u përshtaten karaktereve të personazheve. Shumë shpejt do të kemi një projekt të përfunduar. Kur e mora në dorë romanin ‘Perandorët’ e kuptova që bëhej fjalë për një arsenal të tërë ngjarjesh, që zhvillohen sot në Shqipëri. Një panoramë që përmbledh njëherazi botën e vlerave shpirtërore dhe ekstremin tjetër, atë të botës së krimit. Një realitet larg fetishizimeve që të mban frymën deri në fund. Sigurojmë se do të jetë një projekt filmik dinjitoz. Ne kemi ndërtuar një skuadër dhe organizimin e vendxhirimeve kompania filmike IFES ia ka besuar studios ‘Naski Art’, ndërsa pjesën e xhirimeve dhe montimit do ta kryejë ‘Dori Production’ nga Zvicra”, është shprehur regjisori Valton Jakupi.

Nga ana tjetër, autorja e romanit të njohur tanimë për jehonën që ka pasur në vend dhe Europë, Majlinda Nana Rama, ka vlerë- suar lart përkushtimin profesional të kompanisë filmike “International Film Europe Swiss”.

Ajo tregon se bashkëpunimi me ta ka nisur nga një bisedë krejt spontane me producentin e suksesshëm edhe si regjisor në Europë, Valton Jakupi.

“Kur doli në treg romani ‘Perandorët’, disa nga kritikët letrarë dhe studiuesit, pos që e pritën mirë duke e vënë theksin te struktura, dialogët, vizatimi i personazheve apo tensioni emocional që përcillte, më çuan në mendje edhe faktin që ky subjekt do të ishte shumë mirë për një skenar filmi. Kjo më kish mbetur në mendje dhe në një bisedë me regjisorin Jakupi, ku folëm edhe për letërsinë, edhe për kinematografinë në përgjithësi, diskutuam edhe për projektin e fjalë. Pasi ramë dakord, regjisori nisi punën për të realizuar skenarin e filmit dhe, të them të drejtën, më befasoi që e kish përshtatur aq mirë, duke i qëndruar përpikërisht subjektit të romanit. Ndihem shumë mirë në këtë bashkëpunim, premiera të cilit do të jepet në Shqipëri, vend për të cilin edhe flet”, është shprehur autorja e romanit.

filmi

Kompaninë filmike “International Film Europe Swiss” e udhëheq regjisori Valton Jakupi dhe është e vetmja kompani, e cila merret edhe me ndërmjetësimin e aktorëve europianë në produksione filmike amerikane etj. ”International Film Europe Swiss” ka realizuar me sukses disa produksione filmike si: “Wer bist du” (“Cili je ti?”), “Ushtari i Humbur”, (fitues i disa çmimeve ndërkombëtare), “Plumbi i Fundit”, “Romanca e Hidhur”, “Piktura e papërfunduara” etj

 

SUBJEKTI I ROMANIT

“Perandorët” është romani i parë i autores Majlinda Rama, që pason disa libra me poezi dhe prozë. Ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij në përditshmërinë tonë. Tristani, një djalë me prejardhje nga gjak fisnikësh, nuk i reziston dot krizës së përgjithshme morale e sociale që ka vendi dhe, sapo rritet, merr të gjitha tiparet e një superkrimineli, duke u bërë kështu një ndër më gjakpirësit e atij qyteti.

Me rritjen e tij, rriten edhe përgjegjësitë për t’u bërë “ushtar” i bindur i “kapos”, i cili çdo ditë i mëson si të bëhet i paepur ndaj gjithçkaje. Ai mësohet të vrasë, të shfarosë, të përdhunojë e të dhunojë në mes të ditës, të grabisë e zhvatë të varfrit, të uzurpojë e bastisë prona e territore, të batërdisë gjithë atë qytet.

Ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset humania me çnjerëzoren, duke endur një libër me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne, si dhe figurimit të karaktereve realiste, të cilat të grishin për ta lexuar romanin, si një grimcë tronditëse jetësore, që rroket dhe shqiptohet me anë të artit të fjalës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura