“Banda e tritolit” në gjyq, minutat e Julian Sinanajt te Krimet e Rënda

Nov 21, 2014 | 12:01

Julian Sinanaj duke u futur në sallën e gjyqit
Asnjë nga familjarët e të pandehurve në sallën e gjyqit

Gjykata shtyn seancën për më 4 dhjetor. Të penduarit e drejtësisë Sinanaj  dhe Gjokona ulen pranë njëri-tjetrit.

Nëse Julian Sinanaj nuk do të futej në sallën nr. 1 të Gjykatës për Krimet e Rënda nga një derë e veçantë dhe i shoqëruar nga katër policë, ai nuk do të shquhej nga publiku i pranishëm.
Djaloshi afër të tridhjetave, me trup mesatar, flokë të prerë shkurt, i veshur me xhinse të errëta, bluzë të zezë dhe një xhup në nuancat e bezhës, dukej dje krejt ndryshe nga fotoja që i publikoi policia pas arrestimit. Një palë syze optike me skelet të trashë plastik të zi i jepnin portretit të tij hijen që mund të kishte një person që zotëronte çfarëdolloj profesioni, por kurrsesi atë të një vrasësi me pagesë, që projektonte atentate dhe ekzekutonte me gjakftohtësi shënjestrat e tij njerëzore. Për shkak të statusit të tij si i penduar i drejtësisë, Sinanaj u ul veçmas të pandehurve të tjerë, jashtë kafazit të hekurt. Zëri i tij u dëgjua në sallë vetëm kur kryesuesja e seancës e pyeti në ishte dakord me avokatin që kishte zgjedhur nëna e tij për të mbrojtur interesat ligjore. “Sipas interesave të mia, kam avokatin që ka zgjedhur nëna ime”, tha Sinanaj. Në vijim ai qëndroi i ulur mes punonjësve të policisë, në këndin e sallës që nuk mund të shikohej nga të pandehurit brenda kafazit.
“SURPRIZA” E GJOKONES
Mosnjoftimi për seancën i të pandehurit Genis Mëhillaj dhe mosprania në sallë e të pandehurit tjetër të penduar, Ndriçim Gjokona, e bënin të pamundur zhvillimin e seancës. Më herët kryesuesja e seancës, gjyqtarja Flora Hajredini, tha se Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve ishte njoftuar për shoqërimin e të pandehurit në gjyq. “Kjo drejtori ka dijeni, – u shpreh gjyqtarja, – por nuk e ka shoqëruar të pandehurin Gjokona dhe as ka paraqitur ndonjë shkak”. Më tej, në kohën që trupi gjykues po merrte vendimet e ndërmjetme përmbyllëse të seancës, një punonjës i sallës i komunikoi diçka në afërsi kryesueses. Pak sekonda më pas, në orën 11:15, në një derë që gjendet pas trupit gjykues u shfaq i pandehuri Ndriçim Gjokona. I shoqëruar nga punonjës të shumtë policie, atij iu bë një vend jashtë kafazit, në të njëjtin kënd ku ishte akomoduar edhe Julian Sinanaj. Gjokona vetëm hodhi një vështrim nga të pandehurit dhe u ul në karrige duke buzëqeshur. Ai nuk ngurroi të hidhte sytë nga përfaqësuesit e akuzës, e më tepër t’i përshëndeste duke ngritur lehtas dorën e djathtë. Ai nuk u pa të shkëmbente ndonjë fjalë me Julian Sinanajn, nga i cili e ndante vetëm një punonjës policie.
SEANCA
Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje gjyqin në ngarkim të Julian Sinanajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar si anëtarë të “bandës së tritolit”, përgjegjës për disa atentate dhe vrasje me pagesë. Gjatë seancës së djeshme nuk ishte i

Avokatët mbrojtës të të pandehurve
pranishëm asnjë nga familjarët e të pandehurve. Të pandehurit dëgjuan akuzat që prokuroria ka ngritur për ta dhe konfirmuan para gjykatës emrat e avokatëve të tyre mbrojtës. Në kafazin e hekurt të sallës ishin të pranishëm të pandehurit Andon Mëhillaj, Marion Mitro dhe Albin Nexhaj. Nuk ndodheshin aty të pandehurit Genis Mëhillaj, që ende nuk është arrestuar, si dhe biznesmeni Ilir Karçini, i cili kishte preferuar të përfaqësohej nga avokati i tij. I cilësuari si “vrasës”, Julian Sinanaj qëndroi jashtë kafazit i rrethuar nga punonjës policie. Gati 30 minuta pas nisjes së seancës, në sallë mbërriti dhe i penduari tjetër, Ndriçim Gjokona, i cili u ul jashtë kafazit, në krah të Sinanajt. Në përfundim, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për më 4 dhjetor, për shkak se i pandehuri Genis Mëhillaj, person i shpallur në kërkim, nuk është njoftuar për seancën. 

Prokuroria, 38 akuza për të pandehurit

Marjon Mitro dje gjatë seancës gjyqësore
Të akuzuarit e “dosjes së tritolit” do të përballen me 38 akuza në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas prokurorisë, Julian Sinanaj akuzohet për vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, si dhe tentativën e vrasjes së J. M. Për këto vrasje ai dyshohet të jetë ndihmuar nga Ndriçim Gjokona, ndërsa porositësit kanë qenë Andon e Genis Mëhillaj. Po sipas prokurorisë, Sinanaj akuzohet si autor i vendosjes së një sasie eksplozivi në banesën e Ardian Kollozit në Vlorë, si dhe ndërtuesi i një mine me celular që u gjet në automjetin e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Vendosja e kësaj bombe dyshohet të jetë bërë nga i pandehuri Marion Mitro. Ndërsa biznesmeni Ilir Karçini
Andon Mëhillaj në sallën e gjyqit
akuzohet të jetë porositësi i vrasjes së biznesmenit P.Bare, ekzekutim i pakryer. Ndërsa i pandehuri Alban Mexhaj dyshohet të jetë personi që furnizonte me armë Sinanajn.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura