BERZH: Pabarazia ekonomike në Shqipëri u rrit

Jan 28, 2017 | 12:48
SHPËRNDAJE

Ata që kanë përfituar gjatë periudhës së tranzicionit kanë qenë të pasurit, ndërsa rritja për shtresën e mesme në vitet e tranzicionit është ngadalësuar. Në Shqipëri, bazuar në perceptimin e qytetarëve, pabarazia ekonomike është rritur. Janë këto konkluzionet e raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Raporti i tranzicionit 2016-2017 u prezantua dje ku, sipas përfaqë- sues së BERZH, Francesca della Pozza-s, në Shqipëri pabarazia ekonomike është rritur, ndërsa perceptimi ndikon edhe në mënyrën se si qytetarët votojnë.

“Në 20 vitet e fundit, rritja është ngadalësuar për shtresën e mesme. Ata që u rritën më shumë mbi mesataren janë më të pasurit në vendet e varfra dhe ata që kanë pasur fitime dhe të ardhurat mesatare më të larta. Vërehet se jo të gjithë individët kanë pasur të njëjtën prosperitet ekonomik. Shqipëria është nga ato vende që ka pasur mungesë të dhënash, ndaj vlen për t’u marrë për bazë perceptimi që shpeshherë është më i vlefshëm se vetë statistikat. Vrojtimi ka treguar se pabarazia ekonomike është rritur, por mbi të gjitha ky perceptimi ndikon edhe në mënyrën si votojnë njerëzit”, u shpreh përfaqësuesja e BERZH. Edhe guvernatori Sejko vlerësoi si element shqetësues thellimin e pabarazisë në vendet e tranzicionit.

Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë
Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë

“Një element ‘pikant’ i evidentuar si shumë shqetësues, i pranishëm në gjithë vendet në tranzicion, ka të bëjë me thellimin e pabarazisë shoqërore. Raporti evidenton se pabarazia në ekonomi, në mundësi dhe në përfshirjen financiare, është rritur duke ndikuar negativisht mirëqenien ekonomike të vendeve në tranzicion”, u shpreh Sejko. Guvernatori tha se lufta ndaj pabarazisë duhet të mbështetet mbi reformat në ekonomi dhe drejtësi.

“Gjetja e rrugëve të zgjidhjes është një sfidë e vështirë, ku edukimi financiar dhe përfshirja financiare vlerësohen si mundësi për të adresuar me sukses këtë problematikë. Përtej këtyre politikave dhe strategjive të zhvillimit të produkteve financiare, lufta e vërtetë ndaj varfërisë dhe pabarazisë në afatin e gjatë duhet të mbështetet në përmbushjen e reformave strukturore ekonomike, ligjore dhe institucionale të hartuara si pjesë e procesit të integrimit europian. Prioritetet e ekonomive tona duhet të jenë ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar, vazhdimi i reformave strukturore në infrastrukturë dhe në tregun e punës. Krijimi i kushteve të favorshme për biznesin dhe investitorët e ndershëm nëpërmjet luftës kundër informalitetit duhet shoqëruar paralelisht me krijimin e kapitalit njerëzor dhe përgatitjen e fuqisë punëtore në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe sfidat e kohës”, tha Sejko.

Dje, gjatë prezantimit të raportit të BERZH
Dje, gjatë prezantimit të raportit të BERZH

Drejtori i për Çështjet Ekonomike në BERZH, Peter Sanfey, në lidhje me më ardhmen vlerësoi se ambienti ekonomik i Shqipërisë është i favorshëm për rritje të qëndrueshme. “Në Shqipëri ekonomia po rritet në ritme të qëndrueshme dhe është në një trend rritës. Në vitin 2015, rritja ekonomike ishte 3.3 për qind, ndërsa në 2017 ne presim rritje prej 3.5 për qind dhe kjo është inkurajuese. Në zhvillimit kyçe për Shqipërinë jemi të impresionuar nga dy reforma që kanë bërë përpara, sidomos vitin e kaluar në sektorin e energjetikës dhe reforma në gjyqësor. Në lidhje me përparësitë do të thosha që është mjaft e rëndësishme lufta kundër informalitetit, pra formalizimi i ekonomisë dhe i biznesit”, u shpreh drejtori i BERZH.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura