Batutat pa mikrofon në sallën e Kuvendit/ Ruçi: Zoti Berishaaaa, ulu. Ish-kryeministri: Ty të përdor…

Sep 14, 2017 | 9:27
SHPËRNDAJE

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka humbur “privilegjin” e fjalës pa limit në Parlament. Gramoz Ruçi, në seancën e dytë në krye të Kuvendit, ka detyruar ish-Kryeministrin Sali Berisha të flasë vetëm 20 minuta, duke mos e lënë të përfundojë fjalimin e tij të gjatë. Për të lejuar Berishën të flasë, kanë reaguar nga vendi gjatë debatit pa mikrofon, deputetët, Edi Paloka dhe Flamur Noka.ruci-berisha

Madje, Noka i ka ofruar Berishës kohën e tij në dispozicion, vetëm që Doktori të mbaronte fjalën, por Gramoz Ruçi nuk ka pranuar asnjë kompromis. Berisha e ka quajtur Ruçin si person të keqpërdorur nga Rama dhe si simbolin e policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit. “Emërimi yt në krye të Parlamentit i vë kapakun të gjithë kësaj tragjikomedie që po jetojnë shqiptarët. Ti, këtu nuk je Mehmet Shehu, ti, këtu je simboli i policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit”, iu drejtua Berisha, kreut të Kuvendit.

Por Ruçi kërcënoi ish-Kryeministrin me sanksione, siç parashikon rregullorja e Kuvendit. “Zoti Berisha ulu dhe mos më detyro që në këtë seancë të vazhdoj aplikimin e masave që parashikon rregullorja”, ka thënë Ruçi.

Ndërkohë, Berisha e akuzoi Ruçin se është i dënuar nga Ambasada Amerikane për të mos shkelur në SHBA, ndaj dhe për këtë arsye nuk do marrë vizë amerikane. Por Ruçi i ka kërkuar Berishës që të mos keqinformojë kolegët.

REPLIKAT PA MIKROFON BERISHA-RUÇI

Sali Berisha: E fyen gënjeshtrën ta quash Edi Ramën gënjeshtar. Pse qytetarët shqiptarë ju ndëshkuan ju në një mënyrë ekzemplare? Arsyet janë sepse filozofia jote është filozofia e drogës. Duket ngaqë vetë je përdorues droge, por për këtë, për të ma provuar të kundërtën, hajde shkojmë bashkë të bëjmë të dy testin e drogës ku të duash. Përderisa nuk vjen, atëherë ke ndonjë problem. Pasi ka gënjyer me dhjetëra e dhjetëra herë ky zotëri, se ka fshirë kanabisin në 99,5% të territorit etj., ju them se nga Priska deri në Kala të Dodës, nga Librazhdi deri në Frashër e Delvinë, tunelet e Ushtrisë, depot e rezervave shtetërore janë të vulosura e të dyllosura me mijëra tonelata drogë që presin për t’u shitur. Kam dëgjuar se nuk kanë mbjellë më aq shumë drogë. Është e vërtetë, por kjo ka ndodhur se ende u ka ngelur droga pa shitur. Po lufton drogën ti? Po ti je njeriu që arrestove 22 mijë shqiptarë për faturën e energjisë elektrike, njerëz që s’kishin kafshatën e gojës, njerëz që u varën në litar në burgjet e tua. Ti je njeriu që s’ke arrestuar as pesë vetë për drogën dhe plantacionet e saj. Ti je njeriu që ke dhënë urdhër, ke bllokuar radarët dhe ke liruar transportin e drogës.

(Bie gongu i përfundimit të 20 minutave)

Sali Berisha: Megakorruptorët i ke vënë ministra, kampionë, dhe mendon se këta do t’i lash me thinjat e bardha të Pandeliut. Kjo nuk ndodh, nuk e lan me asgjë Gjiknurin, as Zho Zho, apo ndrikull Manasterliun. Nuk ka ujë që t’i lajë këto..

(mbaron koha, fiket mikrofoni)

Gramoz Ruçi: Koha mbaroi zoti Berisha. Faleminderit. Ulu.

Flamur Noka: Lerë edhe një sekondë të mbarojë…

Gramoz Ruçi: Jo, s’ka më asnjë sekondë për askënd. Të lutem zoti Berisha, ulu.

Flamur Noka: Jepi kohën time dhe lerë të flasë…

Gramoz Ruçi: Jo s’ka, ulu… Nuk lejohet. Ulu zoti Berisha.

Sali Berisha(flet pa mikrofon): Emërimi yt në krye të Parlamentit i vë kapakun të gjithë kësaj tragjikomedie që po jetojnë shqiptarët..

Gramoz Ruçi: I the të gjitha zoti Berisha, ulu.

Sali Berisha: Ti këtu nuk je Mehmet Shehu, ti këtu je simboli i policisë që sulmoi studentët e Dhjetorit…

Gramoz Ruçi: Zoti Berisha ulu dhe mos më detyro që në këtë seancë të vazhdoj aplikimin e masave që parashikon rregullorja.

Edi Paloka: Lerë të flasë, mos e ndërprit..

Gramoz Ruçi: Jo, jo nuk ka më asnjë. Asnjë..

Sali Berisha: Dije mirë se je i keqpërdorur.

Taulant Balla: Po lëri mo këto..

Sali Berisha: Se Edi Rama të ka emëruar ty si fijen e barit dhe kërkon të kapet te ty për të shpëtuar…

Gramoz Ruçi: Zoti Berishaaaa, ulu, mos e tepro tani, as në planin etik, as politik dhe as në planin procedural. Ulu tani.

Sali Berisha: Ta dinë të gjithë se je i dënuar përjetë që nuk shkel dot në Amerikë dhe që nuk merr dot vizë amerikane…

Gramoz Ruçi: Ulu, ulu dhe mos i gënje këta kolegët e tu se i merr më qafë pastaj…

(Berisha largohet nga foltorja, deputetët e PD duartrokasin, ndërkohë ish-Kryeministri ikën nga salla)

Fatmir Xhafaj: Ti je personi që na kujton shprehjen e famshme: “bërtet hajduti, kapeni hajdutin”..

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura