Bomba në makinën e Besnik Dervishit, zbardhet skema

Feb 16, 2014 | 10:25

Makina e Besnik Dervishit gjatë kontrollit para Kryeministrisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh detaje të reja në lidhje me vendosjen e eksplozivit në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Hetimet kanë sqaruar gjithë veprimet e kryera nga personat e implikuar në realizimin e krimit. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, numri telefonik i vendosur në celularin që ishte lidhur me detonatorët e bombës ka qenë në emër të një personi që nuk ka lidhje me ngjarjen. Ky numër ishte shitur te tregu informal në qendër të Tiranës dhe më pas ishte blerë nga Ndriçim Gjokona, i arrestuar më 29 janar 2014, me akuzën se ka qenë ndihmës i Julian Sinanajt, të dyshuarit për vrasjet me pagesë. Mësohet se përdoruesi i numrit të telefonit në fjalë e ka shitur celularin me gjithë kartën SIM në datën 5 dhjetor te “Dollari” në qendër të Tiranës. Në këtë kohë, Julian Sinanaj ka marrë nga Marion Mitro porosinë për montimin e një bombe me celular. Gjatë veprimeve për montimin e bombës, i dyshuari Julian Sinanaj ka porositur ndihmësin e tij, Ndriçim Gjokona, që t’i gjente celularin që do të lidhej me eksplozivin dhe numrin e telefonit që do të përdorej për kryerjen e telefonatës që aktivizonte shpërthimin. Ndriçim Gjokona, sipas hetimeve të Prokurorisë, ka shkuar te tregu pranë Bankës së Shqipërisë dhe ka blerë një aparat të thjeshtë telefonik të markës “Samsung” së bashku me numrin. Blerja e celularit dhe kartës SIM është bërë në datën 9 dhjetor 2013. Brenda ditës, Ndriçim Gjokona ia ka dorëzuar këto materiale të dyshuarit Julian Sinanaj, i cili ka realizuar montimin e bombës që më pas i është dhënë në dorëzim porositësit Marion Mitro.

BOMBA NË MAKINË
Sipas hetimeve, dyshohet se Marion Mitro e ka marrë në dorëzim bombën e montuar në datën 10 dhjetor 2013, tri ditë para se eksplozivi që zbulohej poshtë makinës së prefektit të Vlorës. Deri në këtë pikë, ngjarja është sqaruar në detaje, pasi në zbardhjen e saj kanë ndihmuar deklarimet e dhëna nga Ndriçim Gjokona dhe Julian Sinanaj. Nga momenti kur Marion Mitro, ish-inspektor i INUK në Bashkinë Vlorë, ka marrë në dorëzim bombën, e në vazhdim, ngjarjet janë ende të paqarta. Kjo pasi zyrtari i Bashkisë së Vlorës deri në shtator 2013 nuk ka pranuar akuzat dhe ka mohuar të ketë lidhje me lëndën plasëse të vendosur në automjetin e prefektit Besnik Dervishi. Megjithatë, provat e grumbulluara nga Prokuroria tregojnë se lënda plasëse e përgatitur nga Julian Sinanaj është vendosur në makinën e Besnik Dervishit gjatë natës, mes datave 10 dhe 11 dhjetor 2013. Prania e bombës me celular në makinë do të zbulohej vetëm më 13 dhjetor 2013, rreth orës 09:20 të mëngjesit. Besnik Dervishi kishte ardhur nga Vlora për një takim pune në Kryeministri, kur gardistët zbuluan lëndën plasëse poshtë makinës gjatë kontrollit rutinë. Sipas dëshmive të dhëna nga Julian Sinanaj, të konfirmuara edhe nga provat e tjera, dyshohet se Marion Mitro kishte konflikt me prefektin e Vlorës për shkak të shembjes së një parkimi në zonën e Ujit të Ftohtë. Marion Mitro ka një lokal në këtë zonë dhe pak muaj më parë ishte vendosur që parkingu i këtij biznesi të shembej. Këtu dyshohet se ka nisur konflikti i të arrestuarit me prefektin e Vlorës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura