Biografia, Kadare u arrestua në moshën 12-vjeç për falsifikim monedhash

Oct 14, 2013 | 8:39
SHPËRNDAJE

Ismail Kadare
“Ylli i shkrimtarit”, botohet biografia analitike e shkrimtarit nga Ndricim Kulla.

Një jetë si në romane. Kështu ka qenë jeta e shkrimtarit Ismail Kadare. I lindur në një qytet të gurtë si ai i Gjirokastrës, në një derë të sojme e me tradita, që i jepte krahë fantazisë, me një lidhje fisnore me ish-diktatorin Enver Hoxha, për të cilën nuk flisnin të dyja palët, me një gjeni krijuese që do spikaste shumë herët, Kadare do të “shkruante” librin e jetës së tij si askush tjetër.

Ajo na zbulohet përmes biografisë “Ylli i shkrimtarit”, me autor studiuesin Ndriçim Kulla. Një nga momentet që do të shënjonte qysh herët jetën e Kadaresë, vetëm 12-vjeçar, ishte arrestimi i tij si “falsifikues monedhash”.

Në dukje një marrëzi, por që në fakt ishte e mirëkalkuluar, për të goditur gjeneralin Tahir Kadare, të martuar me një grua hebreje. Goditja e tij i vinte për shtat Enver Hoxhës, që nuk kishte ndonjë simpati për të dhe nga ana tjetër do t’i bënte qefin Stalinit, që kishte nisur fushata kundër hebrenjve.

NDRIÇIM KULLA

NJË DYMBËDHJETËVJEÇAR NË SYRIN E CIKLONIT TË DIKTATURËS
Përse mund të ballafaqohej me diktaturën një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar në një vend komunist? Një mundësi ishte kur familja e tij të internohej ose që një nga prindërit e tij të arrestohej për motive politike. Por, një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar nuk mund të përballej drejtpërdrejt me diktaturën komuniste, para së gjithash për shkak të moshës. Edhe sipas ligjeve të regjimit komunist, një dymbëdhjetëvjeçar nuk ishte përgjegjës para ligjit penal. E megjithatë kjo gjë i ndodhi Kadaresë, i cili u arrestua në moshën 12 vjeç. Në tregimin “Koha e parasë” ai e përshkruan me detaje këtë histori të çuditshme. Kadareja u arrestua nga Policia si falsifikator monedhash. Ai shkruan: Në të vërtetë, me mundime të mëdha kishim arritur të bënim disa pesëlekëshe, prej të cilave dy ishin pak a shumë të ngjashme me origjinalin. Të tjerat ose ishin tepër të rënda, ose me trashësi të ndryshueshme. Si makinë prodhimi përdornim, tani për tani, mbyllësen e një shisheje që kishte përmasën e pesëlekëshes. E vinim monedhën e vërtetë në fund të saj, derdhnim plumbin e shkrirë sipër, pastaj sipër plumbit të shkrirë vinim një tjetër pesëlekëshe. Meqenëse shenjat e parasë dilnin së prapthi, si gjedhe detyroheshim të përdornim këto të fundit, domethënë pesëlekëshet e bëra prej nesh, çka e vështirësonte gjithçka. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 14, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 202-203) Të derdhje sende në plumb, kjo ishte një lojë që në kohën e komunizmit e bënin të gjithë fëmijët e moshës që kishte Ismaili në atë kohë, kur fëmijët nuk kishin shumë alternativa për të luajtur. Dhe kuptohet se një nga gjërat e para që fëmijët josheshin të “prodhonin” ishin paratë. Pothuajse të gjithë fëmijët bënin “krime” të tilla, “prodhonin” monedha prej plumbi të derdhur në kallëpe primitive. Por, këto “monedha” prej plumbi ngjanin me ato të vërteta po aq sa ç’ngjanin me armët e vërteta ato “pushkët”-lodër që bënin fëmijët. Nuk ka dyshim se askush nuk mund të gënjehej dhe t’ i pranonte si të vërteta ato “monedhat” prej plumbi që prodhonin Kadareja dhe shoku i tij. Mund të merret me mend lehtë se çfarë “monedhash” ishin në gjendje që të prodhonin ata të dy. Çdo polic dhe hetues nuk mund të mos e dinte se dy fëmijë të cilët prodhonin “monedha” prej plumbi në kallëpe të improvizuara nuk ishin duke kryer një krim. Asnjëherë nuk ndodhi gjatë një gjysmëshekulli të regjimit komunist që ndonjëri prej fëmijëve që prodhonin “monedha” me plumb të shkrirë të inkriminohej përveç këtij rasti.

* * *
Pas arrestimit i dërguan në Degën e Punëve të Brendshme, ku u gjendën përballë dy hetuesve, të cilët sigurisht qenë shumë më kompetentë se policët që i kishin arrestuar dhe e kuptonin shumë më mirë se në këtë rast nuk bëhej fjalë për një krim. Mënyra se si e përshkruan Kadareja skenën e ballafaqimit me hetuesit zhduk çdo dyshim për një gabim policor të ardhur nga spontaniteti: Më futën në një kthinë, në fund të së cilës, pas një tryeze, rrinin dy civilë të ngrysur. Mbi tryezë pashë çantat tona të shkollës, të zbrazura tashmë. Fletoret, shishet e ngjyrës, penat, librat, ca pulla poste, llastikat për të vrarë zogjtë dhe, o tmerr, prezervativi i babait të Ilirit ishin vënë rresht përbri çantave. Tyryfyl, thosha me vete për Ilirin, dhe sado që përpiqesha t’ i hiqja sytë nga prezervativi, ata më venin pikërisht atje. Një nga civilët, si të ma kishte kuptuar ç’ kisha në mendje, e tregoi me dorë prezervativin:-Paskeni marrë masat që të mos i lini gratë e lagjes me barrë? E?,- tha gjithë shpoti. – Kështu, more birbo, kështu more pusht? Veshët më ishin skuqur nga turpi dhe doja t’i thosha se, në të vërtetë, as që na kishte shkuar mendja për kësi gjërash, kur ai, befas më ra me shpullë turinjve. -Horr, përgjigju, ku i keni fshehur paratë? -Sytë më lëshuan xixa ndërsa ai vazhdonte të klithte. Më quajti kurvar, falsifikator, sabotues dhe donzhuan torollak. Pastaj prapë ulëriti:- Paratë, po të them, ku i keni fshehur paratë false? Nuk di ç’belbëzova gjersa ai më futi një shpullë të dytë. -S’dashke të flasësh, ë? Mirë, do ta shohim nesër, more pusht. Rraseni në qeli. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 14, shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 212)

* * *
Një arrestim spektakolar do të dëmtonte imazhin e organeve të punëve të brendshme nëse e gjithë kjo çështje do të plaste si një flluskë sapuni, ashtu siç kishte shumë mundësi të ndodhte. E megjithatë, Policia bëri arrestimin më spektakolar të mundshëm që mund t’u bëhej dy dymbëdhjetëvjeçarëve nxënës shkolle. Kadareja e përshkruan kështu arrestimin e tij dhe të shokut të tij: “Ne na arrestuan dy ditë përpara votimeve. Ndërsa ato ditë në shkollë vinin gjithfarë tipash nga Komiteti i Partisë, nga Komisioni i Votimeve, nga Rinia apo Fronti, dy policët, që kaluan mes përmes oborrit, për të shkuar në drejtori, tërhoqën vëmendjen. Ishte hera e parë që në shkollë vinin policë. Po mbaronte pushimi i madh. Ne u futën në klasë dhe unë ndjeva prapë një zbrazëti në lukth…

Me gjeresisht lexoni sot pjese nga libri i ri i Ndricim Kulles ne “Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura