“Bëje magjinë, po nuk doli gjë do ta vras”, zbardhen përgjimet e plota të burrit që vrau gruan në Shkodër

Feb 16, 2018 | 16:51
SHPËRNDAJE

Përgjime rrëqethëse janë lexuar ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj biznesmenit nga Shkodra, Sadetin Sula dhe ish-punëtorit të tij, Fatjon Karameshtna. Këta të dy akuzohen për vrasjen e Suela Sulës, bashkëshortes së biznesmenit tre vite më parë, në Melgushë të Shkodrës.

ifti-shkodran

Vrasja, që u cilësua më parë si vetëvrasje, është kryer nga Fatjon Karameshtna me urdhër të Sadetin Sulës. Biznesmeni i frikësohej divorcit për përgjysmimin e pasurisë dhe akuzonte bashkëshorten për tradhti. Përgjimet e kryera para vrasjes nga vetë viktima, tregojnë se si Sadetin Sula dhe ish-punonjësi i tij planifikuan çdo gjë.

Ata flasin për magji ndaj viktimës dhe në një moment, Sadetini thotë se më mirë e mbyt me duart e tij, sesa ta lejonte Suela Sulën t’i merrte gjysmën e pasurisë. “Panorama” sjell përgjimet tronditëse të transkriptuara që u lexuan në Gjykatë.

PËRGJIMET

Debatet në çift në lidhje me atësinë e fëmijës së tretë

Suela Sula: Të kam thënë shumë herë që të shkojmë në gjykatë për këtë punë. Le të bëjmë analizat e ADN-së.

Sadetin Sula: Po, do shkojmë.(Ndërkohë i merr telefonin)

Suela Sula: Mos më fshi incizimet!

Sadetin Sula: Të më çosh në gjykatë me këtë…

Suela Sula: Më jep telefonin. Merrja pak telefonin babit!(i drejtohet djalit)

Djali: Po ma jep mor burrë. I pandehuri nuk ia kthen telefonin viktimës dhe e fut në xhep, ndërkohë që telefoni vazhdon të incizojë pa dijeninë e tij. Sërish konflikt në shtëpi, Sula e dëgjon duke folur me dikë në telefon dhe dyshon se është avokati. Ndërsa ai është duke e pyetur në lidhje me divorcin.

Suela Sula: Me kë je duke folur? Me avokatin je duke folur? Po e pyet se çfarë të bësh në lidhje me divorcin. Unë e njoha në zë, e di që është ai. Por nuk kemi për të shkuar kur të duash ti. Do shkojmë në gjykatë.

Sadetin Sula: Nuk të duhet kjo pjesë.

Suela Sula: Ku po shkon?

Sadetin Sula: Nuk e di.

Suela Sula: Si nuk e ditke ti more! Jam e lodhur. Kemi pothuajse dy vjet që kemi probleme. Gjatë gjithë bisedës që vijon dëgjohen fjalët fyese të të pandehurit, që i drejtohen viktimës në lidhje me tradhtinë e dyshuar. Pasi futi telefonin në xhep, i pandehuri takon një person që identifikohet me emrin Fatjon (Karameshtna). Ndërsa gjatë bisedës dëgjohet që i pandehuri sjelljen e bashkëshortes e konsideron mistike dhe i kërkon shtetasit të identifikuar si Fatjoni t’i bëjë magji.

Sadetin Sula: Nuk e kam hiç mirë marrëdhënien me Suelën.

Fatjon Karameshtna: A do të shkosh në gjykatë me Suelën?

Sadetin Sula: Jo nuk kemi shkuar, duhet të bëjmë diçka në lidhje me këtë. Nuk e kuptoj se pse sillet ashtu.

Fatjon Karameshtna: Do ta rregullojmë. Kam folur me një person që i mbyll këto muhabete. I thashë që për çdo gjë do të kontaktosh me mua.

Sadetin Sula: Do flasësh me numrin që të kam dhënë unë.

Fatjon Karameshtna: Po e kam regjistruar.

Sadetin Sula: Aty flasim më lirshëm.(Sipas prokurorit i pandehuri ka frikë mos përgjohet) I pandehuri me shtetasin e identifikuar si Fatjon Karmeshtna udhë- tojnë me makinë drejt Tiranës për të blerë dy qypa për magjinë. Gjatë kësaj kohe, ai i tregon Fatjonit se gruaja e kërcënon me gjykatë.

Fatjon Karameshtna: Me këtë që do të bëjmë do ta hedhim në shtrat. Sado e pashë vetë si ishte bërë. I fola atij personit dhe është e bërë më tha.

Sadetin Sula: Aishja(e ëma e Suelës) i bën të gjitha pisllëqet, ajo i bën. Ndërsa Suela ka marrë të gjitha karakteristikat e së ëmës.

Fatjon Karameshtna: Keni folur këto kohë?

Sadetin Sula: Nuk kemi shkuar mirë jo, nuk kemi folur. Kur nuk do ajo, pse të ulem unë?!

Magjia e supozuar: Në dy qypa do të hidheshin gjilpëra dhe mëlçi derri, më pas do të vendoseshin në shtëpi… Rezultati që prisnin nga magjia nuk po arrihej, sipas të pandehurve.

Fatjon Karameshtna: Unë i kam bërë të gjitha …

Sadetin Sula: Nuk je duke bërë gjë në lidhje me ato që të thashë. Ke marrë gjithë ato lekë dhe nuk ke bërë asnjë punë. Ajo i bën të gjitha. (I referohet nënës së Suelës.)

Fatjon Karameshtna: Ato të bëjnë të vetën, ne do bëjmë tonën.

Sadetin Sula: Edhe këtë herë na ka mbet, pastaj t’i bëj r**, të marr pistoletën ta vras. Më mirë ta mbys se të më mbysë. Dy duar për një krye janë. Kjo është e fundit, hera e fundit. Nuk kemi më çfarë të bëjmë.

Fatjon Karameshtna: Këtë herë kam me e blloku. Me e rrëzu në tokë.

Sadetin Sula: Deri sa t’i kryej r**, ose ka me më mbyt, ose do ta mbys.

Fatjon Karameshtna: Po shkove në gjykatë, ajo të merr gjysmën e pasurisë.

Sadetin Sula: Më merr gjysmën dhe mos më shumë. Më merr edhe fëmijët. Nuk e lë të shkoj atje. Më mirë e mbys, se ta lë të shkojë atje.

Fatjoni Karameshtna: Ajo ankohet për mua, thotë që ai magjupi m’i bën të gjitha. Po ça i kam bërë unë o dajë?! Këtë punë e bëjmë ose unë, ose ti. Kurrkush tjetër nuk e bën. Zënka në shtëpinë e çiftit, në praninë e fëmijëve.

Suela Sula: Këtë dhunë që po bën në shtëpi, unë mund të marr doktorin.

Sadetin Sula: Trego me kë e bërë atë kopilin, me dashnorin?

Suela Sula: Më thuaj emrin e dashnorit tim, meqë e ke të sigurt.

Sadetin Sula: Atë s’e them unë, atë do ta them në gjykatë.

Suela Sula: Shkojmë në gjykatë pra. Por këtë herë mos më dil nga fjala si herët e tjera. Se unë këtë dhunë psikologjike nuk e duroj më. Madje, analizën do ta bëjmë për të tre fëmijët, mos të dalësh pas disa kohësh të më thuash se edhe të tjerët janë të dikujt tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura